Princesha poliglote, që po e dridh Gjermaninë

Gjermania

Princesha poliglote, që po e dridh Gjermaninë

Nga: Hasan Qyqalla Më: 19 qershor 2022 Në ora: 16:35
Flavia

Flavia vie nga qyteti i Lasgushit, siç identifikohet Pogradeci. Është fëmiu i parë i qiftit simpatik Marsela dhe Fortan Pupa. Prindërit e çapkënes, fillimisht emigruan në Greqi, ku u lind edhe Flavia e çuni Floreni, ndërkaq Felixi i vogël u lind në Gjermani. Aty filluan dhe hapat e parë në institucionet parashkollorë, por që gjuhën shqipe e flasin dhe shkruajnë sikur t’ishin në Pogradecin e bukur. Natyrisht, në rrethana të tilla, s’do mend se e mësuan edhe gjuhën greke. Babai i Flavias, Fortani me punën e tij bënte vërtet art, gjersa mamaja Marsela ka mbaruar për parukere dhe shquhej me ide e kreativitet.

Pas krizës që e kaploi Greqinë, qifti me fëmijë, vazhdojnë migrimin në Austri. Meqë, atje u ballafaquan me sfida të mëdha burokratike, vazhduan për në Gjermani. Në Gjermani u vendosën në qytezën Bad Breisig, qarku i Koblenzit në Rheinland-Pfalz. Nuk e kishin fare lehtë, pasi nuk e njihnin as gjuhën, as kulturën... Thënë ndryshe, ishte një fillim i ri në rrethana të reja. Flavia nga gjuha greke që e kishte mësuar në kopsht, këtu u ballafaqua me një gjuhë krejt ndryshe, qoftë nga artikulimi apo edhe shkrimi (shkronjat). Drejtoresha e shkollës i propozoi të vizitoj qerdhen edhe për një vit, mbase të mësoj hapat e parë të gjuhës së re (gjermanishtes).

Insistimi këmbëngulës i Flavias, bindi pedagogun social që t’i lejohet ndjekja e mësimit sa të mësoj gjuhën por që nga viti tjetër të merrë statutin e nxënëses së rregullt. Flavia, lere që arriti ta mësoj ghuhën për një kohë të shkurtër, por në gjysmëvjetorin e dytë, rezulton nxënësja më e mirë e klasës. Kështu, ndryshon edhe qëndrimi i propozuar nga pedagogu dhe psikologu i shkollës, duke ia mundësuar vazhdimin në klasën e dytë. Suksesi i gocës, i befasoi këndshëm për të mirë pra, edhe prindërit e Flavias. Këtu sikur peshon urtia popullore, se “moti i mirë shihet në mëngjes”!

Përfundon ciklin e ulët katërvjeçarë me nota maksimale, si e para e klasës. Padyshim, çupa nga Pogradeci fascionoi gjithë stafin e shkollës me sukseset e saja, ku e sugjerojnë të vazhdoj mësimet në Gjimnazin “Are-Gymnasium” në Bad Neuenahr-Ahrweiler, që njihet për kritere të larta. Përveç “bajrakut” që mbanë në duar për mësime, Flavia nga qyteti i blertë, shquhet edhe në aktivitete tjera shkollore, siç njihet si magjistare e ngjyrave në artin pamor, volejbolliste aktive e grupmoshave të saj, gjuhë të huaja, etj.

Por, talenti i çupës simpatike, sikur nuk mjafton me kaq. Arsimtarja e muzikës, sa e dëgjoi zërin magjik të Flavias, e fton në kabinetin e veglave muzikore, pas orarit. E pyeti sa e përcjellë muzikën dhe që kur këndon. Flavia, me butësin e saj, i përgjigjet se i pëlqen muzika dhe këndon për vete. Që aty përzgjidhet, për festa e organizime shkollore të marrë pjesë si këngëtare, ku befason të pranishmit me zërin magjik. Befasia, vazhdon edhe më tej, kur Flavia merret edhe me krijimtari letrare.

Koncertin e fundit shkollor, Flavia u prezantua suksesshëm me këngën, tekstin e së cilës e shkroi vet. Kjo ishte vlerësimi dhe përzgjedhja e pedagoges së muzikës. Prandaj, kujtoj që Flavia, jo rastësisht u pagëzua nga këshilli i pedagogëve si “Princesha poliglote”! Presim që yjeve me famë ndërkombëtare, si Rita Ora e Dua Lipa, t’ ju bashkangjitet së shpejti edhe princesha e re nga qyteti i Lasgushit, Flavia PUPA, nxënëse shembullore e klasës së shtatë, që nga zemra i urojmë suksese...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat