​Mjekët tregojnë për gjendjen e pacientëve pas shpërthimit në Ferizaj

Ferizaj

​Mjekët tregojnë për gjendjen e pacientëve pas shpërthimit në Ferizaj

Më: 6 janar 2021 Në ora: 15:20
Ilustrim

Gjashtë persona po qëndrojnë në mjekim intensiv dhe gjendja e tyre vijon të jetë e rëndë pas lëndimeve që kanë marrë nga shpërthimi i djeshëm në Ferizaj. 11 të tjerë po trajtohen në Kirurgjinë Plastike, dhe sipas personelit mjekësor gjendja e tyre është stabile. Në mungesë të Qendrës për Djegie, mjekët kanë dhënë pëlqimin e tyre që gjashtë pacientët që e kanë shkallën e djegies më shumë se 40% të dërgohen jashtë vendit për trajtim.

Një bombol gazi e cila shpërtheu dje në një restorant në qytetin e Ferizajt ka bërë që mbi 40 persona të kërkojnë ndihmë mjekësore urgjente.

14 prej tyre mbrëmë janë dërguar për në Qendrën Klinikën Universitare të Kosovës, dhe pas intervenimit kirurgjik në emergjencë, gjashtë nga ta janë vendosur në mjekim intensiv qëndror, kështu ka treguar për KosovaPress drejtori i Klinikës Intensive, Shaqir Uka.

Uka: Pesë pacientë në gjendje më të rëndë

“Pas intervenimit kirurgjik në sallën operative të qendrës emergjente në mjekimin intensiv qendror janë sjellur pesë pacientë të cilët vazhdojnë të marrin trajtimin mjekësor. Në njësinë e mjekimit intensiv të klinikës së kardiologjisë po ashtu është dërguar edhe një pacientë, të gjithë këta gjashtë pacientë kanë lëndime më të rënda të pësuara nga shpërthimi në fjalë...Këtë gjashtë, gjendja e tyre ka qenë më e rënduar, pacientë tek të cilët shkalla e sipërfaqes se djegur ka qenë mbi 35%”, thotë ai.

E shefi i repartit të Kirurgjisë Plastike, Zenë Buja për KosovaPress thotë se e kanë dhënë pëlqimin që këta gjashtë pacientë që janë në kujdes intensiv të trajtohen jashtë vendit, meqë në Kosovë nuk ka Qendër për Djegie.

Buja: Gjashtë pacientë mund të trajtohen jashtë vendit

“Gjashtë te tjerë që janë në gjendje të rëndë ne e kemi dhënë pëlqimin që mund të trajtohen jashtë vendit për arsye se ata kërkojnë trajtim më të veçantë, ne fatkeqësisht nuk e kemi qendrën për djegie, andaj mungesa e qendrës për djegie na lejon që këta pacientë t’i dërgojmë jashtë vendit për trajtim, kuptohet vetëm djegiet qe janë të renda, 40 apo 50%”, tha ai.

E në klinikën e Kirurgjisë Plastike po trajtohen 11 pacientë, tre prej të cilëve janë sjellur mbrëmë nga Ferizaj.

Buja: 11 pacientë me djegie mesatarisht të rënda

“Këta 11 pacientë kanë djegie mesatarisht të rënda, për momentin gjendja e tyre është stabile, jemi duke ofruar gjithë ndihmën që duhet nga ana e personelit mjekësor dhe shpresoj t’ia kalojmë e t’ia dalim mbanë”, tha Buja për KosovaPress.

Buja thotë se nga rasti i Ferizajt deri tani kanë trajtuar 17 pacientë, gjendja e të cilëve vijon të jetë e rëndë.

Në këtë klinikë vazhdojnë të qëndrojnë edhe tetë pacientë të tjerë të cilët një javë më parë ishin lënduar si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit që kishte ndodhur në Lagjen “Marigona” në Prishtinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat