E majta ekstreme franceze nuk jep udhëzime votimi pas konsultimeve të brendshme

Evropë

E majta ekstreme franceze nuk jep udhëzime votimi pas konsultimeve të brendshme

Më: 18 prill 2022 Në ora: 19:27
Jean-Luc Melenchon

Partia e kandidatit të së majtës ekstreme franceze, Jean-Luc Melenchon nuk u ka bërë thirrje votuesve të saj se për cilin kandidat të votojnë gjatë balotazhit për zgjedhjet presidenciale, pasi konsultimet e brendshme treguan se shumica e mbështetësve të saj do të abstenonin ose do të votonin pa zgjedhur asnjë kandidat më 24 prill, duke shtuar pasigurinë mbi rezultatin.

Presidenti Emmanuel Macron dhe sfiduesja e tij e ekstremit të djathtë Marine Le Pen po kërkojnë të tërheqin votuesit që zgjodhën kandidatin Melenchon. Ai doli i treti në raundin e parë të votimit më 10 prill me rreth 22% të votave.

Me elektoratin e fragmentuar dhe të pavendosur, zgjedhjet ka të ngjarë të fitohen nga kandidati që mund të tërheqë mbështetës përtej kampit të tij, duke bindur votuesit se opsioni tjetër do të ishte shumë më i keq.

Pas raundit të parë, zoti Melenchon u bëri thirrje mbështetësve të tij që të mos votonin për zonjën Le Pen, por ai nuk i nxiti ata të votonin për zotin Macron dhe tha se partia e tij do të zhvillonte një konsultim publik për të ndihmuar në udhëzimin e miliona njerëzve që e mbështetën atë.

Sipas rezultateve të publikuara të dielën, rreth 215,000 simpatizues partiakë që morën pjesë në një sondazh, më shumë se 66% thanë se do të abstenonin, do ta linin fletën e votimit bosh ose do ta bënin atë të pavlefshme. Pak më shumë se 33% thanë se do të votonin për zotin Macron. Votimi për zonjën Le Pen nuk ishte opsion për të anketuarit.

"Rezultatet nuk janë një udhëzim për të votuar për askënd... të gjithë do të konkludojnë dhe do të votojnë siç e shohin të arsyeshme," shkroi ekipi i fushatës së zotit Melenchon në faqen e tij të internetit.

Anketuesit vlerësojnë shkallën e përgjithshme të abstenimit për zgjedhjet e së dielës së ardhshme në rreth 30%, ngjashëm me raundin e parë.

Nuk është e qartë se çfarë do të thotë një përqindje e lartë e abstenimit për secilin nga kandidatët, qoftë në përgjithësi, qoftë në mesin e votuesve të zotit Melenchon. Si zoti Macron ashtu edhe zonja Le Pen mundën të mobilizonin mbështetjen e tyre thelbësore në raundin e parë, por po përpiqen të tërheqin votues përtej kampeve të tyre.

Votimi i së dielës së ardhshme është një përsëritje e garës së vitit 2017 në raundin e dytë. Më pas zoti Macroni, një politikan i qendrës pro-Bashkimi Evropian, mundi lehtësisht zonjën Le Pen.

Këtë herë ai shihet se po përballet me një sfidë shumë më të forët, megjithëse sondazhet e fundit i japin atij një epërsi 9 deri në 10 pikë ndaj zonjës Le Pen.

Një sondazh i opinionit nga organizata IPSOS-Sopra-Steria të shtunën tregoi se rreth 33% e votuesve të zotit Melenchon do të mbështesnin zotin Macron, dhe 16% do të mbështesin zonjën Le Pen më 24 prill. Por 51% e njerëzve ishin të pavendosur.

Tërheqja e votuesve të Melenchonit

Për dekada të tëra, një "front republikan" i votuesve të të gjitha shtresave që mbështesin një kandidat kryesor ka ndihmuar në mbajtjen e së djathtës ekstreme jashtë pushtetit.

Por zoti Macron, nuk mund të llogarisë më automatikisht këtë mbështetje. Stili dhe politikat ndonjëherë kontradiktore të tij devijuan nga e djathta, duke mërzitur shumë votues.

Zonja Le Pen po shikon të kërkojë mbështetje e shtresës së klasës punëtore dhe rurale të bazës të zotit Melenchon duke u fokusuar në koston e jetesës, rritjen e çmimeve të ushqimit dhe të benzinës pas luftës në Ukrainë.

Ndërkohë zoti Macron po përpiqet të tërheqë segmentet më të arsimuara, të qendrës së majtë dhe urbane të mbështetësve të zotit Melenchon.

Të shtunën ai u tha mbështetësve në Marsejë, të cilët votuan masivisht për kandidatin Melenchon, se e kishte dëgjuar mesazhin e tyre dhe se do ta përqëndronte presidencën e tij të re në çlirimin e Francës nga hidrokarburet. Ai e kritikoi zonjën Le Pen duke e quajtur një "skeptike të klimës".

"Unë nuk e di se në çfarë po e bazohet ai, por kurrë nuk kam qenë skeptike ndaj klimës dhe kam një program që merr në konsideratë mjedisin dhe ekologjinë," tha zonja Le Pen për televizionin France 3.

Premtimet e zotit Macron për të bërë më shumë për mjedisin mund të mos rezonojë për disa votues. Kreu i partisë së Gjelbër, Julien Bayou, tha se presidenti nuk ishte i besueshëm për këtë temë.

“Ai kishte pesë vjet për të vepruar dhe nuk e bëri”, tha ai për radion Franceinfo, duke shtuar se thirrja e të Gjelbërve për të votuar për zotin Macron ishte thjesht për të ndaluar ardhjen në pushtet të ekstremit të djathtë.

Aktivistët që trajtojnë çështje të ndryshimeve klimatike nga organizata ambjentaliste Rebelimi i Zhdukjes detyruan mbylljen e një sheshi dhe një rruge kryesore në kryeqytet të shtunën, duke protestuar ndaj programeve mjedisore të të dy kandidatëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat