Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, agjenda e gjelbër dhe mundësitë e partneritetit biznesor në rajon, ishin në fokus të “Green Hub Business”, që u mbajt në Prishtinë, organizuar nga Oda Sllovene e Bizneseve dhe BB Green Kosova.
Me këtë rast, u trajtuan nevojat e tregut kosovar, transformimi i bizneseve drejt ekonomisë së gjelbër, inovacioni, konkurrueshmëria dhe mundësitë e financimit për zgjidhje të qëndrueshme.
Drejtor i EAC – Odës Sllovene të Bizneseve në Kosovë, Bajram Fusha, tha se agjenda e gjelbër paraqet një mundësi për transformimin rrënjësor të ekonomisë së Kosovës, duke nxitur investimet, rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe mbrojtur mjedisin.
Fusha theksoi se zhvillimi ekonomik nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes shifrave të prodhimit, ndërtimeve dhe vendeve të reja të punës, por edhe përmes ndikimit që ai ka në mjedis dhe trashëgimisë që u lihet brezave të ardhshëm.
Fusha: E ardhmja ekonomike s’mund të ndërtohet duke shkatërruar themelet tona mjedisore
“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të diskutuar mbi mjedisin, jemi mbledhur për të diktuar të ardhmen ekonomike, për të nxitur investimet, për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve tona dhe për të mbrojtur cilësinë e jetës së brezave që vijnë. Sepse e ardhmja ekonomike nuk mund të ndërtohet kurrë duke shkatërruar themelet tona mjedisore”, tha Fusha.
Ai tha se zhvillimi ekonomik sot nuk mund të matet vetëm me treguesit tradicionalë, por duhet të merret parasysh edhe ndikimi afatgjatë në mjedis dhe në jetën e brezave të ardhshëm.
Fusha: Thelbi i agjendës së gjelbër, mundësi e artë për transformimin rrënjësor të ekonomisë së Kosovës
“Ky është thelbi i agjendës së gjelbër; ajo nuk është thjesht një politikë ekologjike apo një detyrim burokratik drejt integrimit evropian, ajo është një mundësi e artë për transformimin rrënjësor të ekonomisë së Kosovës”, tha Fusha.
Ndërsa, ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, tha se qëndrueshmëria është bërë një nga faktorët kryesorë të ekonomisë globale dhe se përqafimi i agjendës së gjelbër ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë ekonomike dhe qasjen në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Blaj theksoi se Sllovenia e sheh Kosovën si partnere në zhvillimin e qëndrueshëm, duke vlerësuar se të dyja vendet kanë mundësi të bashkëpunojnë përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave.
Blaj: Një rrugë e drejtpërdrejtë drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian
“Në ekonominë e sotme globale, qëndrueshmëria është bërë valuta e re e tregtisë dhe përqafimi i saj është mënyra se si mund të sigurojmë qëndrueshmëri afatgjatë. Kjo nuk është vetëm një domosdoshmëri klimatike, por edhe një motor modern për konkurrueshmërinë ekonomike dhe një rrugë e drejtpërdrejtë drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian”, tha Blaj.
Ai vlerësoi se distanca gjeografike nuk përbën pengesë për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, duke shprehur gatishmërinë për të shndërruar objektivat e përbashkëta në projekte konkrete.
Blaj: Vendet tona kanë shumë për t'i ofruar njëra-tjetrës
“Sllovenia dhe Kosova mund të jenë të ndara nga distanca gjeografike, por kureshtja, kreativiteti dhe ambicia nuk njohin kufij. Vendet tona kanë shumë për t'i ofruar njëra-tjetrës: njohuri, përvojë, energji sipërmarrëse dhe vendosmëri për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme. Ky forum është një mundësi për t'i shndërruar qëllimet tona të përbashkëta në bashkëpunim konkret”, tha ambasadori.
Sytrime Dervisholli, eksperte e tregtisë ndërkombëtare dhe ESG, tha se tranzicioni i gjelbër nuk duhet të shihet si zgjedhje mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik, por si mundësi për transformimin e sektorit privat dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Ajo shtoi se agjenda e gjelbër synon gjithashtu përgatitjen e kompanive për t'u përgjigjur kërkesave të tregjeve evropiane dhe globale.
Dervisholli: Tranzicioni i gjelbër u jep mundësi kompanive dhe sektorit privat që të transformohemi në vazhdimësi
“Shpeshherë ndodhemi para një dileme: a të zgjedhim mes mbrojtjes së mjedisit apo zhvillimit ekonomik, që, për mendimin tim, në bazë të përvojës kjo është një çështje që ne në vazhdimësi e përsërisim gabimisht, sepse tranzicioni i gjelbër, në njëfarë forme, u jep mundësi kompanive dhe sektorit privat që të transformohemi në vazhdimësi”, tha Dervisholli.
Ajo tha se tranzicioni i gjelbër nuk paraqet vetëm nevojë për mbrojtjen e mjedisit, por edhe mundësi për zhvillim ekonomik.
Dervisholli: Tranzicioni i gjelbër jo vetëm domosdoshmëri apo nevojë mjedisore, por edhe mundësi ekonomike
“Pra, agjenda e gjelbër, tranzicioni i gjelbër nuk e ka synim vetëm mbrojtjen e mjedisit, por edhe përgatitjen e sektorit privat për tregjet evropiane dhe tregjet globale, se sa ne jemi gati për t'iu përgjigjur rrethanave apo kërkesave të tregjeve globale. Pra, tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm domosdoshmëri apo nevojë mjedisore, por është edhe mundësi ekonomike”, tha ajo.