Serbi: Aktivistët LGBT bëjnë thirrje për bojkotim të një hoteli turk, ja arsyeja

Evropë

Serbi: Aktivistët LGBT bëjnë thirrje për bojkotim të një hoteli turk, ja arsyeja

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 20:33
Foto ilustrim

Pushimi në një hotel “all inclusive” (të gjitha shërbimet e përfshira në çmim) në qytetin bregdetar të Kemerit në Turqi, është në dispozicion për të gjithë qytetarët, përveç nëse aty kanë dëshirë të shkojnë dy burra që planifikojnë ta ndajnë një dhomë.

Në faqen e internetit të një agjencie turistike në Serbi, krahas përshkrimit të shërbimeve që ofron hoteli është edhe paralajmërimi:

"Hoteli nuk pranon rezervime për dy burra në një dhomë".

Kundër kësaj ndalese ka reaguar shoqata “Le të dihet”, që merret me promovimin e të drejtave të komunitetit LGBT (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët) në Serbi.

Aktivistët e kësaj shoqate, përmes rrjeteve sociale i kanë bërë thirrje agjencisë që të mos bashkëpunojë me këtë hotel.

“Kjo paraqet një formë të pastër të diskriminimit”, thotë në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL), Stefan Shparavalo nga lëvizja "Le të dihet".

Më 14 qershor, kjo shoqatë, sipas tij, e ka informuar komunitetin për këtë rast dhe i ka tërhequr vëmendjen që kur të planifikojnë pushimet verore, të shmangin këtë hotel në mënyrë që pastaj të mos bien pre e situatave jo të mira duke iu ndaluar akomodimi.

“Vendosëm të bëjmë thirrjen në mënyrë që njerëzit nga komuniteti jonë të mos shkojnë në atë hotel në rast se kanë bërë një rezervim. Gjithashtu, nëse dikush vëren edhe për ndonjë rast të ngjashëm të na njoftojë në mënyrë që të bëjmë zhurmë për atë rast, pra një lloj kundër-marketingu”, tha Shparavalo.

Ai thotë se nuk kanë informacione nëse nga fillimi i sezonës turistike, dikush ka shkuar në atë hotel, por i është refuzuar akomodimi.

"Ne u informuam përmes rrjeteve sociale nga disa njerëz në lidhje me atë ndalesë. Ishim të habitur pasi ajo ishte krejtësisht banale", tha Shparavalo, duke shtuar se më herët nuk kanë hasur në një ndalesë të tillë.

"Jemi të vetëdijshëm se ka dhjetëra vende që e kanë kriminalizuar homoseksualizmin, dhe që nuk i shikojnë me sy të mirë komunitetit LGBT+", thotë ai.

Sipas aktivistit të të drejtave të komunitetit LGBT+, ky është një shembull i vogël që tregon për pabarazinë e pjesëtarëve të këtij komuniteti me njerëzit që kanë orientim heteroseksual.

"Është shumë zhgënjyese të shohësh gjëra të tilla", thotë Shparavalo.

Radio Evropa e Lirë ka shikuar ofertën e agjencisë së udhëtimeve Astra Tours në Serbi, dhe e konfirmoi se në ofertën e hotelit, shkruhej se aty nuk mund të qëndrojnë dy burra në një dhomë.

Në ofertën për hotelet tjera të kësaj agjencie nuk vërehet një ndalesë e tillë.

REL-i i ka dërguar pyetje edhe personelit të këtij hoteli nëse i kanë udhëzuar agjencitë në Serbi që ta vendosin një paralajmërim të tillë dhe se cilat janë qëndrimet e personelit të hotelit për komunitetin LGBT+.

Deri në publikimin e këtij raporti, personeli i hotelit nuk ka kthyer përgjigje.

Në uebfaqen e këtij hoteli, emrin e të cilit Radio Evropa e Lirë do ta publikojë pasi të ketë marrë një përgjigje, nuk vërehet ndonjë kufizim për turistët.

Një ndalesë e tillë nuk përmendet as në hotelet tjera që janë pjesë e një rrjeti hotelesh me të njëjtin pronar.

Agjencia e udhëtimeve Astra Tours në Novi Sad, nuk iu përgjigj pyetjeve për arsyen e vendosjes së kësaj ndalese në ofertën e pushimeve për një hotel specifik.

Gjatë vitit të kaluar, për shkak të pandemisë së COVID-19, shumë njerëz, përfshirë ata të komunitetit LGBT, u detyruan që për shkak të kufizimeve të kalojnë pushimet brenda Serbisë.

Megjithatë ndalesa të tilla sikurse ajo e hotelit në Turqi nuk u raportuan në shoqatën "Le të Dihet".

“Në Serbi nuk kemi pasur raste që dikush të ketë raportuar për kufizime të tilla”, thotë Shparavalo.

Por, ka pasur raste të disa shqetësimeve që janë raportuar për akomodimet në Serbi.

"Kemi dëgjuar për raste kur personeli i ndonjë agjencie ose ata që kanë ofruar akomodim në ndonjë lloj forme janë befasuar apo edhe nuk kanë reaguar mirë, kur e kanë kuptuar se dy persona të së njëjtës gjini po kërkojnë një krevat të përbashkët", thotë Shparavalo.

Ligji në Serbi ndalon çdo lloj diskriminimi bazuar në gjini dhe orientim seksual.

Ndërsa në Ligjin për Turizmin, fjala diskriminim përmendet vetëm në një nen që i referohet ndalimit të diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara.

“Ngjyrat e ylberit”, të padëshiruara në Turqi

Turqia është një nga ato vendet e pakta myslimane në të cilat homoseksualiteti nuk dënohet më ligj.

Megjithatë, në këtë vend me rreth 82 milionë banorë, homofobia është mjaft e përhapur dhe shoqatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBT, rregullisht raportojnë për raste të diskriminimit dhe sulmeve.

“Homofobia” është një term që i referohet frikës dhe paragjykimit irracional kundër personave homoseksualë.

Në shkurt të këtij viti, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi ashpër komunitetin LGBT.

Ai e akuzoi komunitetin për vandalizëm.

“LGBT, nuk ekziston një gjë e tillë. Ky shtet është i moralshëm dhe do të vazhdojë drejt së ardhmes me këto vlera”, pati thënë Erdogan.

Deklarata e Erdoganit janë bërë dy ditë pas arrestimit të katër studentëve të akuzuar se në një fakultet kanë varur fotografinë e një vendi të shenjtë të Islamit, e cila është dekoruar edhe me flamurin me ngjyra të ylberit, i cili është simbol i LGBT-së.

Studentët u akuzuan për “nxitje të urrejtjes".

Në muajin mars 2021, Turqia u tërhoq nga Konventa e Stambollit, një traktat evropian që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.

Dhjetë vjet më parë, Turqia ishte ndër vendet e para që nënshkroi dokumentin dhe u emërua pikërisht në bazë të qytetit më të madh turk, Stambollit.

Disa zyrtarë të partisë konservatore të presidentit Erdogan thanë se Konventa duhet të rishikohet pasi ajo, sipas tyre, inkurajon divorcin dhe promovon një kulturë jetese të LGBT-së, për të cilën ata thonë se është në kundërshtim me vlerat konservatore të vendit.

Në vitin 2019 autoritetet turke ndaluan mbajtjen e Paradës së Krenarisë në Stamboll.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qytetarët që u mblodhën.

Njëjtë kishte ndodhur edhe më 2017 dhe 2018.

Autoritetet e arsyetuan masën e ndalimit duke thënë se është vendosur për arsye sigurie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat