​Kompania e Francës, fituese e ankandit të parë të energjisë me erë në Kosovë, ja sa do të jetë investimi

Ekonomi

​Kompania e Francës, fituese e ankandit të parë të energjisë me erë në Kosovë, ja sa do të jetë investimi

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 16:58
​Kompania e Francës

Kompania franceze AKUO Energy SAS shpallet fituese e ankandit të parë të energjisë nga era me kapacitet prej 98 MW.

Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se çmimi do të jetë j 75.94 euro për megavatorë (MËh), ndërsa çmimi fitues është 5.31% më i ulët se çmimi tavan prej 80.20 euro/MWh, i përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Realizimi i këtij projekti pritet të sjellë një investim prej rreth 150 milionë eurosh në sektorin e energjisë në Kosovë dhe, siç vlerëson ministria, shton kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, duke kontribuar në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në fazën e parë të këtij ankandi ishin kualifikuar tri kompani dhe konsorciume nga Franca, Turqia, Gjermania dhe Kosova.

Ankandi i parë i energjisë nga era është zhvilluar me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe përkrahjen financiare nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev – Luxembourg Development Cooperation Agency.

Përmbyllja e suksesshme e ankandit të parë të erës, sipas Ministrisë së Ekonomisë, shënon një tjetër hap të rëndësishëm në realizimin e objektivave të Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe dëshmon interesimin e investitorëve ndërkombëtarë për investime në sektorin e energjisë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat