Kusari-Lila: Produktet “Made in Kosova” synojmë të depërtojnë në tregun slloven

Ekonomi

Kusari-Lila: Produktet “Made in Kosova” synojmë të depërtojnë në tregun slloven

Më: 15 tetor 2026 Në ora: 20:23
Mimoza Kusari Lila

Ministrja thekson rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik me Slloveninë, duke synuar më shumë eksporte, investime dhe mundësi të reja për bizneset kosovare.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, me fokus në rritjen e eksporteve dhe krijimin e mundësive të reja për produktet vendore në tregun slloven.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në takimin e tretë me bizneset sllovene në Kosovë, së bashku me ambasadorin e Sllovenisë, Borut Blaj, dhe drejtorin ekzekutiv të Këshillit Evropian të Investitorëve në Kosovë, Emrush Ujkanin, bashkëorganizator i takimit.

“Kosova dhe Sllovenia kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të rëndësishme ekonomike, të cilat synojmë t’i forcojmë edhe më tej, duke afruar bizneset tona dhe duke krijuar mundësi të reja për produktet kosovare në tregun slloven”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe hapjen e mundësive të reja për eksport dhe investime.

Duke folur për rëndësinë e prodhimeve vendore, ministrja ka theksuar se promovimi i produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare mbetet një nga synimet kryesore.

“Për ne, ‘Made in Kosova’ është më shumë se një etiketë. Është synimi ynë që produktet tona të depërtojnë në tregje të reja dhe të vlerësohen për cilësinë e tyre”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila ka përmendur gjithashtu rolin e eko-parqeve industriale në zhvillimin e prodhimit, inovacionit dhe investimeve, duke synuar krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset vendore.

“Përmes eko-parqeve industriale, po krijojmë kushte për më shumë prodhim, inovacion dhe investime, që bizneset kosovare të rriten, të bëhen më konkurruese dhe ta përfaqësojnë emrin e Kosovës përtej kufijve”, ka përfunduar ministrja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat