Përforcohen masat kufizuese nga COVID-19, Holanda hyn në shtetrrethim, Portugalia mbyll shkollat për dy javë

Evropë

Përforcohen masat kufizuese nga COVID-19, Holanda hyn në shtetrrethim, Portugalia mbyll shkollat për dy javë

Më: 22 janar 2021 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

Lloji i ri i virusit i cili vlerësohet se është 70% më i transmetueshëm po shton shqetësimet e autoriteteve duke forcuar masat kufizuese.

Për të parandaluar përhapjen e COVID-19, Holanda i bashkohet shteteve evropiane Francës, Italisë, Greqisë, Gjermanisë duke vendosur shtetrrethim gjatë natës. 

Ky është shtetrrethimi i parë për Holandën që nga Lufta e Dytë Botërore. Masa kufizuese e cila hyn në fuqi të shtunën parashikon shtetrrethim nga ora 21:00 në 4:30 të mëngjesit dhe pritet të zgjasë të paktën deri më 9 shkurt.

Edhe Franca po konsideron rikthimin e një izolimi të tretë. Kryeministri i Shëndetësisë vlerësoi se situata është shqetësuese për shkak të variantit të ri të COVID.

Qytetarët në Francë aktualisht duhet të respektojnë një shtetrrethim të rreptë mbarëkombëtar nga ora 18:00 deri në 6:00 të mëngjesit.

Dyqanet dhe shërbimet, përfshirë bibliotekat publike, janë të hapura, por duhet të mbyllen në orën 18:00 pasdite, por baret, restorantet, kinematë, teatrot, muzetë dhe palestrat mbeten të mbyllura. Shkollat fillore dhe gjimnazet janë hapur, ndërsa universitetet vijojnë mësimin në distancë.

Një ditë pas protestës së tyre për t’u kthyer në auditorë, presidenti Emmanuel Macron paralajmëroi studentët se kufizimet e COVID-19 të mbesin në fuqi për pjesën më të madhe të vitit akademik.

Britania po ashtu, pavarësisht ritmeve të vaksinimit vijon të raportojë se spitalet janë të mbingarkuara me pacientë.  

Pjesa më e madhe e shkollave janë të mbyllura, ndërsa kryeministri Boris Johnson shprehet se kjo situatë do të vijojë pasi është rezultat i përhapjes së virusit të ri.

Ministri i Brendshëm britanik, Priti Patel paralajmëroi se ata që shkelin rregullat e izolimit do të përballen me ndëshkime, duke njoftuar një gjobë të re 800 paund për ata që marrin pjesë në festime të organizuara në shtëpi.

Edhe Portugalia sikundër shumë shtete evropiane shton masat kufizuese duke mbyllur shkolla të paktën për dy javë.

Ndërsa Hungaria bëhet shteti i parë në BE që aprovon vaksinën ruse Sputnik dhe i jep dritën jeshile vaksinës së Astrazeneca.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat