​Ismaili në takimin e FMN-së, në fokus rreziqet e reja dhe stabiliteti financiar

Ekonomi

​Ismaili në takimin e FMN-së, në fokus rreziqet e reja dhe stabiliteti financiar

Më: 17 tetor 2026 Në ora: 15:22
Fotoilustrim

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë në takimin e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), pjesë e së cilës është Republika e Kosovës, të mbajtur në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore në Bangkok, Tajlandë.

Takimi mblodhi përfaqësuesit e vendeve anëtare të Konstituencës për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare globale, rreziqet e reja, prioritetet e FMN-së dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit.

Sipas njoftimit, diskutimet përfshinë çështje të stabilitetit makroekonomik dhe financiar, qëndrueshmërisë së sektorit financiar, si dhe sfidat që lidhen me zhvillimet teknologjike, digjitalizimin dhe rreziqet financiare në zhvillim.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe funksionimit të Konstituencës, ndryshimeve të fundit në udhëheqjen dhe organizimin e saj, si dhe sigurimit të vazhdimësisë së punës, koordinimit efektiv dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare.

Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në këtë takim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të BQK-së në kuadër të FMN-së dhe Konstituencës përkatëse, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit institucional, shkëmbimin e përvojave dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në arkitekturën financiare ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat