Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, ka reaguar lidhur me paralajmërimet për tarifa të reja të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar kujdes dhe analizë të thellë para çdo vendimi.
Ai thekson se aktualisht ZRRE-ja është duke shqyrtuar propozimet e paraqitura nga operatorët energjetikë, përfshirë KEDS-in dhe KESCO-n, por shton se këto propozime duhet të analizohen me përgjegjësi të lartë.
“Propozimet e ofruara duhet të shqyrtohen dhe analizohen me kujdes, në mënyrë që të merret një vendim i arsyeshëm dhe të mos kemi sërish rritje të çmimit të energjisë elektrike,” deklaroi Bellaqa.
Sipas tij, çdo rritje e mëtejshme e çmimit do të kishte pasoja zinxhirore në ekonomi, duke prekur drejtpërdrejt konsumatorët dhe bizneset.
“Rritja e çmimit të energjisë po e vështirëson zinxhirin furnizues, pasi produktet bazike po shtrenjtohen, gjë që ndikon më së shumti te kategoritë me të ardhura të ulëta dhe të mesme,” u shpreh ai.
Bellaqa gjithashtu ngriti shqetësimin për marrëveshjet e mundshme me vendet e rajonit në fushën e energjisë, duke i cilësuar ato si kosto shtesë për qytetarët.
“Çdo marrëveshje apo zgjidhje me vendet e rajonit për energjinë përkthehet në kosto shtesë, që e vështirëson jetën e konsumatorëve, ekonominë familjare dhe aktivitetin e bizneseve,” tha ai.
Sipas ekspertit, zgjidhja afatgjatë duhet të fokusohet në rritjen e prodhimit vendor të energjisë.
“Zgjidhja e qëndrueshme është investimi në termocentralet ekzistuese në Kosovë dhe rritja e kapaciteteve të brendshme prodhuese,” theksoi Bellaqa.
Ai shton se marrëveshjet ndërkombëtare udhëhiqen nga interesat ekonomike dhe mund të vazhdojnë, por thelbi mbetet forcimi i prodhimit vendor.
“Marrëveshjet me palët e jashtme bëhen mbi bazën e interesave reciproke dhe logjikës ekonomike, por ne duhet të fokusohemi që të mos varemi nga importi i energjisë elektrike dhe të mos paguajmë çmime ndërkombëtare në faturat tona,” përfundoi ai.