Evropë, populistët gati të shfrytëzojnë vështirësitë me vaksinimin ndaj COVID-it

Evropë

Evropë, populistët gati të shfrytëzojnë vështirësitë me vaksinimin ndaj COVID-it

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 19:30
Ilustrim

Anketimet i tregojnë në rënie populistët në Evropë që kur në kontinent u shfaq pandemia e koronavirusit. Por analistët thonë se mund të shikojmë një ringjallje të tyre, ndërsa po fillon të ndihet më shumë ndikimi tek ekonomia dhe efektet e masave kufizuese, duke zgjeruar kështu më tej edhe hendekun tek të ardhurat.

Të tjerë thonë se kjo nuk do të ndodhë nëse qeveritë dhe partitë tradicionale mund të rikthejnë besimin tek aftësitë e tyre, të mbrojnë nga vështirësitë ekonomike personat me të ardhura të ulëta dhe popullatën e zonave rurale, si dhe të rikthejnë vendet e tyre sërish në gjendje funksionale.

Sfida nga populistët po zbehet, thonë ata, duke përmendur në anën tjetër të Atlantikut humbjen në zgjedhjet e nëntorit të ish-Presidentit amerikan Donald Trump. “Një arsye është mllefi i tyre i njohur ndaj ekspertizës, që entuziazmon një pakicë votuesish, por shqetëson shumë të tjerë që janë të shqetësuar për shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, thotë Tony Barber, redaktor për Evropën në gazetën “Financial Times”.

Ndërsa pranon se populistët nuk e kanë përjetuar lehtë “pandeminë”, Matthew Goodwin, shkencëtar politik dhe studiues me grupin kërkimor britanik “Chatham House”, beson se trazirat politike përgjithësisht shfaqet gjatë vazhdimësisë së krizave dhe se izolimi mund të ketë pasoja të mëdha që janë të vështira për t’u parashikuar.

"Të dhënat në rritje tregojnë pothuajse me siguri se masat izoluese do të thellojnë ndasitë në shoqërinë tonë, të cilat filluan të marrin formë dekada më parë dhe u thelluan gjatë reçensionit të madh”, thotë ai.

Bashkimi Evropian nuk po ndihmon për t’iu shmangur një rikthimi të mundshëm të populizmit në kontinent, që zë vend bazuar edhe tek euro-skepticizmi. Masat e gabuara logjistike dhe burokracia kanë dëmtuar shpërndarjen e vaksinave të BE-së, duke nxitur zhgënjimin në rritje të publikut me ritmin e vaksinimeve dhe duke shtuar ankthin për një dimër të zymtë në hemisferën veriore. Disa komentues e shohin këtë si një dhuratë për populistët, ndërsa personat me paga të ulëta, të pakualifikuarit dhe ata që janë në vende pune të pasigurta goditen më rëndë nga bllokimet e zgjatura.

Vështirësitë e BE-së për të siguruar doza të hershme të mjaftueshme për të përparuar me vaksinimin e 446 milionë njerëzve të unionit, e ka vendosur bllokun në epiqendër të zemërimit të përhapur. Muajin e kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e përkufizoi para kohe strategjinë e unionit për blerjen e vaksinave si një "histori suksesi evropian".

62-vjeçarja gjermane, e përzgjedhur nga Presidenti francez Emmanuel Macron për postin më të lartë në KE, kishte pohuar se Brukseli duhet të merrte drejtimin në negociatat dhe prokurimin e furnizimeve të vaksinave për të 27 vendet anëtare. Ajo kishte mbështetjen e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ndali negociatat në zhvillim mes firmës prodhuese të vaksinave AstraZeneca, një firmë britaniko-suedeze, dhe ministrit të Shëndetësisë së Gjermanisë, së bashku me homologët në Francë, Itali dhe Holandë.

Zonja Von der Leyen, e mbështetur nga Kancelarja Merkel, argumentoi se një qasje kolektive do të funksiononte më mirë pasi do të shmangte nacionalizmin dhe konkurrencën për vaksina mes vendeve anëtare. Negocimi në bllok do të siguronte pozita më të forta për të negociuar mbi çmimet me gjigandët farmaceutikë.

Por një motiv kryesor ishte të tregonte se sa mirë mund të vepronte BE-ja. Kjo do të linte në hije mungesën e solidaritetit të bllokut në fillim të pandemisë, kur thirrjet për ndihmë nga Italia, vendi i parë që vuajti forcën e plotë të virusit, u kundërshtuan dhe vendet anëtare konkuruan për furnizimin e pajisjeve mbrojtëse personale dhe mbylljen e kufijve pa u këshilluar me njëri-tjetrin.

Disa nga problemet në shpërndarje kanë qenë specifike për vende të caktuara, por ka dyshime në rritje rreth qasjes kolektive të BE-së për prokurimin dhe shpërndarjen. Vetëm Britania ka vaksinuar më shumë se 13% të të rriturve të saj deri më tani, ndërsa mesatarja e BE-së mezi po arrin në 2%, me hendekun që vazhdon të rritet.

Autoritetet rregullatore britanike vepruan më shpejt për të miratuar vaksinat dhe nënshkruan kontrata me kompanitë prodhuese tre muaj para BE-së. Si rezultat Britania nuk është ndikuar sa BE-ja nga vonesat e prodhimit dhe vështirësitë. Më 22 janar, BE-ja reagoi me zemërim kur AstraZeneca njoftoi se do të duhej të zvogëlonte me rreth dy të tretat dozat që priteshin gjatë dy muajve të ardhshëm për shkak të vështirësive në prodhim.

"Nuk ka shenja se niveli i vaksinimit në BE po përshpejtohet, ndryshe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku normat ditore të vaksinimit janë rritur ndjeshëm në javët e fundit", thotë Guntram Wolff, drejtor i “Bruegel”, një grup kërkimor me seli në Bruksel. "Një pjesë e shpjegimit është se BE-ja porositi shumë pak vaksina tepër vonë. U vonua të porosiste vaksinën e BioNTech-Pfizer, edhe kur u ajo u bë vaksina kandidate kryesore dhe efikasiteti i saj ishte dokumentuar."

Zoti Wolff gjithashtu ka fajësuar BE-në se nuk planifikoi paraprakisht dhe nuk hartoi një strategji për të rritur prodhimin e vaksinave duke mobilizuar prodhues të tjerë për ta ndihmuar në këtë drejtim. Ai paralajmëroi se është "e pamundur të thuhet se si do të kishin shkuar gjërat nëse nuk do të kishte pasur veprime të përbashkëta të BE-së".

Gabimet logjistike të BE-së po kritikohen ashpër.

Markus Soeder, Kryeministri i shtetit gjerman të Bavarisë dhe pretendent për të qenë pasardhës i zonjës Merkel kur ajo të largohet në shtator, tha se "përgjegjësia operacionale" për situatën i takon Brukselit. "Vendimi u mor në atë që unë mendoj se është një procedurë tipike, normale, burokratike e BE-së", shtoi ai.

Zonja Von der Leyen u bë subjekt i një artikulli të ashpër të dielën nga revista kryesore gjermane Der Spiegel, e cila tha se përhapja e vaksinave "në fund të fundit mund të dalë se është katastrofa më e madhe e karrierës së saj politike".

Me rritjen e zhgënjimit nga masat izoluese në Holandë pati tre ditë trazira javën e kaluar pasi qeveria vendosi një shtetrrethim natën dhe me rritjen e zemërimit mbi ritmin tepër të ngadaltë të vaksinimit, populistët shohin një mundësi politike. Disa ishin rreshtuar me skeptikët anti-vaksinë, por po largohen nga ai pozicion dhe tani janë përqëndruar tek çështjet e aftësisë së BE-së për t’i bërë gjërat.

Marine Le Pen e Francës, udhëheqësja euro-skeptike e së djathtës ekstreme, po përjeton rritje të popullaritetit të saj. Një anketim javën e kaluar tregoi se ajo gëzon një mbështetje prej 48% të popullatës duke u radhitur pas zotit Macron me 52%. Kryeministri Macron përballet me një rizgjedhje të vështirë vitin e ardhshëm./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat