LIVE: Rusia e zgjeron aktivitetin - sulmohet për herë të parë edhe porti i Odessas

Evropë

LIVE: Rusia e zgjeron aktivitetin - sulmohet për herë të parë edhe porti i Odessas

Nga: Bota sot Më: 3 prill 2022 Në ora: 06:22 Përditësuar në ora: 12:46 më 03.04.2022
Një ushtar ukrainas përdor një copë druri për të kontrolluar nëse trupi i një burri të veshur me veshje civile është i bllokuar me mjete shpërthyese, në periferinë e Kievit të ish-uzurpuar nga Rusia, Bucha, Ukrainë, të shtunën, 2 prill 2022.

13 vjeçarja të cilës i mbeti një copë në tru pas sulmit rus, po shërohet

Është një mrekulli që Sophia 13-vjeçare është ende gjallë.

Nxënësja mbeti me një copë të bombave në madhësinë e një kikiriku të ngulitur në tru pas një sulmi rus në fshatin e saj në Ukrainën jugore muajin e kaluar.

Ajo tani po shërohet në spitalin më të lartë të vendit për fëmijë në Kiev, me kokën e rruar dhe të fashuar, me një tub që del nga sipër për të kulluar lëngun.

“Unë po qëndroja pranë nënës sime dhe dëgjova një shpërthim”, tha ajo, duke folur me një zë të butë dhe të brishtë, për shpërthimin e dhunës më 5 mars që ndryshoi jetën e të dyve.

“Vrapova – vetëm tre hapa. Pastaj dëgjova një shpërthim tjetër. Dhe pastaj humba vetëdijen”, shtoi ajo.

BE-ja paralajmëron sanksione të reja ndaj Rusisë

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Rusia do të përballet “me sanksione të mëtejme të BE-së” pas raportimeve për krimet e dyshuara të luftës nga forcat serbe në Buça, në periferi të Kievit.

Michel shkroi më 3 prill në Twitter se ishte i “shokuar nga pamjet e tmerrshme të mizorive të kryera nga ushtria ruse në rajonin e çliruar të Kievit”.

Ndërkaq, po të njëjtën ditë organizata Human Rights Watch tha se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.

 

Kjo organizatë, tha se më 4 mars, forcat ruse në Buça kishin qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person.

Kryetari i Buçës, Anatoly Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.

Pamje të rënda nga ky qytet, ku shihen trupa të banorëve në rrugë, janë shpërndarë në rrjete sociale.

“Këto janë pasojat e pushtimit rus”, citohet të ketë thënë Fedoruk.

Rusia ende nuk është përgjigjur lidhur me këto akuza.

Ndërkaq, më 2 prill, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se ishte e tronditur “nga mizoritë në Buça dhe në qytete të tjera në Ukrainë” dhe premtoi se keqbërësit do të ndiqen penalisht.

Në postimin e tij në Twitter, Michel tha se Bashkimi Evropian po i ndihmon Ukrainës “në mbledhjen e dëshmive të nevojshme, që më pas t’i dërgojë në gjykatat ndërkombëtare”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale më herët ka hapur një hetim mbi krimet e pretenduara të luftës nga forcat ruse në Ukrainë.

Ndërkaq, në raportin e Human Rights Watch thuhet se janë dokumentuar edhe dhunime, dy raste të ekzekutimeve ku ishin përfshirë shtatë viktima, dhe raste të tjera të kërcënimeve dhe dhunës ndaj civilëve.

Zhvillimet kryesore në Ukrainë

Përshëndetje të nderuar lexues, nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kryesore të luftës në Ukrainë:

Luftimet: Rusia tha se ka goditur një rafineri të naftës dhe depo të karburanteve në qytetin-port të Odesës. Deri më tani, Ukraina nuk ka konfirmuar se është goditur rafineria e naftës, por vetëm ka thënë se infrastruktura kritike ka qenë cak i sulmeve ajrore dhe ka shtuar se deri më tani nuk ka njoftime për viktima. Ushtria ukrainase tha se ka zmbrapsur gjashtë sulme ruse në lindje, ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia dëshiron të marrë kontrollin e jugut dhe lindjes së vendit.

Evakuimet: Kryqi i Kuq ka thënë se do të vazhdojë përpjekjet për të evakuuar banorët e qytetit të rrethuar të Mariupolit. Autobusët, që do të përdoren për evakuim, janë nisur drejt Mariupolit, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

Bisedimet: Kryenegociatori rus tha se bisedimet e paqes me Ukrainën nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm që presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, të takohen. Megjithatë, një ditë më parë, pala ukrainase kishte thënë se një takim i tillë mund të ndodhë, pasi në negociata është shënuar përparim.

Ukraina rimerr kontrollin e qytetit të Pripyat

Forcat ukrainase kanë rifituar kontrollin e qytetit të Pripyat dhe një pjesë të zonës kufitare midis Ukrainës dhe Bjellorusisë, kanë thënë autoritetet.

Pripyat është qyteti i braktisur pas katastrofës bërthamore të Çernobilit në vitin 1986.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ndau një imazh të një ushtari duke ngritur një flamur ukrainas përpara centralit bërthamor të Çernobilit.

Guvernatori ukrainas: Rafineria më e madhe e naftës është shkatërruar plotësisht

Një rafineri e naftës në qytetin Kremençuk, në Ukrainën qendrore, është shkatërruar plotësisht nga sulmet ruse, tha guvernatori i rajonit Poltava, raportoi Reuters.

“Zjarri në rafineri është shuar, por ndërtesa është shkatërruar plotësisht dhe më nuk mund të operojë”, citohet të ketë thënë guvernatori, Lunin Dmytro.

Gazeta Kyiv Independent ka raportuar se sulmet me raketa më 1 prill kanë shkatërruar rafinerinë e naftës, që është më e madhja në Ukrainë.

Kremençuk është një qytet kyç industrial në Ukrainë.

Neutraliteti - statusi që mund t’ia rikthejë sigurinë Ukrainës

Përparimi më i madh në bisedimet për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës është bërë në rundin e 29 marsit. Kështu së paku ka vlerësuar ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, vendi i të cilit ka qenë nikoqir i dy palëve negociuese.

“Ka pasur marrëveshje dhe mirëkuptim për disa tema. Sot është bërë përparimi më domethënës që nga fillimi i negociatave”, ka thënë ai.

Rusia dhe Ukraina kanë filluar bisedimet për paqe qysh më 28 shkurt, katër ditë pasi shteti rus ka nisur pushtimin e fqinjit të tij.

Në rundin e fundit të negociatave direkte, të mbajtur në Stamboll, negociatorët ukrainas u kanë paraqitur disa propozime homologëve rusë për ndaljen e agresionit. Mes tjerash, ata kanë dalë me idenë e statusit neutral për vendin e tyre, që do të thotë heqjen dorë nga çdo përpjekje për anëtarësim në ndonjë aleancë të huaj ushtarake. Në këmbim, ata kanë kërkuar garanci për sigurinë, që do të ofroheshin nga vende të tjera, si: Kanadaja, Turqia, apo Izraeli. ​

Lajmi e plotë mund ta lexoni këtu. 

Vdekja po i afrohet/ Ky është plani special i Putinit për t’i shpëtuar vrasjes

Arife Morina Arife Morina

Thuhet se tirani Vladimir Putin është aq i kapluar nga paranoja saqë po përdor një trup të dyfishtë për të penguar çdo vrasës të mundshëm, raporton Mirror, përcjell "Bota sot".

Udhëheqësi rus është i tronditur dhe ka frikë se drejtuesit e lartë ushtarak të vendit mund të bëjnë një grusht shtet për ta rrëzuar atë pasi ai shkarkoi tetë gjeneralë për dështimin për ta pushtuar Ukrainën.

Putin ka një njeri që është i ngjashëm më atë, i cili qëndron për të në takimet e Kremlinit dhe përdoret si një karrem kur ai lëviz përreth, raporton Daily Star.

Madje, thuhet se ‘Putini 2’ ndan të njëjtën shtëpi me presidentin rus dhe jeton në kompleksin e tij Presidencial.

Burimet deklarojnë se ai është trajnuar të ecë në të njëjtën mënyrë si lideri rus.

Një burim i inteligjencës i tha Daily Star: “Ne e dimë se Putini është paranojak për sigurinë e tij dhe kjo lëvizje vetëm tregon se sa seriozisht ekipi i tij po e merr kërcënimin ndaj jetës së tij”.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Kryenegociatori rus: Ende herët për një takim Putin-Zelensky

Rusia tha të dielën se bisedimet e paqes nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm saqë të mbahet një takim midis presidentëve të dy shteteve.

Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, tha përmes Telegramit se qëndrimi i Moskës lidhur me statusin e Krimesë dhe Donbasit vazhdon të jetë i pandryshueshëm.

“Draft-marrëveshja nuk është gati që të prezantohet në një takim të liderëve”, tha ai.

“E përsëris vazhdimisht: Pozicioni i Rusisë për Krimenë dhe Donbasin është i pandryshueshëm”, tha ai.

Të shtunën negociatorët ukrainas thanë se janë bërë përparime të mjaftueshme që të mbahet një takim midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Rusia thotë se ka sulmuar rafineri të naftës në Odesa

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e saj kanë shkatërruar një rafineri të naftës dhe tri depo të karburanteve.

Rusia tha se ka kryer sulme precize nga deti dhe me raketa në rajonin e Odesës, raportoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Kjo ministri tha se kjo infrastrukturë është përdorur nga Ukraina për të furnizuar trupat e saj në afërsi të qytetit Mikolajiv.

Ndërkaq, më herët, zyrtarët ukrainas thanë se ende nuk kanë njoftime për viktima nga sulmet e mëngjesit të sotëm.

Zyrtarët amerikanë zbulojnë lëvizjen që do të bëjë më 9 Maj Putini, ky është plani i tij për Ukrainën

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Rusia ka rishikuar strategjinë e saj të luftës në Ukrainë për t'u fokusuar në përpjekjen për të marrë kontrollin e Donbasit dhe rajoneve të tjera në Ukrainën lindore me një datë të synuar në fillim të majit, sipas disa zyrtarëve amerikanë të njohur me vlerësimet e fundit të inteligjencës amerikane.

Më shumë se një muaj pas luftës, forcat tokësore ruse nuk kanë qenë në gjendje të mbajnë kontrollin e zonave ku kanë luftuar. Presidenti rus Vladimir Putin është nën presion për të demonstruar se mund të tregojë një fitore dhe Ukraina lindore është vendi ku ai ka më shumë gjasa të jetë në gjendje ta bëjë këtë shpejt, thonë zyrtarët.

Përgjimet e inteligjencës amerikane sugjerojnë se Putini është fokusuar në 9 maj, "Ditën e Fitores" së Rusisë, sipas një prej zyrtarëve, raporton CNN, përcjell Bota sot.

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat