LIVE: Sulme me raketa ruse në rajonin e Donetskut - Rusia merr hapin e radhës, vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi!

Evropë

LIVE: Sulme me raketa ruse në rajonin e Donetskut - Rusia merr hapin e radhës, vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi!

Më: 25 mars 2023 Në ora: 09:05 Përditësuar në ora: 10:52 më 25.03.2023
Vladimir Putin

Ukraina dhe Rusia vazhdojnë luftimet e ashpra në Bahmut

Luftime të ashpra kanë vazhduar në afërsi të qytetit lindor ukrainas të Bahmutit, me Rusinë që ka kryer dhjetëra sulme në 24 orët e fundit, tha ushtria ukrainase më 25 mars.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se ka pasur 59 përleshje në frontin përgjatë Bahmutit në zonën e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës, Marinkës dhe Shaktarskut. Në këto zona, për javë të tëra janë zhvilluar luftime intensive.

Një ditë më herët, ushtria ukrainase tha se nuk ka parë reduktim të operacioneve ruse në zonën e Bahmutit, pavarësisht pretendimeve të disa analistëve se ofensiva disamujore e Moskës është dobësuar.

Instituti për Studime të Luftës – me seli në Shtetet e Bashkuara – ka shkruar se “ofensiva e gjerë pranverore ruse duket se ka kulmuar” dhe se “komanda ushtarake ruse do të duhet të vendosë një numër të madh të forcave në frontin e luftës .... për të rinisur operacionet e ofensivës”.

Forcat ukrainase kanë kryer sulme ajrore ndaj pozicioneve ruse në këtë rajon dhe raportohet se kanë rrëzuar një helikopter ushtarak rus të llojit Mi-24.

Forcat e Mbrojtjes Territoriale në rajonin jugor të Hersonit raportuan më 25 mars se ka pasur një sërë sulmesh dhe granatimesh në 24 orët e fundit. Disa sulme ajrore kanë goditur zonat e banuara, u tha në deklaratë, dhe dy civilë u vranë.

Këshilli i qytetit të Hersonit një ditë më parë udhëzoi banorët që jetojnë afër lumit Dnjepër që të largohen “në zona të sigurta”.

“Për shkak të sulmeve të vazhdueshme, është e pamundur të ofrojmë furnizime të qëndrueshme të ujit dhe ngrohjes”, tha këshilli përmes një postimi në Telegram. “Opsioni më i mirë për të mbrojtur veten dhe më të dashurit tuaj është të evakuoheni në zona më të sigurta”.

Zyrtarët thanë se kanë organizuar transport me autobus nga Hersoni për në Odesa dhe se 59 civilë u evakuuan më 24 mars.

Gjermania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Gjermania ka njoftuar një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën.

Paketa e re e ndihmës ushtarake përfshin:

3 tanke Dachs, si dhe tanke Leopard 2, automjete luftarake të këmbësorisë Marder, 70 mitralozë MG 3 dhe 30 sisteme zbulimi të dronëve.

Sipas informacioneve, mjetet luftarake të këmbësorisë Marder tashmë janë dërguar në Ukrainë.

Gjenerali ukrainas: Beteja për Bakhmutin, më e vështira në vijat e frontit

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës theksoi vështirësinë e betejës për qytetin lindor të Bakhmutit gjatë një telefonate të premten me kreun e Forcave të Armatosura Britanike.

Gjenerali ukrainas, Valerii Zaluzhnyi ndau një postim në Telegram ku përshkruante bisedën e tij me shefin e shtabit të mbrojtjes të Britanisë, Ad. Sir Tony Radakin, raporton CNN.

“E njoftova kolegun tim për situatën operative në të gjithë vijën e frontit. Situata në drejtimin Bakhmut është më e vështira. Për shkak të përpjekjeve titanike të Forcave të Mbrojtjes, situata është stabilizuar”, ka shkruar Zaluzhnyi.

Ne diskutuam gjithashtu çështjen e forcimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Falë ndihmës së partnerëve tanë, ne po mbajmë dhe do të fitojmë patjetër,” shtoi ai.

“Do t’i japin tre goditje forcave ruse”/ Aleati i Putinit shfaq hartën e Krimesë, tregon se si mund të kapitullojë Rusia në Ukrainë

Njeriu i parë i grupit mercenarë rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin tregon në detaje se si Ukraina planifikon ta rikthejë Krimenë.

Ai është aq i sigurt për këtë saqë para kamerave ka shfaqur hartën e gadishullit të aneksuar në vitin 2014, duke shpjeguar se si do të sulmonte ushtria ukrainase.

Prigozhin mund të ketë të drejtë, duke marrë parasysh sulmet e shpeshta të ushtrisë ukrainase në Krime, apo ndoshta është vetëm një shfaqje. Nëse është kjo e fundit, çfarë po synon Prigozhin?

Siç tha kreu i grupit më famëkeq mercenar rus, ukrainasit dëshirojnë “t’i japin tri goditje forcave ruse dhe ta çlirojnë territorin deri në kufijtë e vitit 1991”. Gjithashtu, Prigozhin pretendon se Ukraina ka përqendruar 200 mijë ushtarë në Donbas, nga të cilët 80 mijë janë afër Bakhmutit.

“Planet përfshijnë një pushtim të rajonit të Belgorodit në Rusi që do të përdorej për këmbim me Luhanskun dhe Donbasin dhe më në fund çlirimin e Krimesë”, thotë Prigozhin ndërsa vizaton në një hartë të Ukrainës.

Më tej ai shpjegon se janë krijuar kushtet për sulmin ukrainas.

“Çfarë po bën armiku? Pranvera po vjen. Toka po thahet, era po fryn, temperatura janë nga 15 në 18 gradë Celsius. E gjithë kjo mundëson lëvizjen e mjeteve të rënda nëpër terren. Ukrainasit morën një numër të madh automjetesh të ndryshme nga NATO, automjete të blinduara, tanke Leopard për të cilët të gjithë po flasin. Ata përgatitën 200 mijë rezervistë. Do t’i përqendrojnë në vende të ndryshme”, thotë njeriu i njohur si kuzhinieri i presidenti rus, Vladimir Putin.

Një plan i detajuar

Ai shton se ushtria ukrainase do të marshojë në Belgorod dhe se kufiri midis tij dhe Kharkivit duhet të forcohet për të qenë i padepërtueshëm.

“Më pas do të tentojnë të kalojnë linjën Svatova-Kremin për të arritur në Valujki. Së treti, ata do të përqendrohen në Bakhmut për të sulmuar formacionet ruse, për të demoralizuar forcat dhe për të fituar një avantazh. Pasi ta kontrollojnë Bakhmutin, do t’iu hapet rruga përpara. Një grup prej 80 mijë trupash është përqendruar rreth Bakhmutit dhe duke mbajtur këtë linjë, ata mund të përpiqen të ndalojnë njësitë e Wagner. Kur ta bëjnë këtë, ata do të hapin një rrugë prej 30 deri në 40 km ku mund të përqendrohen”, pohoi ai.

“Ata do të lëvizin në disa drejtime në të njëjtën kohë – nga poshtë në Lisichansk-Severodonetsk, duke u përpjekur të ndajnë Luhanskun dhe Donetskun në dy pjesë. Pastaj do të përqendrohen rreth Dnieperit dhe do të lëvizin drejt Zaporizhzhia. Do të kryejnë disa sulme për të fituar Berdyansk, Melitopol dhe Mariupolin, duke bllokuar kështu Krimenë. Pastaj ata do të shkojnë në urën e Krimesë dhe do ta kthejnë situatën si në kufijtë e vitit 1991”, thotë Prigozhin.

Çfarë fshihet pas analizës së Prigozhinit?

Prigozhin shpjegoi në detaje planin e palës ukrainase pa shpjeguar se si i mori informacionet e lartpërmendura. Pyetja është, megjithatë, pse Prigozhin nuk ia tregoi Kremlinit dhe jo para kamerave?

Ndoshta përgjigja duhet kërkuar në marrëdhëniet e komplikuara, ose më mirë të këqija me Kremlinin dhe veçanërisht me njeriun e parë të ushtrisë ruse, Sergei Shoigu.

Prigozhin më parë drejtoi publikisht gishtin nga ministri rus i Mbrojtjes për shkak të rezultateve të dobëta të ushtrisë ruse, e cila u detyrua të tërhiqej nga ofensiva ukrainase në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit në jug, në Kherson, por edhe në lindje, ku në atë kohë Moska kontrollonte pothuajse 100 për qind të rajonit të Luhanskut dhe pjesën më të madhe të rajonit të Donetskut, duke përfshirë portin kyç të Mariupolit.

Gjithashtu, njeriu i parë i familjes Wagner pretendon se Shoigu dhe ministria e tij nuk siguruan armë dhe furnizime të mjaftueshme për trupat në vijën e frontit në Bakhmut.

Përçarja u bë më se e dukshme, prandaj edhe letra dramatike e Prigozhinit drejtuar Shoigut, në të cilën ai paralajmëron një kundërsulm të mundshëm ukrainas në fund të marsit ose në fillim të prillit, shkaktoi shumë dyshime.

“Situata është e vështirë, shumë e vështirë, armiqtë po luftojnë për çdo metër”, tha Prigozhin dhe i bëri thirrje Shoigut të zbatojë masat për të parandaluar një ofensivë të mundshme ukrainase dhe për të parandaluar që mercenarët të rrethohen në Bakhmut.

Jo shumë kohë pas kësaj letre, Prigozhin qëndroi para kamerave për të shpjeguar ofensivën e mundshme.

Pyetja që lind është nëse Prigozhin është vërtet i shqetësuar për situatën në front apo thjesht po i bën presion mediatik Shoigut për ta detyruar që t’i dërgojë grupit Wagner, armët e kërkuara?

Përgjigja për këtë pyetje do të dihet në ditët në vijim, ndoshta edhe në orët e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat