LIVE: Rusët japin shenja “kolapsi”, braktisin tanket në tërheqje të nxituar; zemërim për sulmin ajror në stacionin e trenit

Evropë

LIVE: Rusët japin shenja “kolapsi”, braktisin tanket në tërheqje të nxituar; zemërim për sulmin ajror në stacionin e trenit

Nga: BOTA SOT Më: 8 prill 2022 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 20:03 më 08.04.2022
Një ushtar ukrainas qëndron pranë një apartamenti të rrënuar nga granatimet ruse në Borodyanka

Buça, mes tragjedisë e përpjekjeve për t’u ringritur

Buça, një qytet në periferi të Kievit, u shndërrua në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të akteve mizore ndaj popullatës civile të kryera nga forcat ruse që qëndruar aty rreth një muaj. Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryebashkiaku i Buçës, rrëfen tronditjen që pësoi pas rikthimit të qytet. Anatoliy Fedoruk, flet mbi numrin e viktima civile që janë gjetur, përpjekjet për të rindërtuar infrastrukturën ndërsa thekson se është ende herët që banorët e larguar në fillim të agresionit rus, të rikthehen. Shërbimi rus i Zërit të Amerikës bisedoi me zotin Fedoruk dhe sjell pamje të qytetit të shkatërruar.

Për Anatoliy Fedoruk, kryetar i Bashkisë së Buçës, ajo që ka ndodhur në qytet nga trupat ruse është e paimagjinueshme. Ai ka studiuar për histori, por ajo që pa më 1 prill, ka tronditur gjithçka dinte mbi luftën dhe kodet e saj.

“Si historian shpresoja që traditat ushtarake të respektoheshin disi. Prisja që ushtarët të mos sulmonin civilët ose të ishin të dhunshëm ndaj tyre. Sigurisht, gjatë luftës ka shumë bombardime. Në thelb ajo është një llotari, ose jeton ose vdes. Por ajo që pashë, ishin shtëpi të shkatërruara, makina ushtarake të djegura, trupa njerëzish të pajetë. Ata ishin torturuar, u kishin lidhur duart pas shpine, ata ishin civilë të qëlluar për vdekje. Dhe mund ta kuptoje fare mirë se kishin qenë aty prej disa ditësh”, thotë ai.

Në intervistën e tij për Zërin e Amerikës zoti Fedoruk thotë se pasi forcat ruse u larguan, zyrtarët lokalë kishin gjetur 5 trupa njerëzish në moshë të re me duar të lidhura në një kamp fëmijësh në lagjen Melkini. Aty forcat ruse kishin patur qendrën e tyre.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Trupat ruse kanë përfunduar tërheqjen nga rajoni Sumy

Të premten, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ruse kanë përfunduar tërheqjen e tyre nga rajoni verior i Ukrainës Sumy, ndërsa vazhdonin një grumbullim të forcave në lindje të vendit, raporton CNN, transmeton Bota sot.

“Okupatorët rusë tërhoqën plotësisht trupat e tyre nga rajoni i Sumy në Federatën Ruse”, thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm në Facebook.

Ushtria ruse njoftoi më parë se po tërhiqej nga veriu i Ukrainës dhe rreth Kievit për të përqendruar përpjekjet në rajonin lindor të Donbasit.

Deklarata e Shtabit të Përgjithshëm vuri në dukje gjithashtu se trupat ruse vazhduan një grumbullim në rajonet jugore të Zaporizhzhia dhe Donetskut lindor dhe vazhduan një ofensivë në drejtim të Popasna dhe Severodonetsk, në rajonin lindor të Luhanskut./V.N/

Rusia ka riorganizuar komandën e saj ushtarake

Një zyrtar perëndimor konfirmoi se Rusia kishte riorganizuar tani komandën e operacioneve të saj në Ukrainë me gjeneralin që tani është në krye që kishte përvojë të gjerë nga Siria.

Forcat që pushtuan më 24 shkurt u organizuan dhe komandoheshin veçmas nga rrethi nga kishin ardhur, shkruan BBC, transmeton Bota sot.

"Kishte vërtet një koordinim të dobët në ato komanda të ndryshme" tha zyrtari, pasi forcat ruse nuk ishin trajnuar kurrë për të punuar në këtë mënyrë. Komandanti i Qarkut Ushtarak Jugor është tani në krye të operacioneve në përpjekje për të ofruar një koordinim më të mirë - raportohet të jetë gjenerali Alexander Dvornikov.

“Ky komandant ka shumë përvojë në operacionet ruse në Siri. Pra, ne do të presim që komanda dhe kontrolli i përgjithshëm të përmirësohet" tha zyrtari./V.N/

Rusia dëbon diplomatë bullgarë dhe polakë

Ministria e Jashtme ruse tha se po dëbon diplomatë bullgarë dhe polakë, pasi Sofja dhe Varshava muajin e kaluar dëbuan diplomatë rusë.

Rusia ka shpallur dy bullgarë dhe 45 polakë, pjesëtarë të ambasadave dhe konsullatave në Rusi, si “persona non grata”, pasi këto dy shtete kishin dëbuar nga shtetet e tyre numër të njëjtë të diplomatëve rusë.

“Kjo masë është në përgjigje të vendimit të pamotivuar të Bullgarisë, që në muajin mars shpalli ‘persona non grata’ dy diplomatë të Ambasadës ruse në Sofje”, tha Ministria e Jashtme ruse më 8 prill.

Në një njoftim të ndarë, kjo ministri po ashtu tha se ka dëbuar 45 diplomatë polakë. Polonia tha në mars se kishte dëbuar diplomatë rusë, pasi dyshonte se ata punonin për inteligjencën ruse.

Osmani nga kufiri Poloni-Ukrainë: Detyra jonë t’i ndihmojmë në çdo mënyrë

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, si pjesë e Treshes kryesuese me OSBE-në, së bashku me homologët nga Polonia, Zbignieë Rau dhe Suedia, Ann Linde në kufirin polako-ukrainas realizuan takim me homologun e tyre ukrainas, Dmitry Кuleba.

Nga qendra për shtyp pranë MPJ-së thonë se në takimin me Kuleba-n u diskutua nevojat e palës ukrainase për mbrojtjen e vendit të tyre, si dhe për ndihmën që komuniteti ndërkombëtar duhet t’ia japë Ukrainës në ballafaqimin me pasojat e luftës.

“Duhet të bëjmë më shumë, jo vetëm për t’u përballuar me pasojat, por edhe për ta ndalur këtë çmenduri. Rezistenca heroike e popullit ukrainas meriton respektin më të madh: teksa e mbrojnë atdheun e tyre, ata i mbrojnë edhe vlerat tona të përbashkëta, parimet tona, mënyrën tonë të jetesës dhe është detyra jonë t’i ndihmojmë në çdo mënyrë”, tha Osmani në konferencën për media, pas takimit me Kuleba-n.

Ministrat e vizituan edhe Qendrën e pranimit të refugjatëve Mlyny, pranë pikës kufitare Korczova në kufirin polako-ukrainas. Si rezultat i agresionit ushtarak rus, miliona ukrainas u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim, para së gjithash në vendet fqinje.

“Pamjet nga kampet dhe valët e refugjatëve janë thellësisht shqetësuese, veçanërisht për rajonin tonë ku kujtimet e luftërave të viteve të 90-ta janë ende të freskëta”, tha Osmani.

Masakra, tortura e djegie! Një ekip ekspertësh nisen drejt Ukrainës për të identifikuar viktimat e luftës

Një organizatë ndërkombëtare e krijuar për të identifikuar të vdekurit dhe të zhdukurit nga konfliktet e viteve 1990 në Ballkan po përgatitet të dërgojë një ekip ekspertësh mjeko-ligjorë në Ukrainë, ndërsa numri i të vdekurve rritet më shumë se gjashtë javë pas luftës së shkaktuar nga agresioni i Rusisë. 

Autoritetet në Kiev kanë kontaktuar Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur për të ndihmuar në identifikimin e trupave që përndryshe mund të mbeten anonim mes mjegullës së luftës. 

Një ekip i përbërë nga një patolog mjeko-ligjor, arkeolog mjeko-ligjor dhe një ekspert për mbledhjen e mostrave të ADN-së nga trupat e pajetë dhe për t’i ballafaquar ato me të dhënat e familjeve të tyre, pritet të shkojnë në Ukrainë në fillim të javës së ardhshme, tha drejtoresha e përgjithshme Kathryne Bomberger për agjencinë Associated Press. 

Ata do të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurve, por gjithashtu do të dokumentojnë se si u shkaktua vdekja e tyre - informacion që mund të jetë i dobishëm në hetimet e krimeve të luftës në të ardhmen. Laboratori i kësaj organizate në Hagë do të ndërtojë një bazë qendrore të dhënash duke formuar një katalog provash dhe identitetet e të vrarëve./VOA 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Rusët shpenzojnë dyfish më shumë për ushqime pas fillimit të luftës në Ukrainë

Shtetasit rusë po shpenzojnë mesatarisht 40% të të ardhurave të tyre për ushqime. Kjo është gati dyfishi i nivelit të shpenzimeve përpara luftës në Ukrainë, i tha agjensisë së lajmeve Reuters drejtori i zyrës ndërlidhëse për Rusinë në agjensinë e OKB-së për ushqimin.

Të dhënat zyrtare të qeverisë ruse tregojnë se inflacioni vjetor për ushqimet arriti më 1 prill në 18.75%, ndërsa ekonomia po vuan pasojat e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës, pas sulmit që filloi më 24 shkurt në Ukrainë.

Oleg Kobiakov, nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) tha se shumë familje ruse e kanë të vështirë të përballojnë krizën, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre po shkon për nevojat bazë, si ushqimi.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

Udhëheqësit e BE-së vizitojnë Kievin dhe Buçën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se vdekjet e civilëve në qytetin ukrainas të Buças treguan "fytyrën mizore" të ushtrisë së presidentit rus Vladimir Putin dhe premtoi të mbështesë Kievin në mbrojtjen e "kufirit të Evropës".

Zonja von der Leyen e vizitoi qytetin ku zyrtarët ukrainas thonë se qindra civilë u vranë nga forcat ruse, gjatë një vizite në Ukrainë bashkë me kryediplomatin e BE-së Josep Borrell.

Para se të shkonin në Buça ata vizituan Kievin për t'i ofruar presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy mbështetje dhe siguri lidhur me kërkesën e tij për anëtarësim në BE.

Duke udhëtuar me tren nga Brukseli në Kiev, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u tha gazetarëve se mesazhi më i rëndësishëm që ajo po i sillte zotit Zelenskiy ishte se "do të ketë një rrugë drejt BE-së" për Ukrainën.

“Zakonisht duhen vite përpara se Këshilli i BE-së të pranojë një aplikim për anëtarësim, por Ukraina e bëri këtë brenda një ose dy javësh dhe unë dua që të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

"Qëllimi ynë është të paraqesim kërkesën e Ukrainës në këshill këtë verë."

Kryediplomati i BE-së, Borrell u tha gazetarëve se vizita ishte një sinjal se "Ukraina ka nën kontroll territorin e saj" dhe qeveria vazhdon të drejtojë vendin.

"Ukraina nuk është një vend i pushtuar, i dominuar. Ka ende një qeveri që pret njerëz nga jashtë vendit dhe mund të udhëtohet në Kiev," tha zoti Borrell./VOA

“Përçarje e madhe” për inteligjencën ruse

Një zyrtar i lartë evropian e ka quajtur dëbimin e diplomatëve rusë një "përçarje të madhe" të inteligjencës ruse, potencialisht një ndërprerje e përhershme.

Duke folur në kushte anonimiteti, ai i tha washington Post se Kremlini do të ketë vështirësi të plotësojë radhët e tij të inteligjencës, përcjell Bota sot.

"Ricaktimi dhe udhëzimi do të marrë kohë dhe mund të mos jetë i mundur për ca kohë, nëse do të ndodhë ndonjëherë", tha diplomati.

“Ritrajnimi, ridislokimi, e gjithë kjo është e ndërprerë”.

Në Lituani dhe Letoni, vendet baltike që mbajnë një qëndrim të ashpër kundër Kremlinit, qeveritë urdhëruan mbylljen e konsullatave ruse këtë javë dhe dëbuan një valë të re zyrtarësh rusë, përfshirë ambasadorin rus në Lituani.

"Për rusët, është e dhimbshme", tha një diplomat i lartë baltik. “Ne mbyllëm rrjetin e tyre rajonal”./Botasot

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare: Ja pse lufta po shkon keq për Rusinë

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Dështimi i dukshëm i Rusisë për të kapur efektivisht kontrollin e Ukrainës brenda javëve të para të pushtimit, ka qenë subjekt i shumë hamendjeve mes komentuesve.

Ka qenë një surprizë që forcat e Vladim Putinit nuk kanë qenë në gjendje të ushtrojnë dominim mbi ato të Ukrainës, duke pasur parasysh madhësinë e ushtrisë së tyre në krahasim.

Dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Samuel Ramani, ka theksuar një deklaratë të re të liderit separatist rus Denis Pushilin, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Në të, ai refuzon të ofrojë një datë të synuar për fitoren e Rusisë në qytetin port jugor të Mariupolit - në kontrast me deklaratat më të forta në fillim të konfliktit.

Ky kontrast, siç ka thënë Ramania, është një tjetër shenjë se "lufta po shkon keq për Rusinë"./Botasot

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat