Policia gjobiti të moshuarën me historinë prekëse, qytetarët grekë kërkojnë tërheqjen e autoriteteve

Evropë

Policia gjobiti të moshuarën me historinë prekëse, qytetarët grekë kërkojnë tërheqjen e autoriteteve

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 08:40
Maria Skouraina ose Mananina

Një gjobë 300 euro e policisë greke ndaj një të moshuare në Lamia, ka ngjallur reagimin e të gjithëve.

Maria Skouraina ose Mananina, 80 vjeç u gjobit nga dy oficerë policie, me arsyetimin se kishte dalë nga shtëpia pa ndonjë arsye, si thyerje e protokolleve të pandemisë. Ajo mori masën administrative 300 euro, gjë që ngjalli reagimin e qytetarëve të Lamias dhe jo vetëm.

Jeta nuk ka qenë fort e drejtë me Mananinën dhe sipas mediave greke të gjithë e dinë historinë e saj. Ajo shet perime në sheshin Parkou, të cilat i kultivon vetë. Pak vite me parë e moshuara kishte humbur dy djemtë dhe nipin në aksidente tragjike.

Pas ndarjes nga jeta të nipit, Mananina kishte tentuar vetëvrasjen, por fqinjët kishin arritur ta shpëtojnë. Kur është pyetur se përse del gjithmonë në shesh për të shitur dhe nuk shijon pleqërinë, ajo u ka thënë se nuk qëndron dot në shtëpi, sepse ajo është e mbushur me fotografitë e djemve dhe nipit të saj. Ajo tashmë ka mbetur e vetme.

Qytetarët e Lamias kanë kërkuar heqjen e gjobës ndaj të moshuarës, duke e cilësuar aktin e policëve si të turpshëm. Autoritetet kanë marrë vendimin për anulim të gjobës, duke qenë se ka një ndikim të madh social kjo çështje.

Duhet theksuar se në momentin e gjobitjes, e moshuara ishte pa maskë dhe jashtë orarit të lëvizjes, si pasojë e masave pandemike. Ajo edhe gjatë pandemisë është kthyer në simbol, si të paktët njerëz që ka vijuar rutinën e saj në shesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat