LIVE: Trump premtoi fundin e konfliktit për 24 orë, Zelensky ia kërkon planin: Ne duam të jemi të përgatitur nëse...

Evropë

LIVE: Trump premtoi fundin e konfliktit për 24 orë, Zelensky ia kërkon planin: Ne duam të jemi të përgatitur nëse...

Nga: Bota sot Më: 3 korrik 2024 Në ora: 06:31 Përditësuar në ora: 23:03 më 03.07.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Trump premton fund të konfliktit, Zelensky: Duhet të na tregojë planin e tij

Ish-presidenti amerikan Donald Trump duhet të përcaktojë planin e tij për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, për të cilin ai pretendon se do të duheshin vetëm 24 orë nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë në nëntor, tha presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky.

Pas nisjes së fushatës ushtarake të Rusisë kundër Kievit në vitin 2022, Trump ka thënë vazhdimisht se konflikti nuk do të ishte përshkallëzuar nëse ai do të ishte ende president dhe është zotuar se do ta zgjidhë krizën në një ditë të vetme nëse zgjidhet edhe një herë.

Gjatë debatit të javës së kaluar me Presidentin Joe Biden, Trump e përsëriti këtë premtim, duke deklaruar se ai mund ta zgjidhte shpejt konfliktin – edhe para se të merrte zyrtarisht detyrën. Megjithatë, ai ende nuk ka specifikuar se si do t’i jepte fund luftimeve.

Në një intervistë me Bloomberg të publikuar të mërkurën, Zelensky kërkoi që Trump të zbulojë detajet e planit të tij në mënyrë që Kievi të dijë se për çfarë të përgatitet në nëntor.

“Do të doja të dija se çfarë do të thotë të përfundonte shpejt një luftë”, tha ai, duke këmbëngulur se “nëse Trump di ta përfundojë këtë luftë, ai duhet të na tregojë sot, sepse nëse ka rreziqe për pavarësinë e Ukrainës dhe ka rrezikon të humbasim shtetësinë tonë, ne duam të jemi të përgatitur për këtë.”
Zelensky shpjegoi më tej se Kievi duhej të kuptonte nëse do të kishte “mbështetje të fuqishme të SHBA” në nëntor në rast të rizgjedhjes së Trumpit apo nëse do të ishte “i vetëm”.

Turqia ofroi ndërmjetësimin mes palëve, Kremlini e kundërshton: Erdogan nuk mund të…

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk do të veprojë si një ndërmjetës i mundshëm në negociatat që synojnë zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

I pyetur nëse është e mundur që presidenti turk të bëhet ndërmjetës gjatë këtyre bisedimeve, Peskov tha: “Jo, e pamundur”.

Veç kësaj, Peskov konfirmoi se në takimin e sotëm, Erdogan dhe presidenti Vladimir Putin prekën konfliktin në Ukrainë.

“Po, kjo çështje ishte në tryezë,” tha ai.

Udhëheqësit e Rusisë dhe Turqisë zhvilluan bisedime dypalëshe në punimet e samitit të SCO. Bisedimet e tyre, të cilat zgjatën rreth një orë, u fokusuan në bashkëpunimin ekonomik, në veçanti në sektorin e energjisë.

Sulmi ajror në Dnipro – Zelensky publikon pamjet e raketave që godasin qytetin

Forcat ruse kanë kryer një sulm ajror mbi qytetin e Dnipros, ku si pasojë kanë humbur jetën pesë persona dhe 34 tjerë kanë mbetur të plagosur.

Presidenti ukrainas ka publikuar pamjet ku shihen raketat ruse duke goditur në qendër të qytetit – derisa civilët po kalonin rrugëve.

“Terroristët rusë sulmojnë sërish qytetin tonë. Deri më tani janë konfirmuar pesë të vdekur. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe miqve të viktimave. 34 tjerë janë plagosur, përfshirë fëmijë”, ka thënë Zelensky.

Ai theksoi se ekipet emergjente kanë dalë në terren dhe po bëjnë të pamundurën për të lokalizuar zjarrin, dhe të shpëtojnë personat që mund të kenë ngecur nën rrënoja.

“Ky terror rus mund të ndalet vetëm me dy gjëra – sisteme moderne të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze të gjatë veprimi. Bota mund të shpëtojë jetë, kjo kërkon përkushtim të liderëve. Përkushtim që mundet dhe duhet të mbrojë civilët nga terrori”, ka shtuar presidenti ukrainas.

 

Dnjepri sërish cak i ushtrisë ruse, së paku tre të vrarë

Së paku tre persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën nga një sulm i ushtrisë ruse me dronë dhe raketa në qytetin Dnjepër të Ukrainës.

Lajmin e konfirmoi Serhiy Lysak, guvernator i rajonit Dnipropetrovsk.

Në një mesazh në Telegram, ai tha se sulmi shkaktoi shumë zjarre në qytet.

Në një njoftim tjetër, Forca Ajrore e Ukrainës tha se ka rrëzuar pesë raketa, përfshirë një lundruese, Iskander-K, si dhe gjashtë dronë, që kishin në shënjestër kryesisht Dnjeprin.

Kjo është hera e tretë në pesë ditët e fundit që Dnjepri është shënjestër.

Një ndërtesë e lartë është shkatërruar në një sulm më 28 qershor, ndërsa së paku 12 persona janë plagosur në një sulm me dron më 1 korrik.

Ushtria ruse sulmoi të mërkurën edhe rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhja, duke shkatërruar 14 shtëpi dhe duke plagosur një person.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës qysh në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ka nisur edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta./REL

Avioni rus shkel hapësirën ajrore të Lituanisë

Ministria e Jashtme e Lituanisë i ka bërë një protestë diplomatike Rusisë pasi një avion civil rus hyri në hapësirën e saj ajrore pa leje.

Avioni i linjës ajrore Pobeda hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë mbi detin Baltik për një minutë të dielën në mbrëmje, gjatë rrugës nga aeroporti Vnukovo i Moskës në aeroportin e Kaliningradit, tha ministria.

Lituania, fqinje me Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusi, dikur drejtohej nga Moska, por tani është anëtare e NATO-s dhe BE-së.

Vendi ka treguar mbështetjen e tij për Ukrainën gjatë luftës dhe ka ofruar mbështetje ushtarake për vendin, shkruan Sky News.

Lukashenko: Bjellorusia nuk do të lejojë përleshje në kufirin me Ukrainën

Bjellorusia nuk do të lejojë asnjë përleshje në kufirin me Ukrainën, ka thënë presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të vendit Belta.

“Ju garantoj se nuk do të lejojmë asnjë përplasje në kufirin me Ukrainën. Nuk do të ketë asnjë,” tha Lukashenko.

Javën e kaluar, Bjellorusia njoftoi se kishte vendosur forca shtesë të mbrojtjes ajrore në kufirin e saj me Ukrainën për të mbrojtur “objektet kritike të infrastrukturës” për shkak të rritjes së aktivitetit të dronëve ukrainas në zonë.

Presidenti Lukashenko, i cili ka qenë kreu i shtetit të Bjellorusisë që nga viti 1994, është një aleat i hershëm i Putin.

Në fillim të pushtimit rus, Bjellorusia ofroi mbështetje logjistike për Rusinë, me forcat ruse që hynë në Ukrainë nga territori bjellorus.

BE dhe SHBA i kërkojnë Serbisë të distancohet nga Rusia, pas vizitës së zëvendësit të Lavrovit

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje sërish Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar të mos i ofrojë asaj platformë për ta promovuar luftën agresore, pasi Beogradi e priti të martën në një vizitë zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Grushko u prit më 2 korrik nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin serb zhvilloi takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Serbisë.

“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale me luftën e paprovokuar dhe të pajustifikuar agresore të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë (REL).

Ai tha se Këshilli i BE-së e njeh ndihmën humanitare dhe mbështetjet e tjera që Serbia i ka dhënë për Ukrainën, por se pret nga ajo – si vend kandidat për anëtarësim në BE – të përafrohet me politikën e jashtme të bllokut evropian.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha në një përgjigje për REL-in se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i japë Rusisë platformë për ta promovuar luftën e saj agresore kundër Ukrainës”.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë interes të madh në rezultatin e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është tejet e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar përballë agresionit të Rusisë”, tha DASH.

SHBA-ja gjithashtu vlerësoi mbështetjen që Serbia ia ka dhënë Ukrainës deri më tani.

Gjatë takimit në Beograd, Vuçiq, e falënderoi Grushko për mbështetjen e tij në lidhje me Rezolutën për Srebrenicën, e cila u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin maj.

Vuçiq postoi në Instagram një fotografi nga takimi me zëvendësin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ku shkroi se e falënderon Rusinë veçanërisht për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë.

“Kemi biseduar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, tha presidenti serb.

Një ditë më herët, Grushko takoi edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, me të cilin bisedoi për çështjet aktuale të sigurisë dhe shprehu nevojën për koordinim të vazhdueshëm të institucioneve kompetente të sigurisë, njoftoi MPB-ja serbe.

Grushko u prit edhe nga zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-shefi i agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandar Vulin, i cili është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me Moskën.

SHBA së shpejti do të shpallë një paketë të re ndihme për Ukrainën me vlerë mbi 2.3 miliardë dollarë

SHBA së shpejti do të shpallë një paketë të re ndihme për Ukrainën me vlerë më shumë se 2.3 miliardë dollarë, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin .

Në një takim me homologun e tij ukrainas Rustem Umerov në Pentagon , Austin tha se paketa do të përfshijë artikuj të tillë si armët antitank dhe interceptorët e mbrojtjes ajrore.

Austin dhe Umerov pritet të diskutojnë bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes, çështjet e sigurisë rajonale dhe mënyrat për të forcuar partneritetin e mbrojtjes SHBA-Ukrainë gjatë takimit, i cili vjen përpara samitit të NATO-s javën e ardhshme në Uashington, DC.

Më parë, Ukraina tha se pret të bëjë përparim në ofertën e anëtarësimit në NATO në samitin, të caktuar për 9-11 korrik.

Nën Presidentin Biden, SHBA-ja ka dhënë më shumë se 51.9 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën duke përfshirë më shumë se 51.2 miliardë dollarë që nga fillimi i “pushtimit të paprovokuar” të Rusisë më 24 shkurt 2022, sipas Pentagonit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat