​Gjykata Themelore e Ferizajt më transparentja për publikimin e vendimeve

Ferizaj

​Gjykata Themelore e Ferizajt më transparentja për publikimin e vendimeve

Më: 31 mars 2023 Në ora: 14:09
Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli

Prej mbi 97 mijë lëndë të zgjidhura në gjykatat e Kosovës , vendimet e mbi 34 mijë lëndëve ose rreth 36 për qind, janë publikuar.

Kështu thonë të gjeturat e monitorimit të publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022 i realizuar nga Lëvizja FOL sipas të cilit po ashtu numri i publikimeve të vendimeve të lëndëve të zgjidhura nga gjykatat për vitin 2022 është rritur për 41% krahasuar me vitin 2021.

Nga ky monitorim i FOL “Çmimi për Gjykatën më Transparente” – për dedikim në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore i është ndarë Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli u shpreh se nga viti 2019 kur kanë nisur monitorimin e publikimit të aktgjykimeve sot numri i tyre ka shkuar në 100 mijë.

“Në vitin kur ne kemi filluar monitorimin ishin publikuar vetëm 10 mijë aktgjykime në web faqen e KGJK-së, ndërsa sot nga ajo kohë është vërejtur një rritje e thekuar e publikimit të aktgjykimeve duke përfshirë edhe rritjen e cilësisë së aktgjykimeve të publikuara sot kemi mbi 100 mijë aktgjykime të publikuara në web faqen e KGJK-së“, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj u shpreh se rezultat e këtij monitorimi flasin për progresin që sitemit gjyqësor ka bërë në aspektin e transparencës.

Ai theksoi se me qëllim të rritjes së transparencës dhe publikimit të vendimeve të lëndëve të zgjidhura do të rrisin edhe numrin e zyrtarëve për informim.

“Është shndëruar në rutinën tonë edhe të Këshillit por edhe të kryetarëve të gjykatave që pothuajse çdo mëngjes me pa numrin e vendimeve që publikohen nga gjykatat për shkak se siç kemi theksuar sistemet kanë ndryshuar dhe besoj gjyqësori e ka për detyrë që me i ofrua mundësinë me e pa punën e gjykatës nga shtëpia e vendit i punës e jo domosdo nga lokalet e gjykatës. Publikimi i vendimeve gjyqësore është vetëm njëra prej komponentëve të transparencës dhe ne e kemi shndërruar në detyrë të sistemit gjyqësor përmes akteve edhe të brendshme por edhe normës ligjore. Sigurisht që ka qenë dhe mbetet ende sfidë mungesa e kapaciteteve që të publikohen në kohë rekorde të gjitha vendimet”, theksoi ai.

Drejtoresha e INL në Kosovë, Tamra Greig u shpreh e impresionuar me ngritjen e transparencës në sistemin gjyqësor sa i takon publikimit të vendimeve.

Ajo tha se ky është një hap përpara për të plotësuar demokracinë dhe tregon se po përmirësohet niveli i transparencës në Kosovës për sektorin gjyqësor.

“Ka qenë të impresionuar me numrin e rritur të publikimeve në 41% në rritje që do ta konsideroja si një sukses të madh... Transparenca i mbanë zyrtarët përgjatë gjithë sektorit gjyqësor përgjegjës dhe përgjegjësia dhe llogaridhënia krijon besimin. Kjo rritje e vogël është një hap përpara për me plotësuar demokracinë e plotë. Ky publikim është një shembull tjetër i përmirësimit të Kosovës në transparencën në sektorin gjyqësor” ,u shpreh ajo.

Ndërsa, komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva theksoi se rritja e transparencës në sistemin gjyqësor përkthehet në realizim të të drejtës së qytetarëve për informim dhe llogaridhënie.

“Sistem institucionesh që tregojnë në vazhdimësi rritjen e nivelit të transparencës së tyre duke pas parasysh se jo gjithçka është perfektë në çdo sistem dhe edhe këto të gjetura janë si pjesë e asaj që ne jemi duke u zhvilluar dhe duke i dhënë rëndësi sa më të madhe realizimit të së drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar dhe për të kërkuar llogari ndaj institucioneve në Kosovës”, u shpreh ajo.

Hulumtuesja e Lëvizjes Fol, Albana Hasani u shpreh se nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar janë publikuar 3% e vendimeve të lëndëve të zgjidhura gjyqësore.

Hasani tha se numrin e vendimeve të publikuara prinë Gjykata e Apelit me 70%, pastaj ajo e Apelit me 50%, e pasuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt e cila ka publikuar gjithsej 46% të vendimeve të lëndëve të zgjidhura.

Sa i takon degëve të gjykatave prinë ajo e Kaçanikut me 61% të vendimeve gjyqësore të publikuar e pasuar nga e Malishevës me 53% dhe dega e Rahovecit me 49% .

“ Gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 në web faqen e KGJK-së janë publikuar rreth 34 mijë e 700 vendime, në këtë shifër nuk janë përfshirë edhe aktgjykimet dhe aktvendimet e përsërituara...Gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur mbi 97 mijë lëndë që nënkupton se janë publikuar rreth 36% e lëndëve të zgjidhura. Ky nivel i publikimit dëshmon rritje të publikimit të aktgjykimeve aktvendimeve prej 41% në krahasim me vitin 2021....Tri gjykatat me më së shumti publikime gjatë vitit 2022 në proporcion me lëndët e zgjidhura janë Gjykata Supreme e Kosovës e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 4551 lëndë ndërsa ka publikuar 3188 vendime pra ka publikuar 70% të lëndëve të zgjidhura. Më pas Gjykata e Apelit e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 15 mijë e 13 lëndë ndërsa ka publikuar 7451 vendime apo 50% të lëndëve të zgjidhura. Si dhe Gjykata Themelore e Ferizajt që ka publikuar më së shumti nga gjykatat themelore, nga 6 mijë e 282 lëndë ka publikuar 2875 vendime apo 46%”, u shpreh ajo.

Sipas këtij monitorimi gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe ata të Themelores në Ferizaj prijnë me numrin e vendimeve të publikuara për vitin e kaluar.

I pari renditet gjyqtari Mahir Tutuli me gjithsej 770 vendime të publikuara, i pasuar nga Liridon Maloku me gjithsej 639 vendime të publikuara.

Gjatë vitit të kaluar sipas raportit janë publikuar 92 vendime të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtarët dhe 462 vendime të dhunës në familje.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe të monitorimit zbatimi në përpikëri i vendimit të KGJK-së për Standardizimin e Formave të Vendimeve është evidentuar në 85% vendime të publikuara, dhe në 15% të vendimeve ka pasur ngecje të zbatimit të këtij vendimi.

Lëvizja Fol bazuar në rezultat e raportit nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022 ka dal me disa rekomandime si të mos publikohen aktgjykimet e njëjta, të përditësohet web-faqja e KGJK-së me lajme dhe njoftime, të rritet numri I zyrtarëve për informim në gjykata ne fluks më të madh të lëndëve, të rritet publikimi I aktgjykimeve të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat