Refugjatët sirianë ende me shpresa, 10 vjet konflikt, mbi 3.6 milionë refugjatë strehohen në Turqi

Evropë

Refugjatët sirianë ende me shpresa, 10 vjet konflikt, mbi 3.6 milionë refugjatë strehohen në Turqi

Më: 8 mars 2021 Në ora: 20:25
Foto

Janë miliona sirianë që kanë gjetur strehë në Turqi për t’i shpëtuar konflikteve në vendlindje. Arsyeja kryesore e ikjes së tyre mbetet regjimi i presidentit Bashar al-Asad.

10 vjet konflikt i armatosur ka larguar miliona njerëz nga Siria.

Shumica, mbi 3 milionë e gjysmë sirianë, strehohen tani në shtetin fqinj, në Turqi.

Refugjatët kanë krijuar një jetë të re, kanë hapur biznese dhe kanë ndryshuar përbërjen demografike, sidomos në provincat kufitare, Gaziantep dhe Hataj.

“Sirinë e lamë për t’i shpëtuar regjimit të Asadit. Dyqanet që sheh rrugës jemi gati t’i mbyllim në vend dhe të kthehemi pas nëse na krijohen mundësitë.”

Shumica e sirianëve në Turqi vijnë nga qyteti i Alepos, ku përplasjet mes forcave qeveritare dhe kundërshtarëve kanë qenë të mëdha.

Të larguarit tregojnë se regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Asad, është arsyeja pse ata kanë ikur.

“Nëse Bashari do të binte, do të isha unë e para që do të kthehesha. Por derisa qëndron në pushtet tirani që na vrau, me gra e fëmijë, dhe na solli këtu, as nuk e imagjinoj.”

“Po të kthehesha tani do të burgosesha dhe nuk do ma dëgjonte më njeri zërin, veçanërisht sepse kam ikur si dezertor nga ushtria.”

Edhe pse sirianët janë mirëpritur nga shoqëria turke, pandemia e fundit e ka ndërlikuar jetesën e tyre, në kuptimin ekonomik dhe të punësimit.

“Fëmijëve u them se Siria është një vend i bukur ku jetonim të lumtur në shtëpi, ku nuk na duhej të vuanim me punët që na duhet të bëjmë këtu.”

Konflikti civil në Siri nisi më 15 mars 2011 në vazhdën e Pranverës Arabe, por me kalimin e viteve ka përshkallëzuar edhe për sa i përket viktimave.

Lufta ka vënë trupat qeveritare të presidentit Bashar al-Asad dhe aleatët, përballë grupeve të ndryshme xhihadiste, ushtrisë kurde, ISIS-it, e ka përfshirë edhe shtete si Irani, Izraeli, Turqia dhe SHBA-ja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat