Italia po shkon djathtas. Ja pse Georgia Meloni mund të hyjë në histori!

Evropë

Italia po shkon djathtas. Ja pse Georgia Meloni mund të hyjë në histori!

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 14:54
Georgia Meloni

E ardhmja politike e Italisë duke se do të shkojë djathtas sipas të gjitha sondazheve dhe analistëve që njohin mirë politikën atje.

45-vjeçarja Georgia Meloni një yll në ngritje, pas kësaj të diele mund të bëjë histori, jo vetëm për shkak të gjinisë së saj, por sepse ajo drejton një parti që është më në të djathtë se çdo lëvizje politike kryesore që Italia ka parë që nga ditët e ish-udhëheqësit të saj fashist, Benito Musolini.

Partia e saj (Fratelli d’Italia) mezi rrëmbeu 4% të votave në 2018, por kësaj radhe forca e saj politike pritet të ngrihet dukshëm në 25 përqind e të shtyjë një aleancë të partnerëve konservatorë në një shumicë të qartë parlamentare. Giorgia Meloni pati një fjalim të fortë në  mbylljen  e fushatës.

“Për ne politika do të thotë dashuri dhe jo urrejtje.. Është një mision për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo një kryqëzatë kundër armiqve tanë. Ky është një ndryshim thelbësor mes nesh dhe partive të majta. Kontrabandistët duhet të kenë frikë nga ne sepse koha e tyre për të bërë më shumë para ka  mbaruar . Ata duhet të kenë frikë nga ne të gjithëve, trafikantët e drogës, përdhunuesit, rrëmbyesit, gënjeshtarët, hajdutët, camorra, mafia, Ndrangheta. Këta njerëz duhet të kenë frikë ne, po. Por italianët e mirë nuk duhet të kenë frikë nga ne”- shprehet Meloni.

Partia e Melonit ka një agjendë, rrënjët  e së cilës vijnë nga euroskepticizmi.  Ajo  vë në dyshim hapur të drejtat e LGBTQ+ dhe abortit, synon të frenojë imigracionin dhe duket e fiksuar me idenë se vlerat tradicionale dhe mënyrat e jetesës janë nën sulm për shkak të çdo gjëje nga globalizimi te martesat e të njëjtit seks.

Partnerët e Melonit në aleancën politike të qendrës së djathtë të Italisë, Salvini dhe Silvio Berlusconi i Forza Italia, janë pjesërisht përgjegjës për popullaritetin e saj. në zgjedhjet e 2018, Meloni ishte partnerja më e vogël e Salvinit në aleancën e qendrës së djathtë. Por këtë herë, ajo është në krye dhe ka lënë të kuptohet se, nëse zgjidhet, ajo mund të mos i japë Salvinit një portofol ministror – gjë që do t’i hiqte atij fuqinë për të rrëzuar potencialisht qeverinë e saj.

Në autobiografinë e saj ajo shkruan, se është e vetëdijshme, që politikisht po ecën në një fushë të minuar: Një simbol i fashistëve është vazhdimisht i pranishëm, kur Giorgia Meloni p.sh. jep konferenca shtypi në selinë e partisë.

Pas saj qendron logoja e Frateli d’Italia: një flakë e stilizuar me ngjyrat italiane. Kjo flakë e përjetshme në kuptimin figurativ flakëron në varrin e Mussolinit. “Unë s’kam asgjë, për t’u shfajësuar në jetën time. Por në një nga tre diskutime televizive më këkrohet të flas për historinë dhe jo për politikën aktuale. Kjo nuk është e drejtë.”

Në përgatitjet për fushatën e kaluar elektorale Giorgia Meloni i pati udhëzuar anëtarët e partisë së saj në mbledhjet e brendshme që të mos bëjnë më deklarata ekstreme, të mos i referohen më fashizmit dhe në radhë të parë të mos përdorin më „përshëndetjen romake”, “përshëndetjen hitleriane” me dorën e djathtë të shtrirë.

Meloni ndryshon nga Berlusconi dhe Salvini për një sërë çështjesh, përfshirë Ukrainën, dhe nuk ka asnjë lidhje me presidentin rus Vladimir Putin, ndryshe nga partnerët e saj, të cilët kanë thënë se do të donin të rishikonin sanksionet kundër Rusisë për shkak të ndikimit të tyre në ekonominë italiane. Në vend të kësaj, Meloni ka qenë e palëkundur në mbështetjen e saj për mbrojtjen e Ukrainës.

Zgjedhjet italiane vijnë pasi partitë e tjera të ekstremit të djathtë në vende të tjera evropiane kanë shënuar fitore të fundit.

Në Francë, pavarësisht se kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen humbi zgjedhjet presidenciale franceze nga Emmanuel Macron në prill, mbështetësit e saj u entuziazmuan me pjesën e saj të votës popullore, e cila e zhvendosi qendrën politike të Francës në mënyrë dramatike në të djathtë.

Dhe në Suedi, Demokratët e Suedisë kundër imigracionit, një parti me rrënjë neo-naziste, pritet të luajë një rol të madh në qeverinë e re pasi fitoi pjesën e dytë më të madhe të vendeve në zgjedhjet e përgjithshme në fillim të këtij muaji.

Nëse partia e Melonit fiton, mund të konfirmojë shumë mirë se një valë populiste e ringjallur që ka përfshirë Evropën është këtu për të qëndruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat