Censurë dhe bllokadë, si po i mban Putin nën kontroll mediat; 15 vite burg për këdo që del kundër linjës së Kremlinit

Evropë

Censurë dhe bllokadë, si po i mban Putin nën kontroll mediat; 15 vite burg për këdo që del kundër linjës së Kremlinit

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 15:27
Vladimir Putin

Mediat në Rusi janë të kufizuara dhe të censuruara. Kremlini kontrollon narrativën e luftës në Ukrainë, veçanërisht në televizion, i cili që nga 24 shkurti ka lavdëruar pushtimin rus të vendit fqinj dhe e ka cilësuar si një mision çlirimtar. Mediat nuk kanë raportuar madje edhe krimet e kryera nga ushtria ruse në Ukrainë.

Për shumicën e rusëve, televizioni, kryesisht shtetëror, është burimi kryesor i lajmeve, i cili bazohet kryesisht në propagandën e luftës.

Në mediat ruse thuhet se ukrainasit po bombardojnë qytetet e tyre, ndërsa trupat ruse paraqiten si çlirimtarë. Kur bëhet fjalë për shtypin, ka shumë mendime të ndryshme, por ato në përgjithësi ndjekin linjën e Kremlinit.

Kur filloi lufta, mbikëqyrësi i medias ruse Roskomnadzor urdhëroi mediat të fshinin raportet për inkursionin ushtarak të Rusisë në një vend fqinj që përdorte fjalët “sulm”, “pushtim” ose “shpallje lufte”, citon “Danas”.

Në fund të shkurtit, Roskomnadzor filloi një hetim për përhapjen e informacionit publik jo të besueshëm kundër gazetave të pavarura dhe mediave të tjera, për shkak të mbulimit të luftës në Ukrainë. Mediat u akuzuan për publikimin e informacionit të pasaktë në lidhje me granatimet e qyteteve të Ukrainës dhe viktimat civile.

Në fillim të marsit, Rusia miratoi një ligj sipas të cilit publikimi i “informacioneve të rreme” për atë që po bën ushtria ruse dënohet me 15 vjet burg. Në praktikë, kjo do të thotë një dënim për publikimin e çdo informacioni që do të vinte në dyshim narrativën e Kremlinit për fushatën e luftës në Ukrainë.

Mediat madje u ndaluan ta quajnë konfliktin “luftë”, por në vend të kësaj iu kërkua ta quajnë atë “operacion special ushtarak”. Si rezultat, disa nga ato pak media të pavarura të mbetura në Rusi filluan të censurohen dhe më pas të mbyllen.

Mediat perëndimore në Rusi

Një javë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, Roskomnadzor, me kërkesë të prokurorisë ruse, kufizoi aksesin në faqet e internetit të disa mediave botërore perëndimore që transmetohen në rusisht, duke forcuar kontrollin mbi internetin. Arsyeja e dhënë ishte shpërndarja sistematike e informacionit të rremë për operacionin special ushtarak në Ukrainë.

Është bllokuar qasja në faqet e BBC-së, Deutsche Ëelle-s gjermane, Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, si dhe portali i njohur me qendër në Letoni, Meduza.

Rusia është ankuar më parë se organizatat e mediave perëndimore ofrojnë një pikëpamje të pjesshme dhe shpesh anti-ruse të botës. Shpjegimi zyrtar ishte se degët ruse të mediave perëndimore po përhapnin informacion dukshëm të rremë në lidhje me sulmin e supozuar rus në territorin ukrainas.

Aktualisht, në Rusi aksesi në mediat perëndimore në Rusi është i mundur me kufizime, që në praktikë do të thotë se më së shpeshti bllokohet. Faqet e internetit dhe lajmet e mediave perëndimore, si BBC, Deutsche Ëelle, Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, nuk mund të aksesohen në pjesën më të madhe, kështu që i ashtuquajturi kufizim në fakt përbën një bllokadë.

Rrjetet sociale

Kur bëhet fjalë për rrjetet sociale, Facebook dhe Instagram mund të aksesohen vetëm nga Rusia përmes një VPN. Ka disa aplikacione VPN, por shpeshherë edhe bllokohen, ndaj përdoruesit e rrjeteve sociale të META-s shpesh duhet t’i ndryshojnë.

Një problem shtesë që irriton shumë përdoruesit e Facebook dhe Instagram është se kur përdorin aplikacione të tjera që kërkojnë vendndodhjen aktuale, siç janë aplikacionet bankare, ata duhet të çaktivizojnë VPN-në. Tëitter funksionon pa VPN, ndërsa aplikacionet nga kompanitë mediatike si BBC, CNN, Medusa dhe të tjera nuk mund të aksesohen pa VPN.

Kur bëhet fjalë për motorët e kërkimit, nëse kërkoni termin “Ukrainë” ose “luftë në Ukrainë” përmes motorit rus të kërkimit Yandex, lajmet e para që do të dalin do të jenë në përputhje me politikën e Kremlinit. Kjo sepse faqet e para në kërkim do të lidhen me media pro-qeveritare, jo me media të pavarura. Nëse motori i kërkimit Google përdoret në gjuhën ruse, mediat afër Kremlinit do të shfaqen të parat, me burime të herëpashershme të pavarura dhe perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat