Hoxhaj në Ferizaj: Ne kemi plan konkret për rimëkëmbjen e vendit gjatë 4 viteve të ardhshme, të tjerët as për një muaj

Ferizaj

Hoxhaj në Ferizaj: Ne kemi plan konkret për rimëkëmbjen e vendit gjatë 4 viteve të ardhshme, të tjerët as për një muaj

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 21:14
Enver Hoxhaj

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një takim me mësimdhënës dhe qytetarë të Komunës së Ferizajt, para të cilëve ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes.

Hoxhaj duke thënë se PDK është partia e vetme që ka program për këto zgjedhje, ka theksuar se me planin e Rimëkëmbjes do t'iu dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve të vendit, ku do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit, policët, mjekët e infermierët, si dhe rritje të pensioneve në bazë të kategorive.

Hoxhaj: Do të ketë rritje të pensioneve në 300 euro

"Për familjet e dëshmorëve, për veteranët e luftës, për invalidët e luftës, do të ketë rritje të pensioneve nga 170 euro në 300 euro. Nëse një familje deri tash i ka pasur dy apo tre dëshmorë, ju e dini që e kanë marrë një pension. Tash do t'i marrin sa dëshmorë kanë dhe nëse një veteran e ka pasur një kontratë pune do të duhej të mendonte a ta marrë pensionin apo ta vazhdojë kontratën e punës. Tash edhe ka me marrë pensionin e rritur në 300 euro, edhe kontratën e punës. Po unë e di që këtu ka edhe mësimdhënës dhe ne do t'i rrisim pagat për mësimdhënësit e nivelit fillor prej 421 në 600 euro, për profesorët e shkollave të mesme nga 460 në 700, për policët e Kosovës nga 562 euro në 750 euro. Për zjarrfikësit nga 440 euro në 650 euro, për infermierët nga 423 në 650, për mjekët specialistë nga 705 euro në 1 mijë e 500", ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së ka theksuar se me të kryeministër nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe.

Hoxhaj: Nuk do të ketë asociacion të komunave serbe në Kosovë

"Nuk do të ketë asociacion, as republikë serbe në veri të vendit dhe nuk do të ketë kurrfarë krijese që e lëndon Kushtetutën e Kosovës, që cenon integritetin territorial të Kosovës, që e prishë rendin kushtetues të Kosovës apo sovranitetin e Kosovës. Kurrë nuk do të ketë me mua kryeministër dhe kurrë me PDK-në", ka thënë ai.

Hoxhaj nga Ferizaj përsëri i ka bërë thirrje kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, që të përballet me të në debat.

Hoixhaj: Albin Kurti nuk ka program

"Ai njeri nuk ka program, ai njeri nuk ka vizion, ai njeri nuk po del në debat me mua, po i ikë debatit. Unë e ftoj që të dalim në debat, të debatojmë. Si munden qytetarët e Kosovës ta votojnë një njëri, i cili nuk ka program, i cili nuk fol se çfarë do të bëjë dhe si mund t'ia japin votën një njeriu, i cili nuk e dinë se çka do të bëjë as ditën e parë, as javën e parë. E ftoj edhe një herë prej Ferizajt, të matemi kush sa po dinë", ka thënë ai.

Hoxhaj gjatë ditës ka takuar edhe qytetarët e Vitisë, para të cilëve ka prezantuar planin e PDK-së për Rimëkëmbje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat