Halimi e LDK-së tregon planet për qeverisjen e Komunës së Ferizajt

Ferizaj

Halimi e LDK-së tregon planet për qeverisjen e Komunës së Ferizajt

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 07:15
Sibel Halimi

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryetares së Ferizajt, Sibel Halimi, deklaroi se ka dy dekada që po merret me probleme me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare në përgjithësi dhe veçanërisht qytetarët e Komunës së Ferizajt, kështu që theksoi se në politikë konsideron që do të bëhet një përkthim nga studimet sociale që i ka bërë në veprime konkrete politike.

Në emisionin Edicioni Zgjedhor ajo u shpreh se programi i saj është hartuar nga vet qytetarët, nga shqetësimet dhe nevojat me të cilat ka pothuajse tre muaj që po merret, e të cilat i ka vendosur në tri prioritete kryesore.

“E para është transparenca, llogaridhënia dhe mundësitë e barabarta, si tri prej vlerave kryesore të qeverisjes së mirë. Për mua është shumë e rëndësishme që komuna të ketë këtë lloj të qeverisjes së mirë me këto vlera qendrore, meqë në momentin kur nuk ka mundësi të barabarta bëhet edhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut”.

“Si prioritet të dytë kam vendosur edhe një sërë çështjesh të tjera me të cilat qytetarët e Ferizajt po ballafaqohen. Fatkeqësisht jemi në shekullin e 21 dhe ende kemi probleme me ujin, kanalizimin dhe mbeturinat”.

“E treta është çështja e arsimit, e kemi parë që është bërë aq shumë politizimi i shkollave saqë i është humbur mundësia e punësimit qytetarëve që nuk i takojnë partisë politike e cila është në pushtet. Para dy orësh inspektorati i punës e ka dënuar drejtorin e arsimit me 3 mijë e 800 euro për shkak të nepotizmit dhe punësimit të mësimdhënësve pa konkurs”.

Halimi po ashtu tregoi se tek planet e saj bën pjesë edhe ndërlidhshmëria e 13 profileve të shkollave profesionale, subvencionimi i StartUp-eve të të rinjve dhe grave, parkingjet nëntokësore, treg me strehë për tregtarët, zgjidhjen e çështjes së spitalit, sigurinë në shkolla dhe përfshirje të psikologëve aty, etj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat