LIVE: Kievi në luftë/Rusia nuk ndalet, barrikada dhe shpërthime kudo

Evropë

LIVE: Kievi në luftë/Rusia nuk ndalet, barrikada dhe shpërthime kudo

Nga: Bota sot Më: 5 mars 2022 Në ora: 06:48
Ukrainë

(E plotësuar 16:46) - Pse është Mariupol i rëndësishëm?

Granatimet e vazhdueshme të Mariupolit nga Rusia nënkuptonin që një evakuim i planifikuar duke ofruar shpresën e arratisjes për mijëra banorë duhej anuluar.

Qyteti është nën zjarr të fortë prej ditësh, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Por pse është kaq i rëndësishëm strategjik?

Mariupol është një nga portet më të mëdha të Ukrainës në Detin e Zi dhe një qytet kyç në rrugën midis Krimesë dhe Rusisë.

Nëse Rusia merr Mariupolin, mund të marrë kontrollin e një rruge që lidh rajonet në Luhansk dhe Donetsk, të cilat kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia, dhe Krimenë të cilën Rusia e aneksoi në 2014.

Kherson në duart e rusëve, kryetari thotë se s’kanë armë për rezistencë

Kryetari i bashkisë së Khersonit, Ihor Kolykhaiev ka thënë për CNN se nuk kanë më armë për t’u rezistuar forcave ruse që e kanë rrethuar qytetin.

“Populli i Khersonit është i paarmatosur. Ne nuk kemi më armë për të rezistuar, për të bërë një rezistencë të armatosur,” tha ai për CNN.

Më tutje ai tha se nuk kanë ushtri në qytet pasi janë mundur.

“Ne nuk kemi ushtri në qytet. Ushtria është mundur. Ushtria ukrainase duhej të tërhiqej, kështu që nuk kishte armë. Ata janë tërhequr drejt Nikolaevit,” vazhdoi ai.

Kolykhaiev tha se trupat ruse do të mbeten nën kontrollin e Khersonit nëse dhe “derisa ushtria ukrainase të mund të përparojë në Kherson”, duke shtuar për forcat ruse se “ata janë mjaft të vendosura këtu”.

“Trupat ruse janë kudo,” shtoi ai.

Ukrainasit protestojnë në qytetin e kontrolluar nga forcat ruse

Qindra persona, që kanë mbajtur flamuj ukrainas, janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit Herson, për të kundërshtuar pushtimin rus.

Forcat ruse e kanë marrë nën kontroll këtë qytet që gjendet në jug të Ukrainës.

351 civilë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus

Të paktën 351 civilë janë vrarë dhe 707 janë plagosur që kur ushtria ruse pushtoi Ukrainën dhjetë ditë më parë, tha për Reuters Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHCHR), raporton Blick.ch transmeton "Bota sot".

Megjithatë, shifrat aktuale ka të ngjarë të jenë "dukshëm më të larta".  Shumica e viktimave besohet se janë shkaktuar nga armë shpërthyese me rreze të gjatë. "UNHCHR beson se shifrat aktuale janë dukshëm më të larta, veçanërisht ditët e fundit, pasi informacionet nga disa vende ku po zhvilloheshin luftime të ashpra janë vonuar dhe shumë raporte ende nuk janë konfirmuar.

"Vetëm në qytetin Wolnowacha, i cili u përpoq të organizonte një evakuim të sigurt për 15,000 njerëz, thuhet se ka pasur qindra viktima civile. Megjithatë, ky informacion nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Ukraina tregon se sa civilë arritën t’i evakuonin gjatë armëpushimit

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se vetëm 400njerëzs nga Volnovakha kanë arritur që të evakuohen gjatë armëpushimit  sotëm, raporton BBC.

Autoritetet kishin synuar të evakuonin më shumë se 15,000 civilë nga rajoni gjatë armëpushimit të pjesshëm.

Por guvernatori rajonal Pavlo Kyrylenko tha:

“Megjithëse kishim qëllimin dhe transportin e nevojshëm për të evakuuar shumë më tepër njerëz, na u desh të ndalonim lëvizjen e kolonës, sepse rusët edhe një herë filluan të bombardojnë Volnovakha pa mëshirë dhe ishte shumë e rrezikshme për të lëvizur. atje.”

Kompania ruse anulon të gjitha fluturimet ndërkombëtare, përveç për në këtë shtet

Kompania ajrore e Rusisë, Aeroflot, nga 8 marsi do të anulojë pothuajse të gjitha fluturimet ndërkombëtare, për shkak të siç tha, “rrethanave shtesë” që po pengojnë operacionet e saj.

Kjo kompani tha se fluturimet brenda Rusisë dhe Bjellorusi nuk do të preken nga ky vendim.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë ndaluar të gjitha linjat ajrore ruse në hapësirat e tyre ajrore.

Rusia po ashtu është kundërpërgjigjur duke vendosur kufizime në hapësirën e saj ajrore.

Sanksionet ndërkombëtare po ashtu janë vendosur edhe ndaj industrisë së kompanive ajrore të Rusisë, duke ia bërë të vështirë Aeroflot dhe kompanive të tjera ruse që të operojnë normalisht.

Lajmet e fundit nga Kievi: Qyteti në gjendje lufte, barrikada dhe shpërthime kudo

Ekipi i ABC është futur në qytetin e Kievit. Gazetari Taulant Koplikaj bashkë me operatorin Ardian Kamberi raportojnë nga Kievi duke theksuar se situata është e vështirë dhe gjithçka të kujton luftën.

“Kemi udhëtuar 20 orë nga Lvivi deri këtu. Na është dashur që të lëvizim nëpër rrugë fshatrash. Ka barrikada kudo nëpër qytet dhe kontrolle të befasishme nga forcat mbrojtëse. Dyqanet dhe shërbimet e tjera janë të mbyllura. Unë kam parë radhë të gjata kilometrike makinash që kërkojnë të largohen nga kryeqyteti“, tha ai nga Kievi.

Gazetari raporton se funksionojnë vetëm spitalet, posta si edhe bankomatet, ndërkohë që shërbimet e tjera janë mbyllur.

“Brenda Kievit nuk ka karburante. Ne kemi hasur vështirësi për t’u furnizuar me karburant në Kiev. Madje edhe atje ku kemi mundur të marrim karburant, ka qenë i rracionuar. Nuk merrje dot më shumë se 20-30 litra për makinë“, raporton ai.

Kopliku raporton se gjatë gjithë rrugës ka hasur me qytetarë dhe ushtarakë të, të cilët përshëndesnin me shprehjen “Lavdi Ukrainës!”.

Ai tregon edhe se si qytetarët janë të frikësuar nga bombardimet ruse duke theksuar se deri më tani në kryeqytet nuk ka patur gjuajtje me avion, por vetëm me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Putin thotë se nuk e ka në plan të shpallë gjendje lufte

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se nuk e ka në plan që të shpallë gjendje lufte në Rusi.

Gjatë një takimi me punëtorët e kompanisë ajrore ruse, Aeroflot, presidenti rus tha se një vendim i tillë do të ndërmerrej vetëm në “rast të agresionit të jashtëm, në zona të përcaktuara të aktivitetit ushtarak”.

“Por, ne nuk kemi një situatë të tillë dhe shpresoj që të mos kemi një të tillë”, tha ai.

Ka pasur zëra se Putini po planifikonte që të vinte në fuqi ligjin ushtarak – që nënkupton që ligji normal civil pezullohet ose ushtria merr kontrollin e funksioneve të Qeverisë.

Putin tha se masa të tjera të jashtëzakonshme që mund të përdoren në rast të një “kërcënimi të jashtëm të shkallës së gjerë”, por ai tha se nuk e ka në plan që të ndërmarrë as këto masa.

***

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e dhjetë. Më poshtë, mund të lexoni disa prej zhvillimeve kryesore të ditës së sotme:

Në orët e para të së shtunës u raportua se helikopterët rusë kanë sulmuar qytetin e Mariupolit, i cili është nën rrethim që nga e enjtja.

Autoritet enë Ukrainë njoftuan se mbi 66 mijë e 200 burra ukrainas janë kthyer për të luftuar në Ukrainë.

Rusia dhe Ukraina u pajtuan për një armëpushim të përkohshëm, në mënyrë që qytetarët të evakuohen nga dy qytete ukrainase.

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, tha të shtunën më 5 mars se deri në 9 mijë qytetarë ukrainas mund të largohen nëse armëpushimi qëndron.

Zyrtarë të Ukrainës i bën thirrje Rusisë që të mos e keqpërdor armëpushimin.

Evakuimi i qytetarëve nga Mariupoli fillojë në orët e paradites, mirëpo u shty për shkak se siç njoftuan zyrtarët ukrainas, forcat ruse kanë vazhduar granatimet në këtë rajon.

Sipas të dhënave nga shteti polak, afër 800 mijë refugjatë ukrainas të ikur nga lufta që ka filluar më 24 shkurt, kanë arritur në Poloni.

Ja çka i bëri marina ukrainase anijes më të mirë luftarake që të mos bjerë në duart e rusëve

Marina ukrainase thotë se ka shkatërruar një prej anijeve kryesore luftarake, në mënyrë që ajo të mos binte në duart e pushtuesve rusë.

Komandanti i fregatës “Hetman Sahaidachny”, e vetmja anije e këtij lloji në flotën e Ukrainës, tha se kishte urdhëruar mbytjen e saj, ndërkohë që rusët po fitojnë gjithnjë e më shumë kontroll në qytetet bregdetare jugore të Ukrainës.

Pasi morën Khersonin, rusët po avancojnë në qytetin tjetër port, Mykolaiv, ndërsa objektivi kryesor i tyre është Odessa. Anija ndodhej pikërisht në Mykolaiv gjatë luftimeve të ditëve të fundit, ku ishte dërguar për riparime.

Por avancimi i trupave ruse bëri që të merrej vendimi drastik.

Image
“Hetman Sahaidachny” ishte anija më e rëndësishme e marinës së Ukrainës

“Hetman Sahaidachny” ishte anija më e rëndësishme e marinës së Ukrainës dhe kishte marrë pjesë në disa misione bashkë me NATO-n dhe flotat e vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian.

Këshilltarja ukrainase: Një grua e rrëzoi dronin rus me një kavanoz trangujsh

Këshilltarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Liubov Tsybulska, ka thënë se një grua në Kiev e ka rrëzuar një dron rus, duke e gjujtur me një kavanoz trangujsh.

Pas këtij rasti, ajo ka pyetur se si pret Rusia që ta okupojë Ukrainën.

“Në Kiev, një grua e ka rrëzuar një dron rus prej ballkonit me një kavanoz trangujsh.

Si presin ata ta okuptojnë këtë shtet?”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

Rusët pushtojnë qytetin Kherson, ukrainasit ngrihen në protestë

Qindra persona janë mbledhur në qendër të Khersonit duke protestuar kundër pushtimit rus, disa ditë pasi forcat ushtarake morën në kontroll qytetin, The Independent

Pamjet e postuara në mediat sociale tregojnë qindra persona duke valëvitur flamurin ukrainas.

Protestat erdhën pas shkeljes së armëpushimit nga forcat ruse për evakuimin e civilëve në dy qytete të vendit Mariupol dhe Volnovakha.

Në njërën nga videot, protestuesit janë përplasur me forcat ruse, madje një nga ushtrarakët rusë ka qëlluar në ajër për të shpërndarë turmën.

 

Ukraina tha se ka pezulluar evakuimin e civilëve, duke akuzuar trupat ruse për shkeljen e armëpushimit.

Sipas zyrtarëve, rusët kanë vazhduar bombardimet pavarësisht armëpushimit të përkohshëm.

 Pezullohet evakuimi në Mariupol, ushtria ruse akuzohet për të shtëna

Zyrtarët ukrainas i pezulluan planet e evakuimit të civilëve në qytetin jugor të Mariupolit, pas raporteve për të shtëna nga ushtria ruse.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka urdhëruar armëpushim në Mariupol dhe në qytetin e vogël pranë, Volnovaka, për të mundësuar evakuimin e civilëve.

Zyrtarët e Mariupolit njoftuan përmes rrjeteve sociale se “për shkak të faktit se pala ruse nuk i përmbahet armëpushimit dhe vazhdon të bombardojë Mariupolin dhe rrethinat e tij, evakuimi i popullsisë civile është shtyrë”.

Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Oleksiy Arestovych, foli për këtë çështje edhe gjatë një adresimi televiziv.

Tash për tash, është e pamundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur nëse luftimet janë ndalur ose jo në ndonjë moment gjatë ditës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ofensiva e saj 10-ditore në pjesë të tjera të Ukrainës po vazhdon.

Ukraina do të importojë gaz nga Polonia

Pas situatës së krijuar nga pushtimi rus bëhet me dije se Ukraina do të jetë në gjendje të importojë gaz nga Polonia nga 6 marsi, duke përfshirë gazin nga terminalet polake të LNG.

Lajmi është konfirmuar për mediat e huaja nga operatori shtetëror ukrainas i sistemit të tranzitit të gazit.

Sipas mediave mësohet se të dy operatorët kanë rënë dakord për futjen e kapacitetit të garantuar për importet e gazit dhe “kjo lejon importin fizik të gazit nga Polonia, duke përfshirë nga terminali LNG, në bazë të garantuar”, ka thënë kompania ukrainase.

Ukraina , një nga konsumatorët më të mëdhenj të gazit në Evropë, nuk ka importuar gaz nga Rusia që nga viti 2015 dhe e blen atë në Evropë.

Shtetasit britanikë këshillohen të largohen nga Rusia

Mbretëria e Bashkuar u ka bërë thirrje shtetasve të vet që të largohen nga Rusia.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme britanike, qytetarëve britanikë po ashtu nuk u preferohet qe të udhëtojnë për në Rusi.

Çdo shtetas britanik që ka nevojë për ndihmë konsullore duhet të telefonojë Ambasadën Britanike në Moskë.

Zara mbyll 500 dyqane në Rusi ruse

Që nga 6 marsi, Zara do të mbyllë të gjitha 502 dyqanet e saj të veshjeve në Rusi, thotë pronari i saj Inditex.

Biznesi global i modës do të mbyllë të gjitha dyqanet e tetë markave të tij: Zara, Pull & Bear, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius, Oysho, Zara Home dhe Uterqüe.

Inditex tha për BBC se është duke hartuar një plan për të mbështetur 9,000 punonjësit e saj me bazë në Rusi.

Kremlini: Perëndimi sillet "si banditë"

Kremlini deklaroi të shtunën se Perëndimi "po sillet si banditë".  Por se "Rusia është shumë e madhe për t'u izoluar, bota është shumë më e madhe se vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Evropa", u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

"Ka shumë më tepër vende në botë." Perëndimi po bën "përplasje ekonomike" kundër Rusisë dhe Moska do të përgjigjet.

Ai nuk specifikoi se cila do të ishte ajo përgjigje, por tha se kjo do të ishte në përputhje me interesat ruse.

Erdogan pritet të flasë nesër me Putin

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të flasë me Vladimir Putin të dielën për të diskutuar luftën në Ukrainë, sipas një deklaratë të zëdhënësit Ibrahim Kalin.

Kalin tha se Turqia ishte gati të ndihmonte në zgjidhjen e krizës.

Ai u tha gazetarëve se Turqia do të ishte e gatshme të ndërmjetësonte  bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë dhe bëri thirrje për ti dhënë fund luftimeve.

Ai gjithashtu përmendi faktin se Turqia nuk mund të prishë marrëdhëniet as më Moskën dhe as me Kievin.

 Ukraina thotë se NATO po mashtrohet nga Rusia

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka akuzuar të shtunën aleancën e NATO-s për përkulje ndaj presionit rus.

Këto akuza ai i bëri duke komentuar refuzimin e anëtarëve e NATO-s që të zbatojnë një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.

“NATO nuk është forca që ukrainasit kishin imagjinuar më parë”, shtoi Kuleba.

Duke folur në televizionin ukrainas, Kuleba tha gjithashtu se ishte i hapur për bisedime me homologun e tij rus Sergei Lavrov, por vetëm nëse këto negociata do të ishin “domethënëse”.

Evakuimi i pamundur mes bombardimeve të vazhdueshme

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, tha se ata kanë vendosur të tërheqin qytetarët dhe të ndalojnë evakuimin, pasi aktualisht nuk ka siguri.

Orlov i tha BBC-së se ka granatime të vazhdueshme në Mariupol.

“Nuk është e sigurt të kalohet nëpër atë rrugë për shkak të këtyre granatimeve”, tha ai.

Ai shtoi se qeveria ukrainase është duke biseduar me zyrtarët rusë për shkeljen e armëpushimit.

Shtyhet evakuimi në Mariupol

Evakuimi i civilëve nga Mariupol është shtyrë, thonë zyrtarë të këshillit të qytetit.

Sipas njoftimit, pala ruse nuk e ka respektuar armëpushimin e përkohshëm në fuqi.

Ky këshill u ka bërë thirrje banorëve që të shpërndahen dhe të gjejnë vende strehimi.

Pak minuta më parë nënkryetari i bashkisë së qytetit i tha BBC-së se Mariupol ende po bombardohej.

Pavarësisht armëpushimit vazhdojnë sulmet në Mariupol

Qyteti i Mariupolit është ende duke u përballur me granatime ruse, pavarësisht armëpushimit të arritur për evakuimin e qytetarëve.

“Rusët po vazhdojnë të na bombardojnë. Është një çmenduri”, tha nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov për BBC.

“Nuk ka armëpushim në Mariupol dhe nuk ka armëpushim gjatë gjithë rrugës. Civilët tanë janë gati të shpëtojnë, por ata nuk mund të shpëtohet nën granatime”, shtoi ai.

Zelensky falënderon Edi Ramën për mbështetjen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për mbështetjen dhe solidarizimin me popullin ukrainas.

Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Twitter, Zelensky ka treguar se ka biseduar me telefon me kryeministrin shqiptar.

“Folëm për luftën kundër pushtuesve rusë. Diskutuam për bashkëpunimin në kuadër të OKB-së. Në vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Po bëjmë gjitha për t’i dhënë fund luftës", ka shkruar ai.

Afër 800 mijë refugjatë ukrainas kanë arritur në Poloni

Rreth 787,300 njerëz që kanë ikur nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Poloninë fqinje deri më tani, thanë të shtunën autoritetet polake.

Vetëm të premten nga Ukraina në Poloni kanë hyrë 106,400 njerëz.

Kjo është shifra më e lartë brenda një dite që nga data 24 shkurt, kur Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës, tha zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Pavel Szefernaker.

Qeveria e Polonisë ka ngritur 30 pika pritjeje kufitare, tha Szefernaker, ndërsa zyrtarët lokalë kanë ngritur më shumë qendra në qytete dhe bashki anembanë vendit.

Pas mbërritjes në Poloni, disa prej qytetarëve të Ukrainës, udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve tjera të perëndimit.

Kombet e Bashkuara thanë në fillim të kësaj jave se të paktën 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina.

Përveç Polonisë, ata po kalojnë në Sllovaki, Hungari, Rumani, Moldavi dhe Rusi.

Raportohet se rusët po e shkelin armëpushimin

Sipas Këshillit Bashkiak të Mariupolit, trupat ruse nuk po respektojnë plotësisht armëpushimin e rënë dakord për tërheqjen e civilëve nga qyteti i rrethuar, shkruan SRF transmeton "Bota sot".

Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Ansa.

Sipas autoriteteve lokale, po zhvillohen bisedime me palën ruse për të siguruar që armët të mbyllen gjatë gjithë rrugës së evakuimit.

Mijëra protestues në Cyrih kundër luftës në Ukrainë

Mijëra njerëz u mblodhën në Cyrih të shtunën në mëngjes për një demonstratë paqeje të miratuar, shkruar SRF transmeton "Bota sot".

Ata kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm, negociata diplomatike dhe tërheqjen e trupave ruse.

Pjesëmarrësit u takuan në Platzspitz pranë stacionit kryesor të trenit.

Nga atje ata do të marshojnë nëpër qendrën e qytetit deri në Sechseläutenplatz, ku më pas është planifikuar një tubim me fjalime.

Sindikatat, PS dhe të Gjelbërit, ndër të tjera, kishin bërë thirrje për tubim. Organizatorët presin deri në 20,000 pjesëmarrës.

Sipas thirrjes për demonstrata, nuk ka asnjë justifikim për sulmin ndaj Ukrainës, i cili shkel parimet e Kartës së OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe njerëzimin. Mitingje të tjera janë planifikuar për pasdite në Bernë dhe Gjenevë, ndër të tjera.

Image
Mijëra njerëz demonstruan në Cyrih të shtunën në mëngjes kundër pushtimit rus.

Qeveria Britanike: Më pak sulme ajrore dhe artilerie ruse

Sipas qeverisë britanike, granatimet e objektivave ukrainas nga trupat ajrore dhe tokësore ruse janë ulur, transmeton SRF përcjell "Bota sot".

“Në përgjithësi, numri i sulmeve ajrore dhe artilerisë ruse që mund të vëzhgoheshin në 24 orët e fundit ishte më i ulët se në ditët e mëparshme”, shkruan Ministria Britanike e Mbrojtjes në raportin e saj të situatës ditore, duke cituar gjetjet nga inteligjenca ushtarake.

Ukraina ende mban qytetet e rëndësishme të Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol. Ka raportime për luftime në rrugë në Sumy, në veri-lindje të Ukrainës.

“Ka shumë mundësi që të katër qytetet të jenë të rrethuara nga forcat ruse”, thuhet në raport. Sipas informacioneve britanike, trupat ruse po përparonin edhe në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv. Megjithatë, është e mundur që ky qytet të anashkalohet për t'u përqëndruar në përparimin drejt metropolit të Odessa.

Rreth 9 mijë njerëz mund të largohen nëse armëpushimi qëndron

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, tha të shtunën më 5 mars se deri në 9 mijë qytetarë ukrainas mund të largohen nëse armëpushimi qëndron.

“Negociatat e armëpushimit vazhduan gjatë natës”, tha Orlov për BBC.

“Ne filluam menjëherë procedurën tonë për të provuar të evakuojmë njerëzit. Kemi rregulluar 50 autobusë dhe mendojmë se 5-6000 njerëz mund të dalin me autobus për në Zaporizhja. Besojmë se njerëzit mund të largohen edhe me makinë private”, tha ai.

“Ne mendojmë se gjithsej 7mijë deri në 9 mijë njerëz mund të ikin me autobus dhe me makinë private, nëse armëpushimi qëndron. Nuk ka trena që qarkullojnë sepse infrastruktura hekurudhore është shkatërruar nga trupat ruse”, shtoi ai.

Orlov tha se nuk kanë garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe nesër.

Pritet të fillojë evakuimi në Mariupol

Evakuimi i civilëve nga qyteti i Mariupolit duhet të fillojë tani, sipas afatit kohor të dhënë nga këshilli i qytetit.

Autobusët janë organizuar për të lëvizur njerëzit.

Banorëve u është thënë gjithashtu se ata mund të përdorin transportin e tyre për të udhëtuar në mënyrë të sigurt përgjatë një rruge të veçantë në veri-perëndim për në qytetin Zaporizhja.

Mariupol është bllokuar prej disa ditësh nga forcat ruse. Armëpushimi është në fuqi edhe për qytetin e vogël, Volnovakha.

BE përjashton Rusinë dhe Bjellorusinë nga CBSS

Bashkimi Evropian ka përjashtuar Rusinë dhe Bjellorusinë nga Këshilli i Shteteve të Detit Baltik.

Kjo është pjesë e përgjigjes së BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe përfshirjes së Bjellorusisë në agresionin e pajustifikuar, tha BE.

Pezullimi duhet të mbetet në fuqi derisa bashkëpunimi mund të rifillojë bazuar në respektimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Këshilli i Detit Baltik përfshin BE-në, vendet në kufi me Detin Baltik si dhe Norvegjinë dhe Islandën. Organizata ndërkombëtare synon të përmirësojë bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

***

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të 10-të.

Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Raketat ruse kanë synuar gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë. Një ditë më parë trupat ruse kanë sulmuar  gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Evropë.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse.

Rusia do të dërgojë 1000 mercenarë të tjerë në Ukrainë gjatë javëve të ardhshme, pas paralajmërimeve të një zyrtari të inteligjencës perëndimore se Moska mund të bombardojë disa qytete, një përshkallëzim që mund të çojë në viktima të shumta civile, shkruan CNN

Zyrtari shtoi se SHBA-ja beson se mercenarët tashmë në Ukrainë janë përballur me rezistencë nga ukrainasit dhe se deri në 200 mercenarë të tillë janë vrarë që nga fundi i shkurtit. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë presin që Rusia të rrisë ritmin dhe forcën e goditjeve të saj në qendrat kryesore të popullsisë ukrainase, duke përfshirë kryeqytetin Kiev.

Protestë në Tokio kundër pushtimit rus të Ukrainës

Qindra njerëz marshuan të shtunën në Tokio, duke protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Protestuesit gjatë tërë kohës bërtitnin “Ndaloni luftën”.

Disa mbanin pankarta në duar ku shkruhej: “Ne qëndrojmë me Ukrainën”, dhe disa të tjerë mbanin fotografi të presidentit rus, Vladimir Putin.

Granatimet ruse në një central bërthamor në Ukrainë që ndodhën të premten dhe kërcënimi i nënkuptuar i Putinit për luftë bërthamore, kanë shqetësuar edhe qytetarët e Japonisë.

Ky shtet pësoi sulme atomike në fund të Luftës së Dytë Botërore në Hiroshima dhe Nagasaki, si dhe katastrofën më të keqe bërthamore që nga Çernobili në Fukushima në 2011.

“Është shumë e tmerrshme”, tha Yukiko Asano, që ishte pjesë e protestës.

Protesta, një nga më të mëdhatë në Tokio në vitet e fundit, përfshiu edhe njerëz nga Evropa.

Protestuesit u veshën verdhë dhe kaltër, ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

“Ne duhet të ndalojmë Putinin. Duhet t’i japim fund diktaturës”, tha një protestues tjetër.

Mbi 66,200 ukrainas u kthyen për të luftuar nga jashtë

Sipas ministrit ukrainas të mbrojtjes Olexii Resnikov, 66,224 ukrainas janë kthyer në atdheun e tyre për t'iu bashkuar luftës kundër ushtrisë ruse.

"Shumë burra janë kthyer nga jashtë në këtë moment," shkruan Resnikov në një postim në internet.

Janë edhe dymbëdhjetë brigada luftarake dhe brigada të motivuara! Ukrainas, ne jemi të pathyeshëm”.

Ukraina konfirmon armëpushimin e përkohshëm në dy qytete

Autoritetet e Ukrainës kanë konfirmuar se janë pajtuar për armëpushimin e përkohshëm në dy qytete.

BBC raporton se konfirmimi zyrtar ukrainas vjen nga kreu i administratës ushtarake të rajonit të Donjeckut, Pavlo Kirilenko.

Ai tha se administrata e tij aktualisht po punon për detajet e evakuimit të qytetarëve.

Dita e dhjetë e pushtimit rus ngjall frikën e vdekjeve të civilëve ukrainas

Ushtria ukrainase ka paralajmëruar se forcat pushtuese ruse po luftojnë për të rrethuar kryeqytetin, Kiev, dhe qytetin e dytë të rrethuar të Harkivit, derisa diplomatët perëndimorë kërkojnë masa për të frenuar konfliktin dhe paralajmërojnë se civilët ka të ngjarë të përballen me sulme më intensive.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi në një video-mesazh të postuar herët më 5 mars se ai dhe zyrtarët e lartë mbeten në Kiev, duke shtuar “ne vazhdojmë të luftojmë. Do të mbrojmë shtetin tonë. Do të çlirojmë tokën tonë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në Bruksel se situata në Ukrainë “ka gjasa të përkeqësohet përpara se të përmirësohet”.

Ushtria ukrainase tha në një raport më 5 mars, në ditën e 10-të të pushtimit, se forcat ruse po përdorin mbështetje ajrore dhe armë shumë precize në sulmin e tyre.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s që u mblodhën një ditë më parë hodhën poshtë thirrjet, përfshirë nga Kievi, për Perëndimin për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë për të vendosur ushtrinë dhe mbrojtjen e saj civile në një pozicion më të barabartë me forcat ruse.

Zelenskiy tha më 4 mars duke thënë se refuzimi i NATO-s për të futur një zonë ndalim-fluturimi tregon “dobësi” dhe mungesë uniteti.

Helikopterët rusë sulmojnë qytetin e Mariupolit

BBC ka arritur të verifikojë disa pamje të helikopterëve rusë duke sulmuar qytetin e Mariupolit, i cili është nën rrethim që nga e enjtja.

Qyteti jugor, me më shumë se 400 mijë banorë, është afër kufirit rus dhe është kyç për krijimin e një korridori tokësor që lejon rebelët separatistë të mbështetur nga Rusia të bashkojnë forcat në Krime.

Në këtë qytet, furnizimet me energji dhe ujë janë ndërprerë në mes të një sulmi të vazhdueshëm bombardimesh.

Zyrtarët e qytetit kanë paralajmëruar për një krizë humanitare.

Shpërthime dhe granatime gjatë natës nëpër qytete, banori publikon videon nga stacioni i trenit

Edhe pse në dy qytete është shpallur “armëpushim i përkohshëm”, lufta vazhdon në të gjithë vendin, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Mediat ukrainase kanë raportuar se ka shpërthime dhe sulme ajrore të afërta në qytete të ndryshme, ndërsa sulmi rus hyn në ditën e tij të dhjetë.

Granatimet në qytetin lindor Sumy, aktualisht i rrethuar nga trupat ruse, filluan në orën pesë të mëngjesit sipas kohës lokale të së shtunës, sipas kanalit të lajmeve Ukraine-24.

Gazeta Kyiv Independent raportoi se shpërthime të shumta u dëgjuan në Kharkiv. Një banor i strehuar në një stacion treni postoi në Twitter për raketat që goditën platformën që në orën 3 të mëngjesit.

Kyiv Independent gjithashtu ka postuar në Twitter për alarmet e sulmeve ajrore në kryeqytetin Kiev, si dhe në qytetet Sumy, Zhytomyr dhe Chernihiv, duke u kërkuar njerëzve të shkojnë në strehën më të afërt.

U zihet pritë nga rusët, rrëfimi prekës i ekipit të Sky News mes rrezikut

Prej 10 ditësh Ukraina ndodhet nën tensionin e sulmeve nga Rusia.

Së fundmi është publikuar një video që tregon momentin kur ekipit të Sky News iu zu në pritë nga një skuadër zbulimi diversante ruse në fillim të kësaj jave ku për pak sa nuk arriti të dilte i gjallë.

Ngjarja ka ndodhur vetëm 30 km nga qendra e Kievit, një vend i qetë në fshat u bë shpejt një fushë beteje pasi makina me të cilën po udhëtonte grupi me pesë persona u bë objektiv i plumbave rusë.

“Më kujtohet se pyesja veten nëse vdekja ime do të ishte e dhimbshme.

Dhe më pas u godita në pjesën e poshtme të shpinës,” shkruan korrespondenti Stuart Ramsay.

 Armëpushim për korridoret humanitare

Ushtria ruse ka urdhëruar një armëpushim në korridoret humanitare në Mariupol dhe Volnovakha.  Gazeta blick.ch shkruan se sipas agjencisë Interfax, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 8 të mëngjesit (CET) në mënyrë që civilët të mund të largohen nga qytetet e rrethuara, përcjell "Bota sot".

 Prej tre ditësh qyteti port në Mariupolit është nën rrethimin e rusëve.

Së fundmi BB ja publikuar pamjet e verifikuara nga sulmet e helikopterëve rus në Mariupolit.

Qyteti jugor ukrainas, ka më shumë se 400 000 njerëz dhe ndodhet në afërsi të kufirit rus.

Qyteti i Mariupolit është një pikë kyçe për krijimin e një korridori tokësor që lejon rebelët e mbështetur nga Rusia në Luhansk dhe Donetsk të bashkojnë forcat në Krime.

Ndërkohë që nga rrethimi nga forcat ruse në qytet është ndërprerë furnizimi me energji elektrike dhe me ujë, pas sulmit të vazhdueshëm të bombardimeve.

Në kuadër të kësaj situate zyrtarët e qytetit kanë paralajmëruar për një krizë humanitare.

Samsung ndalon dërgesat në Rusi për shkak të sulmit ndaj Ukrainës

Firma jug-koreane Samsung ka ndaluar dërgesat në Rusi, si pasojë e sulmit rus ndaj Ukrainës.

Dërgesat në Rusi janë pezulluar “për shkak të zhvillimeve aktuale gjeopolitike”, tha Samsung në një deklaratë të shtunën.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë në mënyrë aktive këtë situatë komplekse për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm”, thuhet në deklaratë.

Kompania bëri të ditur se do të dhurojë 6 milionë dollarë për të ndihmuar refugjatët.

Bliniken i bindur që Ukraina mund të fitojë kundër Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thotë se është i bindur se Ukraina mund ta fitojë luftën e saj me Rusinë.

Ai për BBC nuk mund të thoshte se sa do të zgjaste konflikti, por këmbënguli se disfata e Ukrainës nuk ishte e pashmangshme.

Blinken vlerësoi "rezistencën e jashtëzakonshme" të popullit ukrainas.

"Nëse është qëllimi i Moskës që të përpiqet disi të rrëzojë qeverinë dhe të instalojë regjimin e saj kukull, 45 milionë ukrainas do ta refuzojnë këtë në një mënyrë ose në tjetrën," tha ai.

Lufta tashmë nuk ka shkuar siç mund të kishte planifikuar presidenti rus Vladimir Putin, shtoi ai.

Rezistenca e fortë nga forcat ukrainase vazhdoi të pengonte përparimet ruse në të gjithë vendin në ditën e nëntë të pushtimit.

Tash e dhjetë ditë Ukraina po përballet me agresionin rus.

Pra, mëngjesin e 24 shkurtit, Rusia sulmoi Ukrainën. 

**

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të 10-të.

Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Qyteti i parë ukrainas që u pushtua ishte Herson.

Raketat ruse kanë synuar gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë.

Trupat ruse kanë kapur gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Evropë, pasi e kanë granatuar për orë të tëra të premten.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse.

OKB: Më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina

Që nga e enjtja, më shumë se 1.2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Nga 1,209,976 refugjatë që kanë ikur, më shumë se gjysma kaluan në Poloni.

Të tjerë shkuan në vende të tjera fqinje, duke përfshirë Hungarinë, Sllovakinë, Moldavinë dhe Rumaninë raporton “CNN”.

Më shumë se një milion u larguan vetëm brenda javës së parë dhe shumë të tjerë janë “në lëvizje brenda dhe jashtë vendit,” me shumë familje të zhvendosura brenda vendit, sipas UNHCR-së.

Kryebashkiaku i Mariupolit bën thirrje për korridor humanitar mes “bllokimit”

Kryetari i bashkisë së Mariupolit Vadym Boichenko ka bërë thirrje për një korridor humanitar mes një bllokade të vazhdueshme dhe atyre që ai i ka quajtur “sulme të pamëshirshme” nga trupat ruse.

Qyteti port ka qenë i rrethuar që nga e enjtja dhe Boichenko tashmë ka paralajmëruar për një katastrofë humanitare atje.

Qyteti është shtëpia e rreth 450,000 njerëzve dhe furnizimi me energji dhe ujë është ndërprerë për shkak të bombardimeve të rënda.

Një nga portet më të mëdha të Ukrainës, Mariupol është strategjikisht i rëndësishëm, sepse kontrolli i tij do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut të mbështetur nga Rusia raporton “BBC”.

Brazili do të japë viza humanitare për refugjatët ukrainas

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten që lejon qytetarët ukrainas dhe personat pa shtetësi të zhvendosur nga lufta në Ukrainë të jetojnë dhe punojnë në Brazil me një vizë humanitare.

Aplikantët duhet të marrin një vizë të përkohshme 180-ditore brenda 90 ditëve nga mbërritja, e cila më pas do të kualifikohet për vazhdimin e një vize qëndrimi të përkohshme deri në dy vjet, pas së cilës aplikantët mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm raporton “CNN”.

Aplikantët kanë afat deri më 31 gusht për të aplikuar për viza, thuhet në urdhër.

FIG ndalon sportistët rusë dhe bjellorusë nga garat duke filluar nga e hëna

Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës ka njoftuar se duke filluar nga e hëna, sportistët dhe zyrtarët rusë dhe bjellorusë, përfshirë gjyqtarët, nuk lejohen të marrin pjesë në garat e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës raporton “CNN”.

Vendimi do të thotë se sportistët dhe zyrtarët nga këto dy federata u ndalohet të konkurrojnë në Kampionatin Botëror të Gjimnastikës Akrobatike që organizohet nga data 10 mars deri në 13 mars në kryeqytetin e Azerbajxhanit Baku.

Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës vendosi javën e kaluar që flamujt kombëtarë të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk do të shfaqeshin dhe himnet e të dy vendeve nuk do të luheshin në asnjë ngjarje të sanksionuar nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës.

Ambasadorja amerikane në OKB tha ditën e premte se forcat ruse po i afrohen objektit të dytë më të madh bërthamor të Ukrainës

Forcat ruse po i afrohen objektit të dytë më të madh bërthamor të Ukrainës, tha të premten në OKB ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield raporton “CNN”.

“Forcat ruse janë tani 20 milje larg objekti të dytë më të madh bërthamor të Ukrainës dhe po afrohen,” tha ajo pa përmendur emrin e centralit.

Sipas Energoatom, organi mbikëqyrës i termocentraleve bërthamore të Ukrainës, objekti i dytë më i madh bërthamor i Ukrainës, për sa i përket kapacitetit të prodhimit të energjisë është termocentrali bërthamor Yuzhnoukrainsk në rajonin e Mykolaiv, në Ukrainën jugore.

“Presidenti Putin duhet të ndalojë këtë katastrofë humanitare duke i dhënë fund kësaj lufte dhe duke i ndalur këto sulme të pandërgjegjshme kundër popullit të Ukrainës,” shtoi ambasadorja.

Thomas-Greenfield tha se rreziku i afërt vazhdon pasi një katastrofë u “shmang ngushtë” mbrëmë, duke i’u referuar zjarrit që shpërtheu në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia të premten herët me orën lokale në Ukrainë, si rezultat i forcave ruse që bombarduan objektin.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë unanim duke kërkuar që forcat ruse të ndalojnë sulmin e tyre të rrezikshëm. Dhe siç e kam thënë më parë, populli i Ukrainës është duke u mbështetur tek ne dhe ne nuk duhet t’i lëmë ata të zhgënjehen,” tha ajo.

Më herët të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për “terror bërthamor” pasi trupat ruse sulmuan termocentralin bërthamor në Ukrainën jugore

LEXO EDHE: Putin shkel marrëveshjen me Ukrainën, rusët pushtojnë edhe një qytet - Britania lëshon paralajmërimin e tmerrshëm

Trudeau do të vizitojë Evropën javën e ardhshme për takime me aleatët për Ukrainën

Kryeministri kanadez Justin Trudeau do të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme për t’u takuar me aleatët evropianë, ndërsa sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë.

Zyra e Kryeministrit e bëri njoftimin të premten, duke thënë se Trudeau do të udhëtojë në Mbretërinë e Bashkuar, Letoni, Gjermani dhe Poloni raporton “CNN”.

“Shumë për të bërë këtë javë me aleatët në Evropë dhe mezi po e pres”, tha Trudeau.

 “Gjatë javëve të fundit ne kemi punuar së bashku dhe kemi koordinuar së bashku dhe kemi mundësinë për t’u ulur me liderët kryesorë në Evropë dhe për të biseduar se si mund të mbështesim më tej Ukrainën, si mund të zmbrapsim më tej Rusinë”.

Trudeau do të jetë në Evropë nga data 6 mars deri më 11 mars.

***

Forcat ruse morën të premten nën kontroll centralin bërthamor më të madh në Evropë, Zaporizhia, pranë qytetit ukrainas Enerhodar, pasi e bombarduan atë dhe një ndërtesë e e kompleksit u përfshi nga flakët.

Lajmi për sulmin shkaktoi përkohësisht alarm në mbarë botën për një katastrofë të mundshme, në kthesën më të frikshme deri tani të zhvillimeve që kur filloi agresioni rus ndaj Ukrainës.

Zyrtarët e OKB-së dhe ukrainas thanë se zjarrfikësit e shuan zjarrin dhe nuk pati asnjë çlirim rrezatimi.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së, Rafael Mariano Grossi, tha se një "predhë" ruse goditi një qendër trajnimi, jo ndonjë nga gjashtë reaktorët e saj.

Inspektorati bërthamor i Ukrainës tha se personeli po vazhdon të operojë në mënyrë të sigurt objektin. Zyrtarët ukrainas thanë se zjarrfikësit arritën të vënë zjarrin nën kontroll.

Enerhodari që shtrihet në buzë të lumit Dnjepër, afro 700 kilometra në juglindje të Kievit, është një qytet i rëndësishëm për prodhimin e energjisë. Centrali prodhon rreth 25 për qind të energjisë së Ukrainës.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden, foli me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për t’u informuar mbi zjarrin në centralin bërthamor.

 

Presidenti Zelenskyy akuzoi të premten Rusinë për bombardimin e centralit, duke thënë se "ky është terror në një nivel të pashembullt”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje civilëve rusë që të shprehin zemërimin për sulmin e uzinës. “Rrezatimi nuk e di se ku është Rusia, ku janë kufijtë e vendit tuaj”, tha presidenti Zelenskyy.

Rreziqet që paraqet goditja e centralit Zaporizhia

Sulmi shkaktoi shqetësim në mbarë botën dhe ngjalli kujtimet e fatkeqësisë më të rëndë bërthamore në botë, atë të Çernobilit të Ukrainës në vitin 1986.

Ukraina është shumë e varur nga energjia bërthamore, me 15 reaktorë në katër stacione, që ofrojnë rreth gjysmën e energjisë elektrike të vendit.

Pas sulmit në Zaporizhia, Presidenti amerikan Joe Biden, Kryeministri britanik Boris Johnson, si dhe të tjerë udhëheqës të tjerë botërorë bënë thirrje për t'i dhënë menjëherë fund luftimeve atje.

Sipas ekspertëve problemi më i madh megjithatë është furnizimi me energji elektrike i centralit.

Nëse impianti do të mbetej pa energji, ai do të detyrohej ta siguronte atë nëpërmjet gjeneratorëve me naftë, të cilët janë shumë të pasigurt, pasi mund të dalin jashtë funksionit, apo t'u mbarojë karburanti. Mbetja e centralit pa enegji, do të bënte që uji që nevojitet për ftohjen e reaktorëve të mos qarkullonte. Ekspertët thonë se edhe mbyllja e reaktorëve nuk do të ndihmonte nëse sistemi i ftohjes do të dështonte në një mënyrë të tillë.

Ata thonë se shqetësimi i vërtetë nuk është një shpërthim katastrofik siç ndodhi me Çernobilin, por dëmtimi i sistemit të ftohjes, i cili është i domosdoshëm edhe kur reaktori është i mbyllur.

Sipas David Fletcher, ish ekspert i Energjisë Atomike në Mbretërinë e Bashkuar, ishte ky lloj dëmtimi që çoi në aksidentin në centralin bërthamor të Fukushimës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat