LIVE: Trupa në Ukrainë, Rusia paralajmëron konflikt me NATO-n - Ukrainasit vrasin me dron ushtarët rusë – pamjet e tmerrshme

Evropë

LIVE: Trupa në Ukrainë, Rusia paralajmëron konflikt me NATO-n - Ukrainasit vrasin me dron ushtarët rusë – pamjet e tmerrshme

Nga: Bota sot Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 07:00 Përditësuar në ora: 18:41 më 27.02.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Ukrainasit vrasin me dron ushtarët rusë – publikohen pamjet e tmerrshme pas sulmit

Ukrainasit po vazhdojnë me sukses të përballen me forcat ushtarake ruse.

Dy ushtarë rusë u eliminuan pranë Belgorodit nga një sulm me dron, një tjetër u plagos.

“Sapo i mora djemtë, po ktheheshim nga vija e parë, na sulmoi një dron”, thotë një i mbijetuar.

Sulmi në fshatin Pochaevo ndodhi në mbrëmjen e 26 shkurtit. Guvernatori tha se tre civilë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën.

Ai saktësoi se të sulmuarit ishin “punëtorë ndërtimi”. Mirëpo në videon nga vendi i ngjarjes shihet se i plagosuri është i veshur me uniforma ushtarake.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.

Rusia paralajmëron konflikt me NATO-n nëse trupat e saj luftojnë në Ukrainë

Kremlini i paralajmëroi aleatët evropianë të Kievit se dërgimi i trupave në Ukrainë, do të çonte “pashmangshëm” në luftë midis Rusisë dhe NATO-s.

Reagimi vjen pasi Franca tha se, pavarësisht mungesës aktuale të konsensusit, nuk duhet përjashtuar “asgjë”, e as dërgimin e forcave perëndimore në Ukrainë, për të parandaluar fitoren e Rusisë në këtë vend.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke folur pas një samiti të udhëheqësve të Evropës në Paris, më 26 shkurt, tha se ka një “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe më shpejt” për Ukrainën, e cila, tash e dy vjet, është duke luftuar pushtimin rus.

Pjesëmarrësit ranë dakord që të krijojnë një koalicion për ta furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë, si dhe me bomba.

Duke folur në një konferencë për gazetarët, Macron tha se “nuk ekziston ndonjë konsensus” për dërgimin e trupave tokësore evropiane në Ukrainë, për të luftuar në anën e saj, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë”.

“Rusia nuk mund ta fitojë atë luftë”, tha ai.

I pyetur në lidhje me deklaratat e Macronit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të martën se “vetë diskutimet për mundësinë e dërgimit të kontingjenteve të caktuara në Ukrainë nga vendet e NATO-s, janë një element i ri shumë i rëndësishëm”.

“Ne do të duhet të flasim jo për probabilitetin, por për pashmangshmërinë [e një konflikti të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s]”, tha Peskov.

Disa anëtarë evropianë të NATO-s kundërshtuan të martën mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë.

“Ajo që është dakorduar që nga fillimi mes nesh, vlen edhe për të ardhmen. Domethënë, nuk do të ketë ushtarë në tokën ukrainase, të dërguar atje nga shtetet evropiane apo shtetet e NATO-s”, u tha gazetarëve kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili mori pjesë në takimin në Paris.

Në Pragë, kryeministri çek, Petr Fiala, dhe homologu i tij polak, Donald Tusk, thanë se qeveritë e tyre nuk janë duke e konsideruar një mundësi të tillë.

“Unë jam i bindur se duhet t’i zhvillojmë rrugët e mbështetjes, që i kemi nisur pas agresionit të Rusisë”, tha Fiala.

“Unë besoj se nuk kemi nevojë të nisim metoda apo rrugë të tjera”, tha ai.

“Polonia nuk planifikon t’i dërgojë trupat e saj në territorin e Ukrainës”, shtoi Tusk.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se “aleatët e NATO-s po ofrojnë mbështetje të paprecedentë për Ukrainën”.

“Ne e kemi bërë këtë që nga viti 2014 dhe e kemi rritur pas pushtimit në shkallë të gjerë. Por, nuk ka plane për trupa luftarake të NATO-s në terren në Ukrainë”, tha Stoltenberg.

Në takimin në Paris morën pjesë edhe presidenti polak, Andrzej Duda, dhe udhëheqës të vendeve baltike. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan nga kryediplomati i tyre për Evropën, James O’Brien, ndërsa Britania dërgoi sekretarin e Jashtëm, David Cameron.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili iu drejtua takimit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund t’i shkatërrojë arritjet tona” dhe “nuk mund ta zgjerojë agresionin e tij kundër vendeve të tjera”.

Ukraina mbështetet shumë në furnizimet me armatim dhe municione nga aleatët e saj perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu rezistuar sulmeve gjithnjë e më intensive nga forcat ruse.

Trupat ukrainase, në mungesë armësh, u detyruan së voni të tërhiqen nga disa pozicione mbrojtëse në lindje, pasi një paketë e rëndësishme e ndihmës ushtarake amerikane, në vlerë prej 61 miliardë dollarësh, mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, të udhëhequr nga republikanët.

Evropa do ta ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativa”, në kohën kur ka pasiguri nga ana e SHBA-së, në lidhje me ndihmën, tha Macron.

Pjesëmarrësit në takim thanë se kishte mbështetje në rritje nga vendet evropiane, përfshirë Francën, për një nismë të Çekisë për të blerë municione dhe predha jashtë BE-së dhe për t’i dërguar ato në Ukrainë.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se vendi i tij është i gatshëm të japë më shumë se 100 milionë euro për këtë qëllim./REL

Italia kundër dërgimit të trupave në Ukrainë

Mbështetja e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë nuk përfshin dërgimin e trupave evropiane ose të NATO-s atje, tha të martën zyra e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në përgjigje të sugjerimeve franceze se asnjë opsion nuk duhet të përjashtohet.

“Që nga agresioni rus dy vjet më parë, ka pasur unitet të plotë midis të gjithë aleatëve në mbështetjen për Kievin.

Kjo mbështetje nuk përfshin praninë e trupave nga shtetet evropiane ose të NATO-s në territorin ukrainas”.

“Vende të tjera evropiane, përfshirë Hungarinë, Poloninë, Republikën Çeke, Gjermaninë dhe Britaninë, gjithashtu thanë se nuk kishin plane për të dërguar trupa tokësore në Ukrainë”, thuhet në reagimin e Zyrës së Melonit, shkruan The Guardian.

Reagon Kremlini pas lajmit se mund të ketë dërgim të trupave perëndimore në Ukrainë

Kremlini ka reaguar ndaj komenteve të Emmanuel Macron të Francës se dërgimi i trupave perëndimore në terren në Ukrainë nuk është “i përjashtuar” për të ardhmen.

Presidenti francez tha në një konferencë të djeshme në Paris se “nuk ka konsensus në këtë fazë”, por “asgjë nuk duhet të përjashtohet”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nëse kjo do të ndodhte, bisedimet do të kalonin në një “pashmangshmëri” të një konflikti me NATO-n.

Ndërkohë, Kievi ka reaguar pozitivisht ndaj komenteve të Macron.

Zyrtari i lartë presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak theksoi se “kjo tregon, së pari, një vetëdije absolute për rreziqet që i paraqet Evropës nga një Rusi militariste, agresive”.

Ndryshe, presidenti francez tha të hënën se dërgimi i trupave perëndimore në terren në Ukrainë nuk “përjashtohet” në të ardhmen pasi çështja u debatua në një mbledhje të liderëve evropianë në Paris, ndërsa pushtimi në shkallë të plotë të Rusisë po kalon në vitin e tretë.

Udhëheqësi francez theksoi se “ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet në mënyrë që Rusia të mos e fitojë luftën” pas takimit të mbi 20 krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane dhe zyrtarëve të tjerë perëndimorë.

“Nuk ka konsensus sot për të dërguar trupa në terren në mënyrë zyrtare dhe të miratuar. Por për sa i përket dinamikës, asgjë nuk mund të përjashtohet”, citohet të ketë thënë Macron në një konferencë shtypi në pallatin presidencial Elysee.

Megjithatë, Macron nuk pranoi të jepte detaje se cilat kombe po shqyrtonin dërgimin e trupave.

Rritet numri i ushtarëve rusë, të cilët dezertojnë për shkak të ndërgjegjes!

Midis 10,000 dhe 50,000 ushtarë rusë mund të kenë dezertuar nga frontet e luftës,  njofton  një burim i cituar nga një shkëmbim e-maili, midis Drejtorisë së Emigracionit dhe Landinfo, në të cilin burim, Nettavisen i është dhënë qasje.

Landinfo është një agjenci qeveritare norvegjeze që raporton mbi situatën e të drejtave të njeriut për vendet nga të cilat Norvegjia pranon azilkërkuesit.

 Këta kanë qenë në kontakt me "një burim të besueshëm në Rusi për temën në fjalë”.

- Informuesi dëshiron të mbetet anonim për arsye sigurie, thotë këshilltari i agjensionit Landinfo, Vibeke Kolderup.

Vetëm gjatë vitit 2023, gjykatat ushtarake ruse morën më shumë se 5,000 raste penale për shkelje të klauzolës së dezertimit të kodit penal, shifër kjo aspak reale, sepse sipas “informuesit” për Landinfo, numri real se sa kanë dezertuar arrinë 10  fishin.

– Informuesi thekson se gjykatat ushtarake janë të vërshuara me raste të tilla, shkruan Kolderup.

Në e-mailin për UDI-në nga Landinfo flitet edhe për Go by the Forest, një projekt nëntokësor rus që ndihmon rusët që nuk duan të marrin pjesë në luftë.

- Ne jemi mësuar t'i trajtojmë dezertorët si të dobët dhe tradhtarë, si qytetarë të dorës së dytë. Ne nuk jemi dakord me këtë, sepse sot jetojmë në një botë ku ushtria ruse krijon vetëm vdekje dhe shkatërrim. Dezertimi është mënyra më e lehtë për të ndihmuar vendin, shkruajnë njerëzit pas këtij projekti në një përditësim të fundit.

Projekti raporton se në fillim të shkurtit ishin ndihmuar mbi 22,000 njerëz, por kishte një rritje në vjeshtën e vitit 2023 nga të tjerë që donin të largoheshin nga fronti.

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Rusi mendojnë se rritja e numrit lidhet me faktin, se kishte kaluar një vit nga fillimi i mobilizimit. Shumë sish kishin shpresuar se pas një periudhe të caktuar shërbimi do të ishin kthyer në shtëpi, por iluzionet i mashtruan, tha Sergej Krivenko, udhëheqës i organizatës për të drejtat e njeriut…)

- Ushtarët e vërejnë se nuk ka rotacion, përderisa edhe të plagosurit rëndë i kthejnë në front pasi të jenë liruar nga spitali, shton  Krivenko.

Go by Forest raporton ndër të tjera edhe për një ushtar që humbi njërin sy në luftë, por e kthyen në llogore.

Edhe pse Rusia ka bërë pak përparim në fushën e betejës që nga dhjetori, kur më në fund pushtoi Avdijivkën, Go by the Forest raporton se, 284 ushtarë kontaktuan projektin nëntokësor gjatë janarit 2024 për të dezertuar.

- Pse na kontaktojnë?

Kanë pa mjaft mizori në luftë, kanë pa sesi njerëzit trajtohen si material shpenzues dhe mish për top!

Ata e kuptojnë se nuk po luftojnë me “fashistët”, përderisa ajo që u thuhet nga televizioni është gënjeshtër, shkruan organizata ruse në faqen e saj.

- Ushtarët, vetëm sa kan filluar të shkruajnë, sepse nuk dinin asgjë për ne, nuk dinin se me cilin të kontaktonin, apo s’kishin mundësi të kontaktojnë fare me ndonjë burim informimi për të dalë nga lufta. Na shkruajnë edhe bashkëshortet, prindërit, të afërmit dhe miqtë e të mobilizuarve. Së bashku me ne, do të gjejmë një vend të sigurt për dezertorët, raporton Go by the Forest.

Ndodhë edhe kjo, shumë sish që dezertojnë dhe zbulohen nuk përfundojnë në sistemin ligjor të shtetit! Disa nga ata që janë larguar nga qendra e shërbimit, janë të detyruar të binden që të kthehen në njësi, në këmbim të heqjes së padisë dhe dënimit, shpjegojnë nga burimi për Landinfo.

Sipas “burimit të informatës”, shumë komandantë ushtarakë nuk i raportojnë rastet që janë larguar nga vendi i detyrës, por zbatojnë metoda brutale të dënimit dhe burgimit në front, thotë Kolderup.

Zelensky: Rreth 31 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në luftën me Rusinë

Rreth 31 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë që nga pushtimi i Rusisë dy vjet më parë, ka njoftuar presidenti Volodymyr Zelensky.

“31 mijë ushtarë janë vrarë në këtë luftë. Jo 300 mijë apo 150 mijë siç pretendojnë rrejshëm Putini dhe rrethi i tij”, tha Zelensky në një konferencë shtypi në Kiev.

“Megjithatë, kjo është një humbje e madhe për ne”, vazhdoi ai.

Zelensky tutje tha se nuk do ta zbulojë numrin e ushtarëve të plagosur ose të zhdukur, pasi sipas tij, kjo do ta ndihmonte planifikimin ushtarak rus, shkruan Metro.co.uk.

Vladimir Putin ‘gllabëron’ Ukrainën, del harta që tmerron Perëndimin, ‘aktivizohet’ CIA

Ukraina po kalon një fazë të vështirë, siç e pranon edhe vetë NATO. Kievi po vuan ende humbjen e 17 shkurtit në Avdiivka si dhe rënien e furnizimeve perëndimore.

Rezistenca e Kievit mahniti botën. Por aftësia e Moskës për t'u rikuperuar ishte gjithashtu e dukshme, pasi u dorëzua para kohe për humbje pas kundërsulmit të parë ukrainas, por arriti të mobilizojë burimet e saj. Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky tha se "Avdiivka ishte pushtimi i vetëm rus në 9 muaj", pas Bakhmutit në maj 2023.

Por kundërofensiva ukrainase u zvarrit për gjashtë muaj nga qershori 2023, me forca të shpërndara për qëllime politike, ajo mori territore të vogla dhe falimentoi.

Në Avdiivka, sipas New York Times, burime "zyrtarët perëndimorë dhe ushtarët e Kievit", ushtria ukrainase humbi "midis 850 dhe 1000 ushtarë" vetëm në tërheqje. Megjithatë, humbjet e Ukrainës që nga tetori, kur filloi beteja, nuk dihen.

Kurthi i Rusisë

Në orët e fundit ukrainasit, nga pozicionet e tyre të tërhequra përtej Avdiivkës, kryen kundërsulme lokale, por sipas rusëve "ata u zmbrapsën me humbjen e 145 ushtarëve".

Kievi nuk ka forcën për të thyer një armik epror në numër, në ushtarë, në aviacion dhe artileri. Në Kherson, ukrainasit mohojnë të kenë humbur kontrollin e urës përtej lumit Dnieper, në Krynky, të cilin Moska tha se e kishte pushtuar dy ditë më parë, dhe dje ata goditën një bazë ruse në Oleshky, gjithashtu në lumë, por 21 km në jug të Krynky.

Dnieper mbetet një pengesë përveç llogoreve të shumta me të cilat rusët mbajnë 20% të Ukrainës. Rusia mund të fusë ukrainasit në një kurth, duke e bërë armikun e varur nga ndihma e jashtme, të shpërdorojë njerëzit dhe burimet.

Bllokimi i armëve prej 60 miliardë dollarësh nga Kongresi amerikan i jep zemër Kremlinit.

Bastet e reja

Dhe nëse ish-presidenti rus Dimitri Medvedev flet për "baste të reja mbi Kievin", ndoshta ai e ka fjalën për një Ukrainë të dobësuar në gjashtë muaj ose një vit. Evropianët po përpiqen të kompensojnë ngërçin amerikan, por ata kanë peshë të pamjaftueshme.

Franca premton raketa lundrimi Zelensky SCALP, por në Gjermani Bundestagu ka rrëzuar një kërkesë për furnizimin e raketave Taurus me rreze veprimi prej 500 km.

Sa i përket avionëve luftarakë F-16, të premtuara për një vit e gjysmë, dy ditë më parë CNN njoftoi se "katër pilotët e parë ukrainas do të përfundojnë stërvitjen F-16 deri në këtë verë".

Numra dhe kohë të papajtueshme me luftën masive. SHBA përsërit se F-16-të do t'u jepen aleatëve, ashtu si Danimarka, e cila njoftoi paketën e armëve 247 milionë dollarë për Kievin dhe se do të dhurojë F-16-të e parë në verë.

Lufta e CIA-s

Përveç betejave përgjatë qindra kilometrave të frontit dhe rrethimeve të qyteteve të mëdha, në Ukrainë po zhvillohet edhe një luftë e fshehtë, e përbërë nga operacionet prapa linjave të armikut dhe mbledhja e informacionit jetik të inteligjencës.

Sipas thashethemeve nga “New York Times”, CIA po ndihmon shërbimet sekrete të Kievit në këtë “luftë në hije”.

Bashkëpunimi midis agjencisë amerikane dhe homologut të saj në vendin e pushtuar ka çuar në krijimin e 12 bazave sekrete përgjatë kufirit me Rusinë, ku qindra oficerë mbledhin sasi të mëdha të dhënash çdo ditë për pozicionin e forcave të Federatës, objektivat dhe potencialin e tyre. objektivat e sulmeve me raketa.

Propozimi i Kievit

Nga ana tjetër, Kievi duket se e ka një plan në mendje. Ukraina dhe partnerët e saj mund ta ftojnë Rusinë në një samit të ardhshëm të paqes për të diskutuar përfundimin e pushtimit dyvjeçar të Moskës me kushtet e Kievit, tha një zyrtar i lartë ukrainas.

Zvicra do të presë një takim të nivelit të lartë për të diskutuar zgjidhjen e paqes të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskii , e cila mund të transferohet në Rusi në një takim të mëvonshëm, tha Andriy Jermak, kreu i zyrës së Zelenskiit.

“Mund të ketë një situatë në të cilën ne do të ftojmë përfaqësuesit e Federatës Ruse, ku do t'u paraqitet një plan në rast se ai që përfaqëson më pas vendin e agresorit do të dëshirojë sinqerisht t'i japë fund kësaj lufte dhe të kthehet në një paqe të drejtë”, tha ai në një konferencë shtypi në Kiev.

Macron udhëheqësve evropianë: Rusia nuk duhet të fitojë

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha homologëve evropianë të hënën se duhet të garantojnë sigurinë e tyre kolektive duke ofruar mbështetje të palëkundur për Ukrainën, përballë ofensivave më të ashpra ruse në fushëbetejë gjatë muajve të fundit.

“Jemi në procesin e garantimit të sigurisë tonë kolektive, për sot dhe për nesër”, tha zoti Macron ndërsa priti 20 drejtues të qeverive dhe shteteve evropiane, si dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë në Paris, në shenjë uniteti për Ukrainën, ndërsa sulmi frontal i Rusisë hyn në vitin e tretë.

“Rusia nuk mundet dhe nuk duhet ta fitojë atë luftë”, tha zoti Macron në takimin në pallatin presidencial, ku morën pjesë kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, si dhe udhëheqës të tjerë nga vendet balltike.

“Gjatë muajve të fundit në veçanti, e kemi parë Rusinë të bëhet më e ashpër”, tha zoti Macron. “E dimë gjithashtu se Rusia po përgatit sulme të reja, në veçanti për të shokuar opinionin publik ukrainas”.

Zoti Macron përmendi nevojën për të forcuar sigurinë për të shmangur sulme të mëtejshme ruse ndaj vendeve të tjera në të ardhmen. Estonia, Lituania dhe Letonia, si dhe vendi shumë më i madh Polonia, janë konsideruar ndër objektivat e mundshëm të ekspansionizmit të ardhshëm rus. Të katër këto vende janë mbështetëse të vendosura të Ukrainës.

Ministri i jashtëm i Estonisë tha më herët këtë muaj se NATO ka rreth tre-katër vite kohë për të forcuar mbrojtjen e saj.

Në një fjalim të transmetuar me video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve të mbledhur në Paris “të sigurohen që Putini të mos mundet të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos zgjerojë agresionin e tij ndaj vendeve të tjera”.

Një zyrtar i lartë francez tha se konferenca nuk synon arritjen e angazhimeve të reja për sa i përket dërgesave të armëve dhe ndihmës financiare, por një koordinim më të mirë të mbështetjes për Kievin dhe për t’u siguruar se do të përmbushen zotimet e dhëna për ndihma. Zyrtari francez foli në rrethana anonimiteti.

Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në takimin e Parisit nga kryediplomati për Evropën, James O’Brien, dhe Britania nga Sekretari i Jashtëm, David Cameron.

Vendet evropiane janë të shqetësuara se Shtetet e Bashkuara do të ulin mbështetjen, ndërsa ndihma për Kievin është pezull në Kongres. Ata gjithashtu kanë shqetësime se një rikthim i ish presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mund të ndryshonte kursin e politikës amerikane në Evropë.

Konferenca e Parisit ndodh pasi Franca, Gjermania dhe Britania nënshkruan rishtazi marrëveshje dypalëshe 10-vjeçare me Ukrainën, me qëllim dhënien e një sinjali të fortë mbështetjeje afatgjatë, ndësa Kievi punon për të rritur mbështetjen perëndimore./VOA

Erdogan paralajmëron vizitën e Putinit në Turqi: Do të vijë së shpejti

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar vizitën e homologut turk, Vladimir Putin në Turqi.

Putin dhe Erdogan kanë pasur një bisedë telefonike mëngjesin e kësaj të hëne, me rastin e ditëlindjes së liderit turk.

“Në një bisedë telefonike që patëm të hënën, ai më tha se vizita në Turqi nuk do të vonohet. Ai falënderoi Turqinë për pozicionin e saj në platformat ndërkombëtare dhe shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet tona dypalëshe”, u tha udhëheqësi turk gazetarëve.

Më herët, megjithatë, përfaqësuesi i shtypit i presidentit rus Dmitry Peskov theksoi se Putin nuk po planifikon një vizitë në Turqi para zgjedhjeve presidenciale për shkak të agjendës së ngjeshur.

Kremlini: Putin nuk ishte i përfshirë në vendimin për t’ia dorëzuar trupin e Navalny familjes

Kremlini tha të hënën se presidenti rus, Vladimir Putin nuk ishte i përfshirë në vendimin për dorëzimin e trupit të figurës së opozitës Alexey Navalny, familjes së tij. 

Navalny vdiq më 16 shkurt dhe familja e tij kishte disa ditë që iu lut autoriteteve ruse që ta lironin trupin e tij, shkruan CNN.

Të premten, autoritetet ruse ranë dakord të dorëzonin trupin e kritikut të Kremlinit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i përshkroi akuzat e bëra nga nëna e Navalny, Lyudmila Navalnaya për shantazh dhe një funeral sekret të sugjeruar për djalin e saj si “absurde”, duke shtuar se Kremlini “nuk ka të bëjë fare me” rastin. dhe për këtë arsye “nuk mund të ushtrojë presion”. 

Të shtunën, ekipi i Navalny raportoi se trupi tani ishte kthyer me familjen. Planet për funeralin e tij mbeten të paqarta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat