​1.6 milionë euro shmangie në 2025, ATK dhe Dogana forcojnë kontrollet

Ekonomi

​1.6 milionë euro shmangie në 2025, ATK dhe Dogana forcojnë kontrollet

Më: 4 shtator 2026 Në ora: 16:43
Fotoilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, së shpejti do të nisë zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit për luftimin e ekonomisë joformale.

Plani synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e kontrolleve të përbashkëta në terren, me fokus në sektorët dhe aktivitetet me risk dhe interes të përbashkët.

Përmes këtij mekanizmi do të mundësohet ndjekja më e plotë e zinxhirit ekonomik, nga importi dhe qarkullimi i mallrave, deri te shitja dhe konsumi në tregun e brendshëm.

Gjatë vitit 2025, bashkëpunimi ndërmjet ATK-së dhe Doganës së Kosovës ka rezultuar në 19 kontrolle të përbashkëta në terren, gjatë të cilave janë evidentuar shmangie nga detyrimet tatimore dhe doganore në vlerë prej 1.6 milionë eurosh.

Duke u bazuar në këto rezultate dhe në sfidat e identifikuara, plani i ri synon të rrisë efikasitetin e kontrolleve dhe të forcojë mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale.

Në kuadër të planit, kontrollet pritet të orientohen më saktë drejt rasteve me risk, ndërsa shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve do të intensifikohet. Synohet gjithashtu një mbikëqyrje më e plotë e aktivitetit ekonomik dhe ndërhyrje më e koordinuar në rastet kur evidentohen parregullsi.

ATK dhe Dogana e Kosovës synojnë që përmes këtij bashkëpunimi të parandalojnë humbjet në të hyra publike dhe të sigurojnë zbatimin e njëjtë të rregullave për të gjithë operatorët ekonomikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat