Shqiponjat gjithmonë kthehen në fole

Gjermania

Shqiponjat gjithmonë kthehen në fole

Nga: Xhafer Leci Më: 14 maj 2022 Në ora: 06:22
Foto nga vizita

Hapet dera e Avionit….Ajri gjysmë i ngrohtë i funprillit na prek fytyrat..Jemi në tokën shqiptare…jemi në tokën tonë.

Prej kohësh e kishim menduar dhe ëndërruar këtë udhëtim,por kur realiteti i kalon pritshmëritë e ëndrrës,atëherë s`kemi si të mos themi “S`ka si vendi ynë“.

Kështu nisi ky udhëtim i shumëpritur për Qëndrën Kulturore Shqiptare të Shtutgartit,kështu nisi aventura jonë ndër perlat e Shqipërisë.

Humor,batuta,të qeshura të pafundme,gëzim,e mbi të gjitha,dashuri e pa matë për këtë vend gjeografikisht të vogël,e shpirtërisht më i madh se gjithë bota.

Tirana na priste…Parku i Liqenit Artificjal,tashmë I lulëzuar ishte stacioni ynë I parë.Një kokteil freskie,I ndërthurur me histori (Amfiteatri i Tiranës)e letërsi (monumentet e vëllezërve Frashëri).Gjithcka kalonte pa u ndier nën lupën e aparatit fotografik.

Orët ecin,ecim edhe ne.Drejtohemi për tek sheshi Skënderbej,ku pa asnjë dyshim,veç madhështisë së sheshit,na pret edhe Xhamia e famshme e Et´hem Beut,e cila është e vetmja ndër tetë xhamitë e shekullit të XVIII dhe XIX që ka rezistuar dhe e shohim edhe sot.

Rrugëtimi ynë tashmë na çon drejt qytetit historik të Krujës.Krujës së Gjergj Kastriotit,Krujës heroike.Shumë mund të thuhet për këtë qytet,sepse cdo gur themeli i tij,ka një histori,por për ne,kënaqësia qe e dyfishtë.Përkuam pikërisht me 555 vjetorin e çlirimit për herë të tretë të Krujës si dhe vdekjen e Ballaban Pashës.Rastësia ishte edhe më e bukur kur një grup shqiptarësh Arbëreshë,mbushën rrugët e kalldrëmta të Krujës.Të gjithë për një qëllim,si ata,si ne.Kthimi në foletë tona.

Të panjohur me emra,të njohur me rrënjë.Kënduam të gjithë një zëri,vargjet e këngëve si melhem për shpirtin.

Tashmë Krujën e lëmë pas,na pret Shkodërlocja ,e dashur,e bukur,plot jetë.Natyrisht që të quhet se „ke ken n`Shkodër“,në rradhë të parë duhet të vizitosh Kalanë shekullore të Rozafës.Prej madhështisë e lartësisë së saj,duket sikur lumi poshtë saj e qielli mbi të,bëhen njësh me njëri- tjetrin.Shkodra me lumenj e me liqen,e mbi të gjitha me njerëz të mrekullueshëm,të grish të mos largohesh asnjëhërë prej aty,por ne na presin të tjera qytete……

I jemi drejtuar Mirditës.

Busti i Anton Çettës,heroit të Mirditës patriotike qëndron si mikpritës për të gjithë ata që duan ta vizitojnë këtë qytet.Në pallatin e Kulturës ,ku na priste Drejtori i Pallatit tè Kulturès Rrèshen,Z.Gjergj Marku,mund të gjeje veshje tradicionale të zonës si dhe instrumente të ndryshëm muzikorë.Për të qënë të sinqertë,Vitori,kryetari i qendrës sonë, e shijoi pa masë këtë qytet,ne të tjerët jo më pak,por ai aty gjen rrënjët e tij,krenarinë e tij.

Çdo qytet ka vecantinë e tij,e natyrshëm secili nga ne do të dijë më shumë,por udhëtimi ynë duhet të vazhdojë…..

Jemi në Laç.Kisha e Shën Ndout eshtë emblema e këtij qyteti,dhe natyrisht nuk mund të mos ishte pjesë e udhëtimit tonë,as vizita tek ky vend e as lutja që percillet nëpërmjet ndezjes së një qiriu.

Ditët pasojnë njëra-tjetrën,qytetet gjithashtu.Tashmë para nesh shfaqet Elbasani.Ndalesa e parë në këtë qytet ishte Rozafa Fish City.Vërtetë është një bisnes privat,por ajo që pronari i saj ka realizuar brenda këtij kompleksi është magjike.Z.Gjergj Luca,i biri i aktorit të pa përsëritshëm Ndrek Luca,ka ndërthurur dy botë të ndryshme si në kohë ashtu edhe ne koncept.Një kinema shqiptare,statuja e buste,një bisnes krejtësisht modern.U munduam të shijonim gjithçka nga kjo mrekulli.Një tjetër veçanti që hasëm në Elbasan ishte historia e Priftit ortodoks At Nikolla,i cili prej vitesh luftonte të ndante kishën ortodokse shqiptare nga ajo greke.Një njeri sa i ditur aq edhe patriot i zjarrtë.Nuk di se sa emocione kemi marrë gjatë këtij udhëtimi,di vetëm të them se secili nga ne,do të ruaj në zemrën e tij,një copëz Shqipërie,si djamant i pa përpunuar,plot vlerë.

Tashmè Elbasanin e lèmè pas,e drejtohemi pèr nè Berat.Berati i Uneskos,ai i njè mbi njè dritareve,qè shtrihet qetè faqeve tè kodrave ,ndarè na Osumi si stoli mes tij.Nè kèto qytete antike,ora ka ngrirè.Pamja e tyre duket si njè vegim lashtèsie.U munduam ta shijonim nè maksimum panoramèn dhe kulinarinè e tij.Njè magji mè vete.

Tepelena mbi Vjosë tashmë na pret.Hije rëndi Ali Pashai,i cili me trimërinë e zgjuarsinë e tij arriti të krijonte pothuajse një shtet brenda shtetit në Perandorinë Osmane,dhe i solli dëme të pa llogaritshme Portës së Lartë.Vjosa,për mbrojtjen e të cilës u fol në të gjithë botën,na fal freskinë e madhështinë e saj duke rënë në grackën e aparatit tonë fotografik.

Pranë është Gjirokastra,nuk na u desh te ecnim shumë. Gjirokastra është një qytet i vogël por i këndshëm, përballë janë malet e mbuluara me borë të Çajupit,kurse rrugët karakteristike prej guri të krijojnë idenë se gjëndemi në një qytet mesjetar.Kalaja e Gjirokastrës është shumë e njohur. Në periudhën e Ali Pashë Tepelenës kalaja u rindërtua dhe u zgjerua në madhësinë që është sot.

Emri Argjiro është i lidhur me legjendën e një princeshe që u hodh nga kështjella me fëmijën e vogël për t’u shpëtuar otomanëve.

Destinacioni ynë tashmë është Vlora heroike.Këtu Ismail Bej Vlora shpalli pavarsinë e Shqipërisë me 28.Nëntor 1912.Këtu u mblodhën të gjithë Burrat e ditur e trima nga të gjitha trojet shqiptare,me besa-besë,me ja të vdesim e ja të rrojmë...ËSHT E JONA SHQIPËRIA.Falë këtij akti,Shqipëria shpëtoj nga kthetrat e fqinjëve grabitqar.Sot vlora është një qytet modern bregdetar.Me Lungomaren ajo është një perlë e bregdetit shqiptar. Falë pozicionit strategjik në hyrje të detit Adriatik, Gjiri i Vlorës, i cili është një port natyror, ka qenë një qendër tregtare e lakmuar nga shumë popuj.Ne shijuam çdo dallgë deti e çdo gurë bregu.

Pas një nate të këndshme në Vlorë vazhdojmë udhëtimin tonë drejt Apollonisë antike. Ky Antikitet zë një sipërfaqe prej 99 hektarësh. Në hyrje ndodhet një muze i pasur me shumë figura antike që tregojnë origjinën pellazgo-ilire të shqiptarëve. Grupi është i mahnitur me pasurinë arkeologjike të Apollonisë.

Tashmë fjalët i kanë lënë vendin ndjesive.Apollonia duket si një Olimp magjepsës që flet shqip.

Me këtë shije historike të pa përsëritshme,ditëve tona në Shqipëri u erdhi fundi.Mbrëmjen përmbyllëse e kaluam në Tiranën plot gjallëri e plot vende të ndryshme për të provuar e shijuar.

Në çdo qytet u munduam të provonim pjatat karakteristike të zonave ku ndodheshim,sepse në fund të fundit,edhe kulinaria është vlerë e pallogaritshme e një vendi.E po kështu bëmë edhe në Tiranë.

Është herët,mëngjes...

Po largohemi Shqipëri,me copëzat e tua me vete.....me krenarinë tonë që jemi shqiptarë,me gjithë mbresat e pa shlyeshme që na le....me urimin”Mirupafshim së shpejti”,por edhe me një lot të fshehtë që pështjell mallin tonë të pafundëm....

E megjithatë kurrë mos e harroni se”Shqiponjat kthehen sërisht në fole.

Image
Image
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat