​Studimi: Gjermania do të humbasë 260 miliardë euro

Evropë

​Studimi: Gjermania do të humbasë 260 miliardë euro

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 08:41
Olaf Scholz

Lufta në Ukrainë dhe çmimet e larta të energjisë po i kushtojnë Gjermanisë qindra miliarda euro, thuhet në një studim të fundit. Ekonomia gjermane do të humbasë si pasojë e këtyre zhvillimeve deri në vitin 2030 mbi 260 miliardë euro.

Ky është konstatimi i një studimi që kanë punuar së bashku tre institute kërkimore: Instituti për Tregun e Punës dhe Formimin Profesional (IAB), Instituti Federal për Formimin Profesional dhe Shoqëria për Kërkimin e Strukturës Ekonomike.

Sipas studimit të publikuar të martën (09.08), konflikti po dëmton edhe punësimin. Vitin e ardhshëm, rreth 240.000 vetë më pak mund të punësohen sesa para luftës - mesatarja për vitet 2022-2028 do të ishte 150.000 njerëz, raporton Deutsche Welle.

Sipas studimit, produkti i brendshëm bruto (GDP) i rregulluar me çmimin në vitin 2023 do të jetë rreth 1,7 për qind më i ulët se sa po të mos kishte ndodhur sulmi rus në Ukrainë.

"Rritja ekonomike po dobësohet veçanërisht nga rritja e çmimeve të lëndëve të para fosile. Ato po rëndojnë si ekonominë e eksportit, ashtu edhe konsumin e familjeve private."

Për parashikimin e tyre, studiuesit supozuan se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten në fuqi deri në vitin 2030, edhe nëse lufta përfundon më parë. "Për shkak të efekteve të luftës, rritja e parashikuar pas Coronës ka dështuar," shpjegoi Enzo Weber nga IAB.

Sipas studimit, një nga humbësit e mëdhenj në situatën aktuale do të jetë sërish industria e gastronomisë dhe hotelerisë, e cila është goditur keq edhe nga pandemia e virusit Corona. Këto fusha ekonomike do të ndjejnë dukshëm edhe humbjen e fuqisë blerëse tek qytetarët. "Për shkak të shpenzimeve më të ulëta të konsumatorëve, do të ulet edhe numri i punonjësve në këto fusha”, thotë studimi. Humbës të tjerë do të jenë sektorët me energji, si industria kimike dhe prodhimi i metaleve, por edhe shërbimet sociale.

Për vitin 2030, studimi sheh një efekt pozitiv prej 60.000 vende të reja pune. Por kjo vlen vetëm nëse çmimet e energjisë nuk rriten edhe më shumë. Nëse kjo ndodh, Gjermania do të rrëshqasë në recesion, paralajmëroi Weber.

Deutsche Welle raporton se në një skenar tjetër, ku çmimet e energjisë rriten dy herë më shpejt, studiuesit shohin ndikimin më të madh në tregun e punës në vitin 2024, me 660.000 punëtorë më pak sesa sikur të mos kishte luftë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat