Kreu i Këshillit Zgjedhor turk: Rezultatet mund të dihen më shpejt sesa në raundin e parë

Evropë

Kreu i Këshillit Zgjedhor turk: Rezultatet mund të dihen më shpejt sesa në raundin e parë

Më: 28 maj 2023 Në ora: 14:23
Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK), Ahmet Yener.

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK), Ahmet Yener, shprehu dëshirën e tij që raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të sjellë dobi për shtetin dhe popullin turk.

Yener votoi në një qendër votimi në një shkollë në Ankara dhe më pas bëri një deklaratë për media. Siç tha ai, qytetarët treguan interesim të madh për zgjedhjet brenda dhe jashtë vendit në raundin e dytë.

“Unë dua që nga rezultatet e zgjedhjeve të përfitojnë populli turk, demokracia turke, partitë politike dhe kandidatët presidencialë. Zgjedhjet po vazhdojnë pa asnjë problem deri tani”, tha Yener.

I pyetur se kur mund të shpallen rezultatet e zgjedhjeve, Yener u shpreh se “rezultatet mund të dihen më shpejtë se sa në raundin e parë”.

Qendrat e votimit në të gjithë Türkiye-n u hapën mëngjesin e sotëm në orën 08:00 sipas kohës lokale, duke shënuar fillimin e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vendit.

Më shumë se 64 milionë qytetarë të Turqisë me të drejtë vote, në raundin e dytë zgjedhin mes presidentit aktual Recep Tayyip Erdoğan, kandidat i Aleancës Popullore dhe kandidatit të Aleancës Kombëtare opozitare, Kemal Kılıçdaroğlu.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, të drejtë vote do të kenë edhe 47.523 zgjedhës shtesë në krahasim me raundin e parë, të cilët ndërkohë kanë mbushur 18 vjeç.

Në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtur më 14 maj, Erdoğan fitoi 49,5 për qind të votave dhe lideri i opozitës turke, Kemal Kılıçdaroğlu, 44,89 për qind të votave. Aleanca Popullore e Erdoğan-it e udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) fitoi shumicën në parlamentin e shtetit në raundin e parë./Anadolu/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat