Një grua vdes në hyrje të një qendre votimi në Sarajevë

Evropë

Një grua vdes në hyrje të një qendre votimi në Sarajevë

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 16:53
Foto nga vendngjarja

Një qendër e votimit në Grabavicë të Sarajevës është mbyllur përkohësisht, pasi një 81-vjeçare ka vdekur në hyrje të qendrës, raporton “Dnevni Avaz”.

81-vjeçarja ka vdekur pas një sulmi epileptik.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ndihma e shpejtë dhe Policia. Mjekët bënë të pamundurën për ta shpëtuar gruan, por fatkeqësisht nuk pati asnjë mënyrë për ta shpëtuar, shkruajnë mediet vendase.

Bosnjë-Hercegovina po mban sot zgjedhjet e përgjithshme për presidencën kolektive si dhe ligjvënësit në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal. Në zgjedhje marrin pjesë parti historike nacionaliste si dhe parti reformatore, të cilat janë të fokusuara te çështjet ekonomike.

Rreth 3.4 milionë njerëz kanë të drejtën e votës në vendin që vazhdon të përballet me probleme etnike, midis politikave separatiste serbe dhe kërcënimeve për bllokada nga kroato – boshnjakët.Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura për 12 orë. Për këto zgjedhje janë akredituar mbi 60.000 vëzhgues.

Votuesit në Bosnjë-Hercegovinë mund të zgjedhin nga mbi 100 parti dhe koalicione, në zgjedhjet e 8-ta të përgjithshme të vendit.

Por, sipas analistëve, peizazhi paszgjedhor në këtë shtet të Ballkanit me gjasë do të dominohet nga personalitete të njëjta politike, që kanë lulëzuar në krizat ekzistenciale përgjatë viteve, dhe madje kanë përforcuar qëndrimet e tyre etnike gjatë fushatë zgjedhore.

Bosnja-Hercegovina përfshin dy rajone autonome, Republikën serbe të dominuar nga serbët dhe një federatë të përbërë nga boshnjakë dhe kroatë, të cilët janë të lidhura nga një qeverisje qendrore e dobët.

Fushata elektorale u dominua nga gjuha e urrejtjes dhe retorika nacionaliste, duke u fokusuar te tema e mbrojtjes së interesave nacionaliste apo te kriticizmi ndaj oponentëve sesa në çështje të tilla si punësimi apo inflacioni gjithnjë në rritje.

Mungesa e sondazheve politike të besueshme e ka bërë të vështirë që të parashikohet rezultati zgjedhor, por shumë analistë besojnë që partitë nacionaliste do të vazhdojnë të mbizotërojnë dhe ndryshimet më të mëdha do të vijnë nga qytetarët boshnjakë myslimanë.

Lideri i partisë më të madhe Partia për Veprim Demokratik, Bakir Izetbegoviç, po konkuron për rolin e presidentit të pjesës boshnjake, dhe është në një garë të ngushtë me Denis Beciroviç, i cili përfaqëson një grupim të 11 partive të opozitës.

Vëmendje po ashtu i kushtohet garës në Republikën Sërpska dhe liderit të saj, Milloard Dodik, i cili po shtyn përpara përpjekjet për shkëputjen e këtij rajoni të dominuar nga serbët. Dodik ka raporte të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe llogarit në mbështetjen e tyre diplomatike dhe edhe në mbështetjen që t’i rezistojë strukturave federale të Bosnjës dhe presionit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat