Shqiptari arrestohet në Gjermani, dyshohet se jetoi 11 vite me identitet të rremë

Gjermani

Shqiptari arrestohet në Gjermani, dyshohet se jetoi 11 vite me identitet të rremë

Më: 21 maj 2026 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Një shtetas shqiptar 46-vjeçar është arrestuar nga Policia Federale në Rosenheim të Gjermanisë, nën dyshimin se për rreth 11 vite ka jetuar në vend duke përdorur identitet të falsifikuar grek.

Sipas autoriteteve gjermane, arrestimi është bërë gjatë një kontrolli rutinë në një tren ndërkombëtar që po udhëtonte nga Verona drejt Gjermanisë. Gjatë verifikimit të dokumenteve, 46-vjeçari kishte paraqitur një kartë identiteti greke, e cila pas kontrollit rezultoi të ishte e falsifikuar.

Hetimet e mëtejshme dhe verifikimi i gjurmëve të gishtërinjve zbuluan identitetin e tij të vërtetë. Autoritetet konfirmuan se ai ishte shtetas shqiptar, i cili kishte hyrë në Gjermani pasi kërkesa e tij për azil ishte refuzuar më herët.

Sipas Policisë Federale, që nga viti 2015 ai kishte përdorur identitet të rremë për të jetuar dhe punuar në rajonin e Bavarisë, duke shmangur autoritetet për vite me radhë.

Ndaj tij tashmë janë ngritur akuza për qëndrim të paligjshëm në Gjermani, tentativë për hyrje të paligjshme në vend dhe falsifikim dokumentesh. Përveç procedurave penale, autoritetet gjermane i kanë shqiptuar edhe ndalim hyrjeje në Gjermani për katër vite.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat