LIVE: Rusia pëson humbje të mëdha, dalin shifrat – këto janë zhvillimet e fundit!

Evropë

LIVE: Rusia pëson humbje të mëdha, dalin shifrat – këto janë zhvillimet e fundit!

Nga: Bota sot Më: 6 shtator 2024 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 19:11 më 06.09.2024
Foto ilustrim

Lufta në Ukrainë, 68 mijë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit

Të paktën 68,011 ushtarakë dhe mercenarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftë në Ukrainë. Më shumë se gjysma e viktimave nuk kishin asnjë lidhje me ushtrinë në kohën kur filloi lufta.

Këtë javë, për herë të parë, në vend të parë për nga numri i përgjithshëm i viktimave ishte kategoria e vullnetarëve të regjistruar, pra ata që vendosën të lidhnin kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes ose Gardën Kombëtare, pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Autoritetet ruse u ofrojnë atyre shpërblime dhe përfitime të mëdha monetare, si në nivel federal ashtu edhe në atë rajonal.

Ukraina besohet se ka humbur në luftë 55,812 ushtarë që nga fillimi i pushtimit rus.

Ukraina tani kontrollon mbi 1300 kilometra katrorë të rajonit të Kurskut

Volodymyr Zelensky ka folur para mediave në bazën ajrore amerikane “Ramstein” në Gjermani.

Në një përditësim mbi situatën në rajonin e Kurskut, udhëheqësi ukrainas tha se tani ata kontrollojnë më shumë se 1300 kilometra katrorë.

Ai u kërkoi gjithashtu aleatëve ushtarakë të injorojnë “vijat e kuqe” të Moskës dhe të lejojnë Kievin të përdorë armë me rreze të gjatë për sulme në territorin rus, shkruan skynews.

“Ne duhet t’i kemi këto aftësi me rreze të gjatë jo vetëm për territorin e Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të motivohet për të kërkuar paqen”, tha ai në takimin me rreth 50 vende që furnizojnë me armë Ukrainën.

Kujtojmë se në fillim të muajit gusht, trupat ukrainase filluan një sulm të befasishëm në rajonin Kursk të Rusisë.

Zelensky tha se masa ishte për të “mbajtur” territorin dhe ishte një pjesë kyçe e “planit të fitores” për t’i dhënë fund luftës.

Pushtimi u mbajt i fshehtë nga aleatët dhe për këtë në dijeni ishte vetëm shërbimi inteligjent i Ukrainës.

Por, deri më tani sulmi i befasishëm brenda territorit të Kurskut nuk e ka tërhequr fokusin e presidentit rus, Vladimir Putin nga marrja e qytetit ukrainas të Pokrovsk, i cili ofron lidhje kritike hekurudhore dhe furnizimi për ushtrinë ukrainase. Humbja e Pokrovsk mund të rrezikojë qytete të tjera të Ukrainës.

Zelensky i lutet aleatëve për më shumë armë, thotë se rusët duhet të zgjedhin mes “paqes dhe Putinit”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar më shumë mbështetje ushtarake nga aleatët perëndimorë të premten, si dhe ka thënë se rusët duhet të zgjedhin mes “paqes dhe presidentit Vladimir Putin”.

Shtetet e Bashkuara njoftuan në ditën e njëjtë se do t’i ndajë 250 miliardë dollarë shtesë ndihmë ushtarake për Kievin.

Duke folur në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, Zelensky gjithashtu u kërkoi aleatëve ta lejojnë Kievin t’i përdorë armët me të cilat ata e furnizojnë për të kryer sulme thellë brenda Rusisë.

Uashingtoni e ka kundërshtuar këtë deri tani për shkak të shqetësimeve se mund të ndikojë në përshkallëzimin e luftës.

“Ne kemi nevojë për këto armë me rreze të gjata veprimi, jo vetëm në territorin e ndarë të Ukrainës, por edhe në territorin e Rusisë, në mënyrë që ta motivojmë Rusinë të kërkojë paqe”, tha Zelensky gjatë takimit me liderët ushtarakë amerikanë dhe me më shumë se 50 vende partnere.

“Ne duhet t’i bëjmë qytetarët rusë dhe, madje, edhe ushtarët rusë të mendojnë se çfarë kanë nevojë: paqe apo Putin”, theksoi ai.

Forcat ruse kanë çarë përpara në lindje të Ukrainës, përreth qytetit Pokrovsk, i cili është rrugë jetike për furnizimin ushtarak të Ukrainës. Ushtria ruse ka vazhduar të shënojë përparime atje, përkundër një inkursioni befasues të forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë muajin e kaluar.

Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll rreth 1.300 kilometra tokë ruse dhe se i ka vrarë apo plagosur rreth 6.000 ushtarë rusë.

Derisa ky inkursion e ka bërë Rusinë të përqendrohet në mbrojtje, “ne e dimë sa e madhe është ligësia e Putinit”, tha Lloyd Austin, sekretari amerikan i Mbrojtjes, duke folur për media para takimit.

Duke njoftuar ndihmën prej 250 milionë dollarë për Kievin, Austin tha se kjo mbështetje do të ofrojë “më shumë armë për t’i plotësuar nevojat e vazhdueshme të Ukrainës”.

Associated Press raportoi me burime se kjo mbështetje përfshin municion për raketahedhës preciz HIMARS, predha artilerie dhe armë antitanke dhe kundërajrore.

Prej vitit 2022 kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, vendet anëtare të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës e kanë ndihmuar Kievin së bashku me rreth 106 miliardë dollarë mbështetje ushtarake.

Uashingtoni, mbështetësi më i madh i Ukrainës gjatë luftës, ia ka dhuruar asaj mbi 56 miliardë dollarë në përgjithësi, sipas Pentagonit./REL

Të paktën pesë të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

Të paktën pesë persona janë plagosur gjatë sulmeve të fundit ruse me dronë dhe raketa në mbarë Ukrainën, thanë zyrtarët ukrainas.

Sipas Ukrainës, mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 27 nga 44 dronët që Rusia lëshoi gjatë natës.

Një sulm me raketa mëngjesin e 6 shtatorit dëmtoi ndërtesa banimi dhe plagosi tre persona në rajonin verilindor të Harkivit, thanë autoritetet lokale.

Sulmet gjatë natës plagosën dy persona, dëmtuan të paktën 12 shtëpi dhe prekën linja të furnizimit me rrymë dhe tubacionet e gazit në rajonin e Dnipropetroskit, thanë zyrtarët.

Ndërkaq, copëzat e rëna nga dronët Shahed të shkatërruara kanë shkaktuar zjarr në rajonin lindor të Lvivit. Zjarri shpërtheu në një depo, duke shkatërruar katër makina, thanë autoritetet lokale, teksa lufta që Rusia nisi kundër Ukrainës është në muajin e 30-të./REL

Ofensiva e Ukrainës brenda Rusisë, paralajmëron Stoltenberg: Ka arritur shumë, nuk dihet si do shkojë situata

Ukraina ka arritur “shumë” në inkursionin e saj brenda rajonit Kursk të Rusisë, por është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet situata më tutje, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten në Oslo.

“Vetëm ukrainasit mund të marrin vendime të vështira që nevojiten, si për shembull, se ku t’i zhvendosin forcat e tyre dhe se çfarë lloji i luftës është i duhur në këtë situatë”, tha Stoltenberg.

Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë të tokës ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar.

Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.

Ndërkohë, forcat ruse kanë shënuar përparime të mëdha në përpjekjet e tyre për ta kapur qytetin strategjik të rajonit lindor të Ukrainës, Pokrovsk.

Stoltenberg tha se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, përfshirë për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të cilat mund t’i arrijnë shënjestrat e tyre brenda Rusisë.

“Jam i kënaqur që shumë vende të NATO-s ia kanë dhënë atë mundësi, ndërsa ato të cilat s’i kanë hequr ende kufizimet, i kanë zbutur ato, në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten”, shtoi Stoltenberg.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë të premten në një takim të Grupit Ramstein, një koalicion i shteteve që e furnizojnë Ukrainën me armë, ku pritet të kërkojë rritjen e furnizimit me armë, posaçërisht me raketa me rreze të gjata veprimi, sipas gazetës gjermane Spiegel.

Zelensky i është lutur aleatëve ta ndihmojnë Kievin me mbrojtje ajrore dhe t’i heqin kufizimet që ia pamundësojnë atij përdorimin e armëve të tyre me rreze të gjata veprimi për sulme brenda Rusisë.

CNN publikon pamjet: Rusët vranë pa mëshirë ushtarët ukrainas që u dorëzuan

CNN ka siguruar një video që tregon forcat ruse duke vrarë pa mëshirë ushtarët ukrainas që janë dorëzuar.

Në video shfaqen ukrainasit që ecin në mes të një shtegu me pluhur, më pas bien në gjunjë me duart në kokë. Disa sekonda më vonë, pamjet e dronëve ukrainas tregojnë se ata janë të shtrirë me fytyrë poshtë, të palëvizshëm.

Pamjet e muajit gusht, të marra gjatë luftimeve pranë Pokrovsk në Ukrainën lindore, tregojnë ekzekutimin e tre ushtarëve ukrainas që u dorëzuan. Gjithnjë e më shumë ka incidente të tilla.

Burimet e inteligjencës ukrainase të mbrojtjes i dhanë CNN një listë me 15 raste të dokumentuara gjatë vitit të kaluar, në të cilat rusët vranë ushtarë ukrainas që ishin dorëzuar në vend që t’i merrnin si të burgosur.

Zyra e Kryeprokurorit të Ukrainës po heton 28 incidente të tilla që nga fillimi i luftës, në të cilat u vranë 62 ushtarë ukrainas.

“Nëse ushtarët dorëzohen, nëse tregojnë qartë se janë dorëzuar, nëse nuk kanë armë në duar – atëherë ekzekutimi i përmbledhur është një krim lufte”, tha Andriy Kostin, kryeprokurori i Ukrainës.

Disa ushtarë rusë janë sjellë para drejtësisë për krime të tilla. Për shembull, prokurorët ukrainas deklarojnë se një ish-i burgosur rus, i liruar në mënyrë që të mund të luftonte, qëlloi një ushtar ukrainas në Zaporizhzhia në muajin janar, ndërsa ai po dilte nga një llogore pranë Priyutna me duart e ngritura. Ata bashkëngjiten një filmim me dron si dëshmi.

Parlamenti i Ukrainës miraton rifomatimin e qeverisë së Zelenskyt

Deputetët ukrainas votuan për nëntë ministra të rinj, duke përfshirë kreun e diplomacisë dhe dy zëvendëskryeministra. Ky është riformatimi më i madh i qeverisë së presidentit, Volodymyr Zelensky që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.

Andrij Sibiha, diplomat me përvojë, por i panjohur për publikun, 49-vjeçar, merr Ministrinë e Jashtme nga Dmytro Kuleba, i cili vitet e fundit ka qenë një nga fytyrat më të njohura të qeverisë ukrainase në Perëndim.

Edhe pse ndryshimi nuk do të ndikojë në politikën e jashtme të Ukrainës të udhëhequr nga Zelensky gjatë luftës, ai po ndodh në një moment të ndjeshëm diplomatik, kur Kievi po kërkon ndihmë shtesë nga aleatët perëndimorë, ndërsa njëkohësisht përpiqet të afrohet me vendet e jugut global. Lideri ukrainas do të udhëtojë këtë muaj drejt Shteteve të Bashkuara, ku shpreson t’ia paraqesë “planin e fitores” presidentit amerikan, Joe Biden.

Riformatimi i qeverisë filloi të martën kur disa ministra dhanë dorëheqje. Të paktën pesë departamente të tjera tashmë janë lënë bosh nga largimet e mëparshme.

Dmytro Razumkov, përfaqësues i opozitës, beson se emërimet e reja nuk do të sjellin ndryshime të mëdha. Shumica e vendimeve përfundimisht merren në zyrën e Zelenskyt, të cilit iu dhanë kompetenca të jashtëzakonshme gjatë gjendjes së luftës, tha ai.

Portofoli i Olha Stefanjisinas është zgjeruar, ndaj përveçse ka udhëhequr anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO, ajo është bërë edhe Ministre e Drejtësisë. Në një fjalim para përfaqësuesve para konfirmimit të saj, ajo tha se nevojiten “qindra e mijëra” ndryshime ligjore në mënyrë që Ukraina të bëhet anëtare e BE-së.

Ish-inxhinieri, 32-vjeçari Herman Smetanin, u emërua ministër i Industrive Strategjike, i cili do të jetë në krye të prodhimit vendas të armëve.

Oleksyi Kuleba, ish-nënkryetari i kabinetit të Zelenskyt, u emërua zëvendëskryeministër. Ai do të jetë përgjegjës për rindërtimin, rajonet dhe infrastrukturën, një departament i rëndësishëm që mbikëqyr flukset potencialisht të mëdha të parave. U emëruan edhe ministra të rinj të bujqësisë, kulturës, mjedisit, veteranëve dhe sportit.

Reuters shkruan se ky riformatim i qeverisë vepron si një rifreskim politik, i vetmi i mundshëm gjatë gjendjes së luftës gjatë së cilës Ukraina nuk mban zgjedhje.

Zelensky në Gjermani për takime me aleatët e Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 6 shtator viziton Gjermaninë, ku mbështetësit e ushtrisë të Ukrainës po takohen disa ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse që kanë ndodhur gjatë luftës, teksa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë.

Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të zhvillojnë një takim në Frankfurt, sipas zëdhënësit të Qeverisë gjermane.

Ky zëdhënës nuk dha detaje të tjera lidhur me takimet që do të zhvillojë udhëheqësi ukrainas në Gjermani.

Por, media gjermane Der Spiegel, ka raportuar se Zelensky do të marrë pjesë në takimin e mbështetësve të Kievit – ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara – që do të mbahet në bazën ajrore amerikane, Ramstein. Kjo media raportoi se Zelensky do t’u bëjë thirrje shteteve perëndimore për më shumë ndihmë për Kievin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në këtë bazë.

Takimi në bazën që gjendet në jugperëndim të Frankfurtit do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ky do të jetë takimi i 24-të i Grupit të Kontaktit që është një aleancë joformale e përbërë nga më shumë se 50 shtete që e mbështesin Ukrainën.

Scholz: Gjermania nuk do të heqë dorë nga ndihma ushtarake për Ukrainën

Gjermania nuk do të zbehet në mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën, tha kancelari Olaf Scholz, duke u përpjekur të largojë frikën se Berlini mund të zhgënjejë Kievin mes një shtrëngimi të buxhetit të brendshëm dhe raporteve të mediave për një ngrirje të ndihmës së re ushtarake gjermane.

“Mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën nuk do të pushojë. Ne kemi bërë dispozita, kemi arritur marrëveshje (mbrojtje) dhe kemi siguruar fondet në kohën e duhur, në mënyrë që Ukraina të mund të vazhdojë të mbështetet plotësisht tek ne në të ardhmen”, tha Scholz.

Stoqet evropiane të mbrojtjes ranë në mes të gushtit pasi gazeta Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAS) tha se ministria gjermane e financave nuk do të miratonte aplikime shtesë për ndihmën ushtarake për Ukrainën për shkak të kufizimeve buxhetore.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane më vonë e quajti atë raport “të pasaktë” dhe përsëriti mbështetjen e Berlinit për Ukrainën “për aq kohë sa është e nevojshme”.

Scholz po fliste në një bazë ushtarake pranë qytetit verior të Todendorf, ku sistemi i parë gjerman i mbrojtjes ajrore me rreze të mesme veprimi IRIS-T SLM u shpall funksional.

Edhe përpara se Luftwaffe të merrte në dorëzim njësinë e saj të parë, Gjermania financoi disa sisteme IRIS-T SLM për Ukrainën, ku ato përdoren kryesisht për të mbrojtur Kievin kundër sulmeve me raketa ruse, duke e bërë atë një nga donacionet më të lakmuara të armëve perëndimore.

Deri më tani, Gjermania ka furnizuar në Kiev katër nga gjithsej 12 njësi IRIS-T SLM të premtuara, me dy sisteme të tjera që do të dërgohen deri në fund të vitit.

“Në Ukrainë, IRIS-T ka rrëzuar më shumë se 250 raketa, dronë dhe raketa lundrimi deri më tani dhe ka shpëtuar jetë të panumërta, me një shkallë goditjeje mbresëlënëse prej 95% ose edhe më shumë”, tha Scholz.

Duke pasur një rreze prej rreth 40 km (25 milje) dhe një pamje 360 ​​gradë, sistemi i ndërtuar nga prodhuesi gjerman i armëve Diehl është përdorur për të rrëzuar raketat e lundrimit – të vendosura nga Rusia për të sulmuar stacionet e energjisë – dhe gjithashtu aeroplanët, dhe dronët Shahed të Iranit.

Magazinat në flakë pas sulmit me dron rus kundër Lviv

Nga: Bota sot

Rusia sulmoi qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, gjatë natës më 5-6 shtator me drone Shahed, duke shkaktuar zjarre në objektet industriale, njoftoi kryebashkiaku Andrii Sadovyi.

Fragmentet nga rënia e dronëve shkaktuan zjarre në magazinat në fshatin Malekhiv në periferi veriore të Lvivit, tha Sadovyi.

Ekipet e shpëtimit janë aktualisht në punë për të shuar zjarrin, tha Sadovyi. Nuk ka të dhëna për viktima. Forcat Ajrore lëshuan një alarm ajror për Lviv Oblast rreth orës 22:45.

Me kohën lokale më 5 shtator. Menjëherë pas kësaj, Forcat Ajrore paralajmëruan se dronët Shahed ishin drejtuar në drejtim të Lviv. Lviv, i vendosur afërsisht 540 kilometra (rreth 335 milje) në perëndim të Kievit me një popullsi prej mbi 700,000 banorësh, konsiderohet si një nga qytetet më të sigurta të Ukrainës për shkak të distancës së tij nga kufiri rus.

Rajoni ka qenë ende në shënjestër disa herë nga dronët dhe raketat ruse gjatë luftës. Një sulm masiv kundër qytetit të Lviv më 4 shtator vrau shtatë persona dhe plagosi 64, me fëmijë në mesin e viktimave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat