Kryeministri italian: Vonesa në furnizimin me vaksina “e papranueshme”

Evropë

Kryeministri italian: Vonesa në furnizimin me vaksina “e papranueshme”

Më: 23 janar 2021 Në ora: 22:48
Kryeministri italian, Giuseppe Conte

Kryeministri italian, Giuseppe Conte thotë se vonesa në furnizimin me vaksina nga Pfizer dhe AstraZeneca është “e papranueshme”. Të dyja kompanitë kanë paralajmëruar se nuk do të jenë në gjendje të dorëzojnë vaksinat në BE siç kishin rënë dakord për shkak të çështjeve që lidhen me prodhimin.

Conte i akuzoi ato për shkelje serioze të kontratës. Ndërsa një tjetër zyrtar i shëndetësisë në Itali, paralajmëroi se vendi do të rishohë programin e vaksinimit nëse do të vijojnë problemet me furnizimin.

Vaksina e AstraZeneca, e zhvilluar nga Universiteti i Oxford-it, nuk e ka marrë ende aprovimin e BE, megjithatë rregullatori i ilaçeve i bllokut, pritet që t’i japë dritën jeshile në fund të këtij muaji.

Sipas asaj që shkruan BBC, një zyrtar i AstraZeneca tha të premten se “volumi fillestar do të jetë më i ulët nga sa ishte parashikuar “, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Zyrtarët nuk e kanë konfirmuar ende publikisht sesa e ulët do të jetë sasia e vaksinave, por një zyrtar i BE, emri i të cilit nuk bëhet publik, i tha Reuters se sasia do të ulej në 31 milionë, një shkurtim prej 60 përqind, në tre mujorin e parë të këtij viti. Sipas po të njëjtit burim, kompania pritej që të dorëzonte rreth 80 milionë doza në 27 vendet e unionit brenda Marsit.

Javën e shkuar, Pfizer njoftoi se do të ngadalësonte procesin e shpërndarjes në Europë, në mënyrë që të bënte ndryshime në prodhim, që do të rrisnin kapacitetin. Bashkimi Europian ka porositur 600 milionë doza nga Pfizer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat