Një person i maskuar futet në kompleksin banesor ku banon kancelari Scholz

Evropë

Një person i maskuar futet në kompleksin banesor ku banon kancelari Scholz

Më: 28 mars 2023 Në ora: 10:59
Olaf Scholz

Përderisa kancelari gjerman, Olaf Scholz, ishte i zënë duke u përpjekur që ta mbajë të bashkuar koalicionin qeveritar, një person i maskuar me maskë Halloween-i u mundua që të hynte në vendin ku banon kancelari.

Të dielën në mbrëmje, një person me doreza, maskë dhe bateri dore siguroi qasje në një kompleks banesor në Potsdam, qytet në periferi të Berlinit, ku jeton Scholz-i, raportoi të hënën revista gjermane “Der Spiegel”, duke cituar disa zyrtarë të sigurisë dhe duke publikuar pamje të kamerave të ndërtesës, raporton“Politico”.

Personi u mundua që të hynte në një banesë dhe pastaj iku nga vendi i ngjarjes, pasi u vërejt, raporton revista gjermane. Megjithatë, ai nuk pati qasje në ndërtesën ku ndodhet banesa e kancelarit gjerman.

Image
Personi i maskuar

Scholz-i nuk ndodhej në banesë në kohën e këtij rasti. Ai ishte duke u përpjekur për ta ruajtur unitetin e koalicionit qeveritar – i përbërë nga socialdemokratët, të gjelbrit dhe FDP-ja liberale – në një takim që zgjati rreth 20 orë dhe përfundoi pa marrëveshje për disa çështje të pazgjidhura.

Përderisa rezidenca zyrtare e kancelarit është Kancelaria Federale në Berlin, jo të gjithë udhëheqësit e qeverisë vendosin që të jetojnë aty.

Gjatë kohës së saj në pushtet, ish-kancelarja Angela Merkel jetonte në një banesë civile në qendër të Berlinit, ku kishte masa të kufizuara të sigurisë.

Sipas revistës “Der Spiegel”, autoritetet po ndërmarrin masa më të rrepta të sigurisë pas incidentit në kompleksin banesor ku ndodhet banesa e kancelarit Scholz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat