Wolf: Hamilton do të firmosë

Formula 1

Wolf: Hamilton do të firmosë

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 16:11
Wolf: Hamilton do të firmosë

Drejtuesi më i lartë i ekipit Mercedes, Toto Wolff ka besim se Lewis Hamilton do të rinovojë kontratën me skuadrën gjermane. Bosi i ekipit është i bindur se kampioni në fuqi i Formulës 1 do të firmosë pikërisht për skuadrën me bazë në Brackley, Northamptonshire në Mbretërinë e Bashkuar, për të zgjatur kështu qëndrimin në radhët e skuadrës Mercedes – AMG Petronas, pavarësisht se palët nuk janë ulur ende në tryezën e bisedimeve, për të folur mbi një marrëveshje të mundshme.

Edicioni i 71 i kampionatit botëror të Formulës 1 nuk ka startuar akoma dhe siç dihet është shtyrë vazhdimisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, megjithatë kohët kalojnë shpejt dhe pilotit britanik i kanë mbetur vetëm disa muaj, në kontratën që e lidh 35-vjeçarin nga Stevenage me ekipin Mercedes.

Zërat mbi një kalim të mundshëm të pilotit anglez në radhët e skuderisë legjendare italiane Ferrari janë shtuar ndjeshëm, sidoqoftë deri tani drejtuesit më të lartë të ekipit gjerman në anën tjetër kanë parapëlqyer për t’I lënë gjërat ashtu siç janë, duke patur besim në një shtyrje të mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Kohët kanë ndryshuar dhe tani makina është faktori kryesor për të fituar në këtë sport, shkruan supersport.

Lewis Hamilton i detyrohet jashtëzakonisht shumë ekipit Mercedes, ku piloti britanik u transferua që në vitin 2013 dhe falë makinës fenomenale që i ka vënë në dispozicion skuadra gjermane befas 35-vjeçari krenohet me plot 6 tituj në botërorin e pilotëve të Formulës 1, vetëm një më pak se sa Michael Schumacher, duke kaluar në këtë mënyrë të madhin Juan Manuel Fangio, që në vitet e para të këtij sporti u kurorëzua plot 5 herë kampion bote me katër marka të ndryshme makinash.

Investitori austriak Toto Wolff që drejton skuadrën konfirmoi se palët nuk janë ulur fare për të folur për të ardhmen, gjithsesi 48-vjeçari vjenez është i bindur se një marrëveshje e mundshme do të mund të arrihet pa asnjë lloj vështirësie. Sipas Forbes-it gjatë vitit të fundit Lewis Hamilton ishte sportisti i 13 më i paguar në rruzull, me 54 milionë dollarë në total. 42 milionë nga kontrata aktuale dhe bonuset që i ka ofruar ekipi Mercedes, ndërsa 12 milionë dollarë nga sponsorët e ndryshëm dhe të drejtat e imazhit, pra shuma që as nuk mund të krahasohen fare me shifrat astronomike me të cilat është paguar Michael Schumacher në kohën e tij te skuadra Ferrari.

Mercedesi konsiderohet me diferencë si makina më e mirë në qarkullim dhe natyrisht me lirimin e një piloti si Sebastian Vettel në fund të vitit nga Ferrari është krejtësisht e kuptueshme sjellja e drejtuesve të ekipit gjerman. Influenca e pilotëve në këtë sport ka ardhur duke rënë gjithmonë e më shumë, madje dominimi i Mercedesit ka shkuar deri në nivele të atilla sa Lewis Hamilton të fitojë 5 nga 6 kampionatet e fundit të Formulës 1, ndërsa vetë ekipi gjerman ka koleksionuar rresht trofeun e konstruktorëve në 6 sezonet e fundit.

Kontrata e pilotit nga Mbretëria e Bashkuar mbyllet në fund të këtij viti dhe ka patur shumë spekulime mbi një kalim të mundshëm të tij në Maranello, te skuderia e kuqe, sidoqoftë në krahun tjetër Sebastian Vettel që u ul me bujë në ndenjësen e “kokëkuqes” dështoi në mënyrë spektakolare, duke u shpallur te Ferrari vërtet dy herë nënkampion bote, praktikisht po aq sa edhe Fernando Alonso, por ndryshe nga piloti spanjoll Vettel pati në dispozicion një makinë shumë më kompetitive se sa veterani asturian, që nga ana e tij humbi dy tituj në ditën e fundit të kampionatit për vetëm 7 pikë gjithsej.

Për hir të së vërtetës edhe vetë Lewis Hamilton ishte thjesht një pilot normal në kohën kur dominonte gjermani Sebastian Vettel për shkak të makinës Red Bull dhe në ato katër kampionate kur piloti nga Heppenheimi fitoi katër tituj botërorë piloti anglez nuk e mbylli dot botërorin në asnjë rast në podiumin përfundimtar të klasifikimit të përgjithshëm të pilotëve. Totto Wolff deklaroi për Sky Sports se të dyja palët i kanë ruajtur kontaktet dhe pavarësisht situatës së vështirë për shkak të pandemisë së koronavirusit komunikimi ndërmjet tyre nuk ka munguar.

48-vjeçari austriak që zotëron 30% të aksioneve te ekipi Mercedes – AMG Petronas shtoi se duke patur parasysh rrethanat beson se çështja e kontratës është diçka që do të zgjidhet shumë lehtë. I pyetur në lidhje me faktin përse rinovimi i kontratës është shtyrë për kaq vonë si kohë ai shpjegoi se kur ekziston një frymë e tillë besimi dhe kur ke një marrëdhënie si kjo në Formula 1 atëherë mund të mbështetesh me siguri dhe të kesh bindjen se pala partnere nuk do të të lërë në baltë. Në edicionin jubilar të vitit të kaluar Lewis Hamilton mbrojti titullin për pilotë tepër i shkëputur nga shoku i tij te ekipi Mercedes Valtteri Bottas, duke regjistruar 5 pole position, 11 fitore dhe 17 podiume përgjatë 21 garave që u zhvilluan gjithsej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat