Të burgosurit politikë në Bjellorusi në gjendje shumë të rëndë

Evropë

Të burgosurit politikë në Bjellorusi në gjendje shumë të rëndë

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (IGFM) tha të premten se gjendja e të burgosurve politikë në Bjellorusi është shumë e rëndë.

Kjo shoqatë kërkoi që mjekë të pavarur ta vizitojnë anëtaren e burgosur të opozitës, Maria Kolesnikova.

Opozitarja 40-vjeçare, një nga emrat më të njohur të opozitës bjelloruse, është dënuar me 11 vjet burgim në shtator të vitit 2021.

Sipas IGFM-së, në Bjellorusi janë aktualisht rreth 1.400 të burgosur politikë.

Selia e kësaj shoqate, e cila është e vendosur në qytetin gjerman, Frankfurtit, i bëri thirrje ministrisë së Jashtme gjermane për të mbështetur kërkesën e tyre për vizitë tek Kolesnikova.

Përveç kësaj, ata kërkuan që babai dhe avokati i saj të lejoheshin ta vizitonin atë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, shkroi në Twitter se regjimi në Minsk duhet të garantojë shëndetin e opozitares bjelloruse dhe ta lirojë atë.

“Angazhimi i saj ndaj demokracisë nuk është krim” tha Baerbock.

Kolesnikova ishte një ndër drejtueset e protestave mbarëkombëtare kundër zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vitit 2020, në të cilat presidenti Alexander Lukashenka e shpalli veten fitues.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, e cila u detyrua të largohej nga vendi, Svyatlana Tsikhanouskaya, tha në shtator se Rusia nuk e sheh as Bjellorusinë e as Ukrainën si shtete të pavarura dhe sovrane.

Sipas saj, të dyja vendet duhet të luftojnë së bashku për të mbrojtur ekzistencën e tyre.

Lukashenka është një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e ka mbështetur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Moska.

Tsikhanouskaya tha deklaroi atëherë se Lukashenka duhej ta mbështeste Rusinë pas pushtimit të Ukrainës, sepse Putini e mbështeti atë pas protestave masive kundër pretendimit të tij për fitore në zgjedhjet e manipuluara të vitit 2020.

Vendet perëndimore e kanë dënuar Bjellorusinë, ashtu si Rusinë, me një listë gjithnjë e në rritje sanksionesh të ashpra financiare në përgjigje të luftës së Kremlinit kundër Ukrainës dhe për përpjekjet e Bjellorusisë për të ndihmuar pushtimin rus.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat