Bojko Borisov deklaron se nuk do të jetë kryeministri i ardhshëm i Bullgarisë

Evropë

Bojko Borisov deklaron se nuk do të jetë kryeministri i ardhshëm i Bullgarisë

Më: 14 prill 2021 Në ora: 15:00
Bojko Borisov

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov ka thënë se ai nuk do të qëndrojë në pushtet për të udhëhequr qeverinë e ardhshme.

Partia e qendrës së djathtë e Borissov, GERB fitoi më shumë vende në zgjedhjet e javës së kaluar, por nuk arriti dot shumicën.

Pas këtij rezultati kryeministri tha që ai nuk do ta “ndajë” kombin.

“Unë gjithmonë kam besuar se uniteti bën forcë”, tha Borissov në një deklaratë të mërkurën.

“Unë nuk do të jem kandidat për kryeministër, por do të propozoj një kryeministër tjetër me një orientim shumë të qartë evropian dhe NATO”, u shpreh ai më tej.

Borissov u shpreh më tej se GERB do të zhvillojë bisedime me partitë e tjera për të formuar një qeveri koalicioni dhe premtoi një kabinet të ri të “vazhdimësisë dhe rinovimit”.

Pesë grupet e tjera politike në parlamentin e ri kishin hedhur poshtë propozimin fillestar të Borissov për të formuar një aleancë.

Gjatë fjalimit të tij në qytetin Veliko Tarnovo, Borissov tha se qeveria aktuale bullgare kishte arritur sukses në fushat e të ardhurave dhe infrastrukturës.

Por, partia GERB humbi një numër vendesh mes zhgënjimit publik për korrupsionin politik në Bullgari.

Ekspertët kanë parashikuar që mund të duhen javë bisedimesh për të formuar një koalicion të vlefshëm në Bullgari, vendi anëtar më i varfër i BE dhe nuk kanë përjashtuar mundësinë e një zgjedhje tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat