Përshkallëzohen protestat në Francë: Qytetarët përplasje me policinë, arrestohen 30 persona

Evropë

Përshkallëzohen protestat në Francë: Qytetarët përplasje me policinë, arrestohen 30 persona

Më: 1 maj 2023 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë në Francë, në Ditën e Punës, për të protestuar sërish kundër reformës së sistemit të pensioneve, e cila u krye nga qeveria e presidentit Emmanuel Macron.

Gjatë ditës protestat e 1 Majit në Paris morën një kthesë të dhunshme, ku policia franceze bëri rreth 30 arrestime.

Demonstruesit hodhën koktej molotovi dhe sende të tjera ndaj oficerëve të policisë, njëri prej të cilëve mori flakë.

Forcat u përpoqën të përçajnë një grup protestuesish, raportojnë mediat franceze.

Ndërkohë incidente ka pasur edhe në Lion, raporton BFMTV, duke shtuar se makina dhe dyqane janë dëmtuar.

Demonstratat u mbajtën që në mëngjes në shumë qytete të mëdha dhe më të vogla. Sindikatat kishin organizuar më shumë se 300 mitingje.

Në të gjithë vendin, autoritetet prisnin midis 500,000 dhe 650,000 protestues. Vetëm në Paris u mblodhën 100,000 demonstrues. Numri është ulur dukshëm nga demonstratat e muajve të kaluar.

Sindikatat shpresonin se më shumë se 1 milion njerëz do të demonstronin sot në qytetet franceze. Vitet e fundit, demonstratat e 1 Majit në Francë kanë tërhequr nga 100,000 deri në 160,000 njerëz.

Qeveria e Macron e konsideron të mbyllur reformën e pensioneve, e cila rriti moshën e pensionit në 64 vjeç nga 62. Megjithatë sindikatat dhe disa anëtarë të opozitës nuk kanë hequr dorë nga lufta dhe duan të pengojnë zbatimin e projektligjit nga 1 shtatori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat