Stoltenberg: Rusia po mundohet ta ngrijë luftën për t’u përgatitur për sulm të ri

Evropë

Stoltenberg: Rusia po mundohet ta ngrijë luftën për t’u përgatitur për sulm të ri

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 14:30
Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Rusia është duke u përpjekur që t’i ngrijë luftimet në Ukrainë gjatë dimrit për t’i përgatitur forcat e saj për sulm të ri vitin e ardhshëm.

Sipas zyrtarit të lartë të aleancës, ende nuk ekzistojnë kushtet për zgjidhje paqësore për luftën. Ai e bëri këtë koment në një tubim të organizuar nga gazeta “Financial Times”, pas spekulimeve për mundësinë e zhvillimit të bisedimeve diplomatike.

“Kushtet [për bisedime] nuk janë aty tani, sepse Rusia nuk ka shfaqur shenja të angazhimit në bisedime, që janë respektimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Ukrainës”- tha ai.

“U përket ukrainasve që të vendosin se kur është koha e duhur për t’i filluar bisedimet dhe për t’u pajtuar me kushtet. Shumica e luftërave dhe, sipas shumë gjasave, edhe kjo luftë do të përfundojë në tavolinën e bisedimeve”- shtoi sekretari i NATO-s.

Ai u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që ta vazhdojnë dërgimin e armëve në Ukrainë gjatë dimrit, sepse, sipas tij, Rusia është duke kërkuar një pushim në luftime për t’u përgatitur për një ofensivë në pranverë.

“Ajo që e shohim tani, është që Rusia është duke u përpjekur që ta ngrijë këtë luftë, të paktën për një periudhë të shkurtër, në mënyrë që ata të mund të rigrupohen, të riparojnë e të rimëkëmben e të mundohen që të nisin një ofensivë më të madhe pranverën e ardhshme”- tha Stoltenbergu.

“Paradoksi është që sa më shumë që duam një zgjidhje paqësore e të negociuar, duke u siguruar që Ukrainë të ngadhënjejë, aq më urgjente është që t’i ofrojmë përkrahje ushtarake Ukrainës”- tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat