Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e radhës ka aprovuar qiradhënien e hapësirave reklamuese të Qendrës së Skijimit “Brezovica”, dhe transferimin e shumës prej 437 109 euro nga “Fondet e Mbetura” të likuidimit në Fondin e Konsoliduar të Kosovës, në llogari të veçanta në Thesarin e Kosovës.
Duke përfshirë shumën e mësipërme, deri më tani në “Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës” AKP ka transferuar mbi 398 milionë euro të fondeve të likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore.
Fondet e mbetura të likuidimit nënkuptojnë mjetet financiare që mbesin pas përmbushjes së kërkesave të vlefshme të kreditorëve gjatë procesit të likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH) nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Këto mjete synohen për investime që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit.
Bordi në mbledhjen e radhës po ashtu aprovoi marrëveshjen e bashkëpunimit mes Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe Agjencisë së privatizimit, ku qëllimi i kësaj marrëveshjeje është përcaktimi i kornizës së bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet AKKVP-së dhe AKP-së për mbështetjen e AKKVP-së në ushtrimin e mandatit të saj ligjor për trajtimin e kërkesave për njohjen ligjore dhe formalizimin e të drejtave pronësore, përmes shkëmbimit të informatave për ekzistimin e procedurave dhe vendimeve që ndërlidhen me palët, në përputhje me kompetencat ligjore të palëve dhe legjislacionin në fuqi.
Lidhur me përcaktimin e statusit Bordi aprovoi raportin e Komisionit përkatës dhe u vendos që SDR/KPS 1403-PRN012 KB “Përparimi” Arllat si dhe çdo aset i ndërmarrjes që do të identifikohet në të ardhmen në territorin e Kosovës janë në pronësi shoqërore dhe bien nën administrimin e AKP-së.
Bordi miratoi inicimin e procedurave të likuidimit për NSH/Asetin MIT167 “Të Mirat Furnizuese të Ndërmarrjes Trepça” – Mitrovicë, si dhe miratoi buxhet shtesë për dy ndërmarrje shoqërore Derma Commerce MIT038dhe Elan MIT012 pasi që për të njëjtat ende nuk kanë përfunduar procedurat e likuidimit.