Kryeministri slloven refuzon të komentojë dokumentin ‘non-paper’ për Ballkanin Perëndimor

Evropë

Kryeministri slloven refuzon të komentojë dokumentin ‘non-paper’ për Ballkanin Perëndimor

Më: 15 prill 2021 Në ora: 19:56
Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa.

“Kabineti i kryeministrit të Republikës së Sllovenisë, tash për tash, nuk do ta komentojë temën për të ashtuquajturin dokument non-paper për Ballkanin Perëndimor”.

Kjo është përgjigjja ndaj lutjes për një intervistë, të cilën Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kryeministrit slloven, Janez Jansha, lidhur me dokumentin e pretenduar se ai ia ka dërguar Këshillit Evropian.

Më pak se tre muaj para fillimit të presidencës gjashtëmujore sllovene të Bashkimit Evropian, në media u shfaqën pretendimet lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.

Me përjashtim të Kroacisë, e cila është anëtare e BE-së, pesë vendet e tjera, si qëllim parësor të tyre e kanë vënë anëtarësimin në këtë bashkësi.

Kërkesën për intervistë e kemi dërguar në kabinetin e Janshës, të enjten, më 15 prill, në ditën që portali slloven “Pa censurë” (“Necenzurisano”) e ka publikuar kopjen e pretenduar të dokumentit kontrovers.

Sipas përmbajtjes së publikuar, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.

Çfarë është non-paper?

Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja për ndonjë çështje të kontestuar procedurale ose politike.

Non-paper është formë e zakonshme komunikimi e një ose më shumë anëtareve të BE-së rreth një çështjeje të caktuar. Por, në formë, ky non-paper i pretenduar dallon nga dokumentet e tjera të ngjashme që qarkullojnë në Bruksel dhe ndërmjet vendeve anëtare të BE-së.

Në dokumentin, për të cilin “Pa censurë” thotë se e posedon, nuk theksohet emri i pranuesit ose dërguesit dhe as nuk theksohet data ose çfarëdo logotipi.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta vërtetojë autenticitetin e non-paper-it, të cilin e ka publikuar “Pa censurë”.

Çfarë krejt ka thënë Jansha?

Janez Jansha, disa herë, është paraqitur përmes Twitter-it lidhur këtë çështje, por ai asnjëherë nuk i ka konfirmuar ose mohuar pretendimet e non-paper-it.

Image

Të hënën në mbrëmje, ai theksoi se këto ishin veprime që synonin “të dëmtonin Slloveninë në BE”.

“Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe perspektiven e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë atë qëllim”, ka thënë Jansha në Twitter.

Lidhur me këtë çështje, rivalja politike e Janshës, liderja e Socialdemokratëve sllovenë, Tanja Fajon, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp të enjten, duke ftuar kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme që të deklarohen për çështjen e pozicionit të Sllovenisë ndaj vendeve të rajonit.

Image

“Politika e jashtme e përgjegjshme sllovene duhet të deklarohet dhe të mbështesë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën unë i bëj thirrje Janshës që sa më parë, Ballkanit Perëndimor t’ia bëjë të qartë qëndrimin, veçanërisht Bosnje e Hercegovinës. Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE-së, Sllovenisë dhe rajonit gjatë presidencës sonë”, theksoi Fajon.

Ajo tha se nuk ka pasur qasje në këtë dokument dhe se non-paper-i i fundit në rajon, të cilin ajo e ka parë, është ai që e ka prezantuar Kroacia, më 22 mars, ku kërkohet fokus më i madh i BE-së ndaj Bosnje e Hercegovinës. Atë non-paper, përveç Kroacisë, e kanë nënshkruar edhe Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Bullgaria.

Ministri i Jashtëm slloven, Anzhe Logar, të mërkurën, më 14 prill, mohoi pretendimet në lidhje me non-paper-in, i cili, sipas pretendimeve të pakonfirmuara të disa mediave në Slloveni dhe Bosnje e Hercegovinë, Jansha ia paraqiti Komisionit Evropian. Logar ka theksuar se bëhet fjalë për “manipulim dhe tentim të komprometimit të Qeverisë dhe presidentit” të Sllovenisë.

Sllovenia do ta marrë përsipër kryesimin e BE-së në pjesën e dytë të këtij viti dhe tashmë e ka bërë të ditur se rajoni do të jetë në mesin e prioriteteve gjatë kryesimit të saj. Në këtë kuptim po planifikohet që gjatë vjeshtës të mbahet samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Çfarë thonë në Bruksel?

Zyrtarët e Bashkimit Evropian po insistojnë që kurrfarë non-paper-i i kësaj natyre nuk ka ardhur në institucionet e tyre.

Të martën, më 13 prill, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian, u ka deklaruar gazetarëve se zyrtarët e Brukselit janë të njoftuar për shkrimet në media, por që “nuk dihet që një letër e tillë ekziston”.

“Përfundimisht, nuk kemi marrë dhe as nuk kemi parë, si dhe nuk jemi të njoftuar lidhur me atë letër. Prandaj, nuk do të komentojmë mbi temën e supozuar të përmbajtjes së këtij dokumenti”, ka deklaruar Stano.

Gjithashtu, të martën, pasi që mediat sllovene e kanë publikuar dokumentin e pretenduar, pala evropiane qëndron fuqishëm pranë qëndrimit se nuk e posedojnë këtë dokument, prandaj edhe refuzojnë që ta komentojnë përmbajtjen e kësaj letre.

Zëdhënësi i kryetarit të Këshillit Evropian, Barend Leyts, u ka thënë po ashtu gazetarëve se “nuk mund ta konfirmojë se kanë marrë një dokument të tillë”.

Çfarë vlerësimesh vijnë nga Ballkani Perëndimor?

Shefja e diplomacisë së Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, ka shkruar të martën në llogarinë e saj në Twitter, se është e bindur që askush që është serioz brenda Bashkimit Evropian, nuk mund ta miratojë idenë se ka të drejtë të rrezikojë integritetin e dikujt.

“Pra, edhe nëse brenda Bosnje e Hercegovinës kemi forca retrograde, të cilat tentojnë që këtë ta imponojnë si rrëfim legjitim...”, tha Turkoviq dhe shtoi se e gjithë kjo e ka një qëllim të dukshëm për të hapur “Kutinë e Pandorës” dhe ta destabilizojë gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, në asnjë nga takimet që presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kishte në periudhën e kaluar me homologun e tij slloven, Borut Pahor, nuk u diskuta ndonjë rishikim i mundshëm i kufijve në Ballkan, i është thënë Radios Evropa e Lirë nga kabineti i presidentit Pendarovski./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat