Ferrari e nis me telashe në Arabi

Formula 1

Ferrari e nis me telashe në Arabi

Më: 16 mars 2023 Në ora: 14:28
Sharl Lëklerk

Fundjava e Çmimit të Madh të Arabisë Saudite ka nisur me një lajm të keq te Ferrari, lajm të cilin e ka dhënë vetë shefi i skuadrës, Frederik Vasër. Francezi ka njoftuar gjatë ditës së djeshme penalizimin që do të ketë Sharl Lëklerk në Xhedah.

“Fatkeqësisht kemi pasur një problem në ndezjen e makinës në garën e parë në Bahrejn.

Problemin e parë me çentralinën e patëm të dielën në mëngjes, ndërsa na u përsërit për herë të dytë edhe në garë.

Nuk na kishte ndodhur kurrë më parë, dhe ishte objekt analize, por fatkeqësisht do të penalizohemi, sepse rregullorja parashikon vetëm dy çentralina për të gjithë sezonin.

Janë të sigurta 10 pozicione në radhën e nisjes për Sharl Lëklerk”, deklaroi fillimisht Vasër, duke iu referuar problemeve të monegaskut në Bahrejn.

Një lajm që sigurisht nuk është pritur mirë nga piloti, të cilit ende nuk i ka dalë inati për tërheqjen në garën e parë të sezonit në Formulën 1, ndërsa e nis me malore edhe eventin e dytë.

“Sharl është padyshim i pakënaqur me mënyrën se si shkoi gara e parë, por në kthim ai ishte menjëherë në fabrikë dhe shumë i motivuar.

Ne e njohim situatën dhe të gjithë po punojmë të përmirësohemi”, shtoi francezi.

Çmimi i Madh i Arabisë Saudite do të hapet sot pasdite me konferencën e pilotëve.

Më tej, nesër do të jetë radha për dy sesionet e provave të lira.

Të shtunën do të zhvillohet edhe sesioni i tretë i provave të lira, për t’i lënë vend më pas kualifikueseve në orën 18:00. Në të njëjtën orë, të dielën do të jetë starti i garës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat