Turistët rusë të bllokuar për shkak të sanksioneve lidhur me sulmin në Ukrainë

Evropë

Turistët rusë të bllokuar për shkak të sanksioneve lidhur me sulmin në Ukrainë

Më: 16 prill 2022 Në ora: 19:24
Foto ilustrim

Pasi Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës muajin e kaluar, ndaj Moskës dhe udhëheqësit të saj u vendosën sanksione të forta ekonomike që kanë ndikuar edhe sektorin e tansportit. Kompania ruse Aeroflot pezulloi fluturimet ndërkombëtare dhe kompanitë bankare si Visa dhe Mastercard pezulluan transaksionet me bankat ruse, duke lënë disa turistë rusë të bllokuar jashtë vendit.

Instruktorja e zhytjes, Tamara Taratorina nga Shën Petersburgu, pesë vjet më parë e ktheu në biznes pasionin e saj për udhëtimet. Ajo organizon udhëtime në vende anembanë botës, përfshirë Egjiptin, Maldivet, dhe Meksikën për personat që pëlqejnë zhytjen.

Biznesi i saj i mbijetoi pandemisë së COVID-19. Por sulmi rus ndaj Ukrainës ka bllokuar zonjën Taratorina dhe një grup turistësh rusë në Maldive. Pas fillimit të sulmit në Ukrainë, sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Moskës bënë që kompania ajrore ruse Aeroflot të pezullonte fluturimet e saj ndërkombëtare nga frika se avionët e saj mund të konfiskoheshin.

“Turistët tani nuk presin një ndryshim të fluturimeve të tyre nga kompania Aeroflot. Ata po blejnë bileta të reja me kompani ajrore jo-ruse, dhe ato nuk janë të lira. Aeroflot premtoi të rimbursonte koston e pjesëve të papërdorura të biletës, por ato janë shuma të vogla në krahasim me atë që njerëzit duhet të paguajnë tani për të blerë bileta të reja dhe për t'u kthyer në shtëpi”, thotë ajo.

Turistët rusë po ndikohen edhe nga pamundësia për të përdorur kartat e tyre të kreditit. Kompanitë Mastercard dhe Visa kanë ndërprerë shërbimet për bankat ruse, duke i lënë rusët jashtë vendit në gjendje të vështirë financiare. Paratë që ata sollën me vete tani kanë një vlerë më të ulët sepse sanksionet ndaj Rusisë kanë zhvlerësuar shumë rublën. Ndërsa turistët rusë nuk e dinë nëse do të jenë në gjendje të përballojnë udhëtimet ndërkombëtare së shpejti, ata janë të sigurt se sanksionet do të ndikojnë në mënyrë dramatike në jetën e tyre personale.

“Unë po ndjej tani pasojat ekonomike të veprimit të qeverisë sime. Asgjë nuk do të ndryshojë derisa çdo rus t’i ndjejë vetë këto pasoja. Është njerëzore të mendosh vetëm për veten. Dhe tani, situata më prek mua drejtpërdrejt sepse kompanitë ndërkombëtare kanë kufizuar biznesin e tyre në Rusi”, thotë turistja ruse Alena Glukhova.

Kur u pyetën nëse po shikojnë se si po pasqyrohet lufta në televizionin rus, shumica thanë se nuk i ndjekin lajmet në televizionin rus. Ata thonë se interneti dhe mediat sociale janë burimet e tyre kryesore të informacionit.

Disa nga turistët rusë besojnë se sulmi ndaj Ukrainës po bëhet për të ndihmuar rusët që banojnë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore. Rajoni, pjesërisht i kontrolluar nga separatistët pro-rusë që nga viti 2014, është një pikë e mosmarrëveshjeve të forta midis Ukrainës dhe Rusisë, e cila në fund të shkurtit njohu rajonet e Donetskut dhe Luhanskut si republika të pavarura.

Andrey Nikulin, i cili thotë se lexon burime të shumta lajmesh në internet, tha se ai beson se arsyeja e konfliktit në Ukrainë është "gjenocidi" ndaj popullit rus atje. Ukrainasit dhe shumica e vendeve perëndimore thonë se ky argument është pjesë e propagandës ruse.

“Njerëzit kanë pritur për tetë vjet që Rusia t'i ndihmojë ata. Në atë kohë, ne nuk mund të ndërhynim. Por tani, nëse nuk do të ndërhynte Rusia, gjenocidi kundër rusëve në Ukrainë do të ishte edhe më i rëndë”, thotë turisti rus Andrey Nikulin.

Pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme politike të këtyre turistëve rusë, ata të gjithë janë dakord se lufta është një tragjedi dhe vrasja e civilëve duhet të shmanget me çdo kusht.

“I kam ndjekur të gjitha këto zhvillime me lot. Unë jam gjysmë ruse, gjysmë ukrainase dhe nuk mund të zgjedh një anë në këtë konflikt. Kjo është politikë. Kjo luftë mes dy kombeve vëllazërore është manipuluar. Ajo do të përfundojë një ditë, por trauma do të mbetet. Të dyja palët duhet ta kapërcejnë këtë luftë dhe duhet të ruajnë qëndrimin njerëzor ndaj njëri-tjetrit”, thotë turistja ruse Olga Kalabukhova./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat