Çka po ndodh në Ukrainë? Sekretari amerikan nga Mynihu zbulon skenarin e Rusisë

Evropë

Çka po ndodh në Ukrainë? Sekretari amerikan nga Mynihu zbulon skenarin e Rusisë

Nga: A.ZH Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 17:09
Pamje nga Ukraina

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka thënë se bombardimet në Ukrainën lindore gjatë 48 orëve të fundit, janë pjesë e përpjekjeve ruse për të krijuar "provokime të rreme" për të justifikuar "agresionin e mëtejshëm".

"Ajo që ka ndodhur në 24-48 orët e fundit është pjesë e një skenari të krijimit të provokimeve të rreme, për t'iu përgjigjur më pas atyre provokimeve dhe më pas kryerja e një agresioni të ri kundër Ukrainës", tha Blinken në Konferencën e Sigurisë në Mynih, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ushtria e Ukrainës dhe rebelët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit dhe shënjestrimin e civilëve.

Image
Antony Blinken

Duke folur më herët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se ngjarjet në Donbas ishin "shumë shqetësuese", duke paralajmëruar se situata atje dukej potencialisht shumë e rrezikshme.

Rusia ka grumbulluar rreth 190,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës - grumbullimi më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, thonë zyrtarët amerikanë.

Por, Moska mohon planifikimin e një pushtimi të Ukrainës dhe akuzon Perëndimin për nxitje të "histerisë".

Rusia thotë se disa nga trupat e saj kanë filluar të kthehen në bazat e tyre pas stërvitjeve të planifikuara - por Ukraina dhe aleatët e saj thonë se nuk shohin asnjë provë për këtë.

Moska njoftoi gjithashtu stërvitje me raketa balistike dhe të lundrimit të shtunën.

Në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, rebelët e mbështetur nga Rusia njoftojnë evakuim masiv, mes një rritjeje të raportuar të bombardimeve atje.

Nderkohë presidenti rus Vladimir Putin thotë se situata në Donbas po përkeqësohet.

Ukraina dhe aleatët e saj thonë se Moska ndoshta po kërkon një pretekst për të pushtuar Ukrainën.

Në Mynih, Gjermani, liderët botërorë po takohen për një konferencë sigurie - por Rusia nuk po merr pjesë për herë të parë që nga viti 1999./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat