Kryeministri britanik thotë se do të heqë kufizimet, rikthehet mësimi në shkolla

Evropë

Kryeministri britanik thotë se do të heqë kufizimet, rikthehet mësimi në shkolla

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 22:40
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, deklaron se do të heqë kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë. Fillimisht do të rikthehet mësimi në shkolla e më pas do të lejohet aktiviteti në bizneset e vogla.

Gjatë një vizite në fabrikën e bioteknologjisë ku do të prodhohet vaksina e re Novavax, Kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh optimist sa i përket kapërcimit të krizës së krijuar nga pandemia.

Ai njoftoi se ka vendosur të heqë kufizimet e vendosura nga karantina kombëtare.

“Unë jam optimist, nuk do ta fsheh këtë, por duhet të jemi të kujdesshëm”, u shpreh ai.

Kryeministri britanik gjithashtu raportoi se planet e daljes nga karantina do të shpallen më 22 shkurt.

Duke theksuar se përparësia e tij është rihapja e shkollave në Mbretërinë e Bashkuar nga data 8 Mars, e pas këtij momenti, do të hapen edhe dyqanet me pakicë dhe qendrat tregtare sapo të paraqitet një situatë më e sigurt rreth koronavirusit.

Johnson gjithashtu u ndal edhe tek rregullat që do të vendosen.

“Unë do të përpiqem të ndaj çdo detaj rreth ecurisë së pandemisë sa më shumë që të jetë e mundur, por duhet t’iu kujtoj se duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm kundër koronavirusit”.

Kryeministri tha se ndërsa të prekurit me Covid-19 u ulën në të gjithë vendin, numri i përgjithshëm mbeti shumë i lartë, duke shtuar se efektiviteti i vaksinave si dhe karantina është i rëndësishëm në uljen e shkallës së infeksionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat