Eurodeputët thirrje presidencës portugeze të BE: Përparësi punësimit dhe luftës ndaj pabarazisë

Evropë

Eurodeputët thirrje presidencës portugeze të BE: Përparësi punësimit dhe luftës ndaj pabarazisë

Më: 21 janar 2021 Në ora: 00:04
António Costa

Eurodeputetët i kanë kërkuar presidencës portugeze të Këshillit Europian që t’i japë përparësi krijimit të vendeve të reja punës si dhe luftës ndaj pabarazisë, dy probleme që janë theksuar edhe më shumë nga pandemia COVID-19.

Kryeministri António Costa ka prezantuar objektivat e vendit tij përpara Parlamentit Europian për presidencën 6 mujore të BE, e cila funksionon me rotacion çdo gjashtë muaj midis vendeve anëtare.

Mandati i Portugalisë nisi në fillim të këtij muaji, pas dorëzimit të këtij posti nga Gjermania.

Costa iu tha ligjvënësve se dëshiron të ndihmojë BE që t’ia dalë mbanë me fushatën e vaksinimeve dhe  rimëkëmbjen ekonomike nga coronavirus.

“Mendoj se dëshira e gjithë qytetarëve europianë është që në gjashtë muajt e ardhshëm të vijojmë me fushatat e vaksinimeve”, shpjegoi kryeministri portugez.

Eurodeputetët kanë mbështetur propozimet e tij, duke vënë theksin tek urgjenca ekonomike dhe sociale shkaktuar nga pandemia, ndërsa kanë kërkuar që fokusi të jetë mbi krijimin e vendeve  të reja të punës dhe reduktimin e pabarazisë.

“2021 duhet të jetë viti ku ne duhet të flasim për punë, punë, punë ... Për këtë qëllim, ne mbështesim idenë e Europës sociale. Dhe në këtë Europë sociale, ajo çka është më e rëndësishmja, është që qytetarët të jenë të punësuar, veçanërisht brezi i ri”, tha lideri i Partisë Popullore dhe deputeti gjerman Manfred Weber.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat