Turqia paralajmëron për tensionet në Detin e Zi: Konventa nuk frenon dot luftën!

Evropë

Turqia paralajmëron për tensionet në Detin e Zi: Konventa nuk frenon dot luftën!

Më: 22 prill 2021 Në ora: 14:05
Foto

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu u shpreh tejet i shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve në Detin e Zi, dhe i paralajmëroi palët të frenohen nga provokimet në mesin e përplasjeve mes Ukrainës dhe Rusisë për krizën e Donbasit.

“Përshkallëzimi i tensioneve në rajon na shqetëson të gjithëve, provokimet duhen shmangur. Duhet të punojnë shumë të gjithë për tu siguruar që në fund do të triumfojë diplomacia e dialogu”, tha Mevlut Cavusoglu.

Mesazhi i tij vjen në kohën kur Kievi e Moska kanë ashpërsuar qëndrimin ndaj njëri tjetrit, ndërsa fuqitë perëndimore, përfshirë SHBA rreshtojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën. Mbretëria e Bashkuar pritet të dërgojë në muajin maj një luftanije në Detin e Zi, ndërsa marina ruse ka shtuar praninë e saj në zonë e 100 mijë trupa ushtarake të Moskës mendohet të jetë grumbulluar në kufi.

Cavusoglu kujtoi se në Detin e Zi nuk ka pasur asnjë konfrontim ushtarak as gjatë luftës së dytë botërore, e kjo më së pari i detyrohet ekuilibrit që ka krijuar konventa e Montreux e vitit 1936. “Ne do të sigurohemi që zbatimi i saj të vazhdojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, por konventa e vetme nuk mjafton për të garantuar stabilitet“, paralajmëroi shefi i diplomacisë turke.

Kushtet e traktatit lejojnë që anijet luftarake të huaja të qëndrojnë në Detin e Zi deri në 21 ditë. Shtetet e Bashkuara e anuluan më herët dërgimin e dy luftanijeve të tyre në zonë. SHBA shpesh e njofton Turqinë për qasje të mundshme në Detin e Zi. Por, një kërkesë e tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht se anijet e saj do të kalojnë andej.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat