Çështja e Iranit dhe energjia mund të sjellin riafrimin e Turqisë me Izraelin

Evropë

Çështja e Iranit dhe energjia mund të sjellin riafrimin e Turqisë me Izraelin

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 23:16
Recep Tayyip Erdogan

Pas vitesh përkeqësimi të marrëdhënieve, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka ftuar për një vizitë homologun e tij izraelit. Ftesa sinjalizon për një afrim që vëzhguesit thonë se nxitet nga interesa të ndërsjellta, si shqetësimet për programin bërthamor të Iranit dhe e ardhmja e importeve të naftës dhe gazit nga Rusia dhe Irani. Njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones.

Një ftohje në marrëdhëniet Izrael-Turqi është ndjerë më thellë në radhët e komunitetit të vogël të hebrenjve në Turqi.

Mijëra janë larguar drejt Izraelit dhe Evropës për shkak të sulmeve të vazhdueshme në gazetat pro-qeveritare që i akuzojnë hebrenjtë për konspiracion.

Por, ftesa e Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për homologun e tij Isaac Herzog që të vizitojë Turqinë, mendohet se bëhet në kuadrin e përpjekjeve për të thyer izolimin rajonal të vendit dhe si një lëvizje që mund të sjellë një fillim të ri.

“U kuptua se Turqia nuk mund të vazhdojë të jetë e vetme, se nuk mund të ketë marrëdhënie të këqija me pothuajse të gjitha vendet përreth. Dhe nuk ka dyshim se pala turke dëshiron shumë t’i përmirësojë marrëdhëniet. Ajo që më befasoi është se izraelitët janë të gatshëm të hyjnë në fushë pa asnjë parakusht”, thotë Soli Ozel, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Kadir Has”.

Në vitin 2018, Turqia tërhoqi ambasadorin e saj dhe i kërkoi përfaqësuesit të Izraelit të largohet, në shenjë proteste ndaj njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit nga Shtetet e Bashkuara.

Mbështetja e fortë e Turqisë për palestinezët, në veçanti lejimi i aktivitetit të militantëve të Hamasit në Stamboll, ka qenë një pikë kryesore tensionesh.

Por, analistët thonë se Ankaraja po ndërmerr hapa për të trajtuar shqetësimet e izraelitëve.

“Ka patur muaj negociatash, mbi një vit do të thoja. Dhe Turqia ka kufizuar tashmë aktivitetin e krahut militant të Hamasit”, thotë Asli Aydintasbas, studiuese në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Turqia ka të njëjtat shqetësime si Izraeli, se programi bërthamor i Iranit mund të përdoret për qëllime ushtarake dhe vëzhguesit thonë se kjo mund të ofrojë hapësira të mëtejshme për qëndrime të përbashkëta.

“Sigurisht që edhe Turqia nuk dëshiron një Iran me aftësi bërthamore. Por, Irani nuk kërcënon se do ta fshijë nga harta Turqinë, siç ka bërë me Izraelin. Pra është një tjetër lloj rreziku. Por, nëse Izraeli do të përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë, atëherë do të ketë më shumë hapësirë për t’u përqëndruar tek rreziku më i madh. Për këtë mendoj se do të ndihmojë përmirësimi i marrëdhënieve me Turqinë”, thotë Gallia Lindenstrauss, Instituti për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Zoti Erdogan i shikon fushat e mëdha të gazit natyror në Izrael si një tjetër mundësi bashkëpunimi, për shkak të nevojave të Turqisë.

“Turqisë realisht i nevojitet gaz. Dhe mendoj se fushat e gazit izraelit që janë caktuar se do të shfrytëzohen për eksport, mund të shërbejnë si përgjigja për këtë. Kjo do të përmirësonte ndjeshëm marrëdhëniet dhe mund ta thyente izolimin e Turqisë në Lindjen e Mesme”, thotë Mehmet Ogutcu, analist në Klubin Energjitik të Londrës, një organizatë që mbledh drejtues të qeverisë dhe sektorit të energjisë.

Megjithë vitet e rritjes së tensioneve, tregtia dypalëshe mes Turqisë dhe Izraelit ka vazhduar të zgjerohet dhe vëzhguesit e shikojnë përqasjen pragmatike si mënyrën më të mirë për t’u rikthyer tek një marrëdhënie më normale./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat