Ligjvënësit evropianë: gazi natyror dhe energjia bërthamore, miqësore për mjedisin

Evropë

Ligjvënësit evropianë: gazi natyror dhe energjia bërthamore, miqësore për mjedisin

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 17:31
Parlamenti Evropian

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian votuan të mërkurën për të përfshirë gazin natyror dhe energjinë bërthamore në listën e BE-së të aktiviteteve miqësore me mjedisin. Ligjvënësit miratuan kështu propozimin e Komisionit Evropian, që është pritur me kritika të ashpra nga grupet mjedisore dhe që pritet të krijojë edhe sfida ligjore.

Ndërkohë që BE-ja dëshiron të krijojë standartet më të mira globale në luftën kundër ndryshimit klimatik, ky vendim mund të dëmtojë imazhin e BE-së dhe mund të vërë në pikëpyetje angazhimin e këtij rajoni për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.

Komisioni Evropian e kishte paraqitur propozimin më herët këtë vit në kuadrin e përpjekjeve për të ndërtuar një të ardhme miqësore për mjedisin, duke krijuar kështu ndasi mes vendeve anëtare dhe kritika nga aktivistët mjedisorë, të cilët e konsiderojnë këtë një përpjekje për të krijuar një imazh fals se po mbrohet mjedisi.

Ligjvënësit evropianë që janë anëtarë të komisioneve për mjedisin dhe ekonominë e kundërshtuan muajin e kaluar propozimin, për të cilin u votua të mërkurën në seancë plenare në Strasburg të Francës. Shumica e ligjvënësve të pranishëm në plenare, hodhën poshtë kundërshtitë e kolegëve të tyre, duke votuar 328 pro me 278 kundër, ndërsa 33 ligjvënës abstenuan. Rezultati i votimit u prit me duartrokitje.

Për të hedhur poshtë një propozim të Komisionit Evropian, nevojitet një shumicë absolute prej 353 votash kundër. Nëse Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare nuk ngrenë kundërshti deri më 11 korrik, i ashtuquajturi ligji për “Taksonominë” e deleguar do të hyjë në fuqi dhe do të fillojë të zbatohet vitin e ardhshëm.

Organizata mjedisore “Greenpeace” njoftoi menjëherë se do të paraqesë një kërkesë formale për një rishikim të brendshëm në Komisionin Evropian, dhe në vazhdim do të ndërmarrë hapa ligjore në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, nëse nuk arrihet rezultati i duhur.

“Është politikë jo e pastër dhe është një rezultat revoltues që gazi dhe energjia bërthamore të emërtohen ‘të blertë’ dhe më shumë fonde të vazhdojnë të shkojnë drejt fondit të luftës së (Presidentit rus Vladimir) Putinit. Megjithatë, ne do ta luftojmë këtë në gjykata”, tha Ariadna Rodrigo, nga organizata “Greenpeace”.

Raportuesi i Parlamentit Evropian, Bas Eickhout, shprehu keqardhjen për “një ditë të errët për tranzicionin klimatik dhe energjitik”.

Sistemi i klasifikimit “të blertë” nga Komisioni Evropian është mekanizmi që përcakton se çfarë kualifikohet si një investim për energjinë miqësore me mjedisin. Nën disa rrethana të caktuara, tashmë gazi natyror dhe energjia bërthamore do të bëhen pjesë e kësaj kategorie, duke e bërë më të lehtë për investitorët privatë që të japin fonde për të dyja këto burime energjie.

Ndërkohë që BE-ja synon të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2050 dhe të ulë çlirimin e gazrave ndotës me të paktën 55% deri në vitin 2030, Komisioni Evropian thotë se sistemi i klasifikimit është jetik për të orientuar investimet drejt energjisë miqësore me mjedisin. Sipas Komisionit, do të nevojiten rreth 350 miliardë Euro investime në vit, për të arritur objektivat e vendosur për vitin 2030.

Futja në këtë klasifikim të gazit natyror dhe energjisë bërthamore ka përçarë 27 vendet anëtare, ndërkohë që Rusia po bën luftë në Ukrainë. Ndasitë janë shfaqur edhe mes grupeve politike në Parlamentin Evropian./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat