“Bashkimi i qytetit të Ferizajt” i nënshtrohet auditimit publik

Ferizaj

“Bashkimi i qytetit të Ferizajt” i nënshtrohet auditimit publik

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 14:50
Ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Komunën e Ferizajt me temën “Menaxhimi i projektit bashkimi i qytetit të Ferizajt”. Fokus kryesor i auditimit janë të gjitha fazat e projektit prej fillimit deri në përfundim të tij.

Sipas një komunikate të ZKA-së, objektiv i këtij auditimi është që të vlerësohet nëse Komuna e Ferizajt ishte efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit "Bashkimi i qytetit".

“Ky auditim synon të vlerësojë edhe nëse janë arritur objektivat e këtij projekti. Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit në mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit kjo e fundit është përgjegjëse për aspektin financiar të projektit ndërsa Komuna e Ferizajt për procedurat e prokurimit, përfshirë edhe menaxhimin e kontratës. Komuna ka filluar zbatimin e projektit në vitin 2018, një pjesë e tij është inauguruar në vitin 2021 ndërsa është duke u punuar edhe në pjesët e fundit që projekti të përfundohet në tërësi.

Ndërtimi i projektit “Bashkimi i qytetit” ka për qëllim uljen e aksidenteve në trafik, rritjen ekonomike/të hyrave të Komunës përmes qirave dhe parkingjeve nëntokësore, uljen e fluksit të automjeteve dhe lehtësimin e qarkullimit për automjetet që janë në transit. Projekti i lidh dy pjesët e qytetit të ndara nga hekurudha dhe ka vlerën mbi 5.5 milionë euro. Aktivitetet e prokurimit në Komunën e Ferizajt, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra/shërbime/punë e arrin qëllimin e përcaktuar të Autoritetit Kontraktues.

Duke pasur parasysh vlerën e lartë të projektit, rëndësinë që ka për qytetarët e Ferizajt si dhe duke qenë se është prej projekteve të rralla të kësaj natyre dhe të përmasave të tilla, është me interes për publikun që projektit t'i bëhet një vlerësim i përgjithshëm nga aspekti i efikasitetit dhe objektivave të synuara të projektit. Subjekt i këtij auditimi do të jetë Komuna e Ferizajt me njësitë vartëse siç janë: Departamenti i Prokurimit, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Infrastrukturës. Departamenti i Financave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përfshihet në fushëveprim sa i përket çështjes së pagesave të kryera në emër të projektit. Për të siguruar se zyrtarët e zgjedhur veprojnë në interesin më të mirë të qytetarëve që ata i përfaqësojnë, administrata publike duhet të jetë llogaridhënëse për administrimin dhe përdorimin e fondeve publike”, thuhet në komunikatë.

Në këtë aspekt, Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se është e përkushtuar që përmes auditimit të projekteve kapitale të një rëndësie si financiare ashtu edhe sociale të forcojë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e administratës publike dhe aty ku është e mundshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive dhe efikase.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat