Ahmeti kritikon qeverisjen e Agim Aliut: Qytetarët paguajnë më shumë, por nuk marrin më shumë

Ferizaj

Ahmeti kritikon qeverisjen e Agim Aliut: Qytetarët paguajnë më shumë, por nuk marrin më shumë

Nga: A.M. Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 22:45
Ejup Ahmeti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, ka kritikuar qeverisjen e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, duke e akuzuar për rritjen e tarifave për shërbimet publike dhe rëndimin e kostos për familjet dhe bizneset.

Përmes një reagimi publik, Ahmeti ka marrë si shembull faturën për mbledhjen e mbeturinave, duke thënë se në vitin 2017 një familje në Ferizaj paguante 4.50 euro, ndërsa sot paguan 6.50 euro.

Sipas tij, pushteti i Agim Aliut kishte tentuar që këtë tarifë ta ngrinte në 9.90 euro, që, sipas përllogaritjes së tij, do të përbënte rritje prej 120 për qind krahasuar me vitin 2017.

Ahmeti ka përmendur edhe shtrenjtimin e parkingjeve publike, rritjen e tarifave për bizneset dhe çështjen e çerdheve publike, për të cilat ka pretenduar se janë vënë përballë logjikës së shtrenjtimit dhe kalimit të objekteve në menaxhim privat.

Ai ka vlerësuar se qytetarët po përballen me kosto më të larta, pa marrë domosdoshmërisht shërbime më të mira.

“Nuk mund ta shpëtosh një qeverisje të keqmenaxhuar duke i varfëruar qytetarët!”, ka shkruar Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat